Sanksionet/ Kur vjen puna te nafta, Europa mendohet dy herë

Postuar në 21 Mars, 2022 19:59

BE është e lëkundur në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë në fushën e energjisë. Ndërkohë që konflikti në Ukrainë përshkallëzohet, një pjesë e vendeve kërkojnë shtimin e sanksioneve. BE dhe aleatët kanë vendosur tashmë një mori masash kundër Rusisë, duke përfshirë ngrirjen e aseteve të bankës së saj qendrore.

Rrethimi dhe bombardimi i portit të Mariupolit nga Rusia, të cilin shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell e quajti "një krim masiv lufte", po shton presionin për veprim. Por, vënia e naftës ruse në shënjestrën e sanksioneve, siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe Britania, është e vështirë për BE-në prej 27-vendesh, e cila mbështetet tek Rusia për 40% të gazit të saj. Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të hënën, disa argumentuan se BE nuk mund ta shmangë më një hap të tillë.

Duke parë shkallën e shkatërrimit në Ukrainë tani, është shumë e vështirë të thuhet se ne nuk duhet të zhvendosemi në sektorin e energjisë, veçanërisht të naftës dhe qymyrit”, tha ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney.

Por Gjermania dhe Holanda thanë se BE-ja ishte e varur nga nafta dhe gazi rus dhe nuk mund ta ndërpresin menjëherë.

Çështja e një embargoje nafte nuk është një çështje nëse duam apo nuk duam (atë), por një çështje se sa varemi nga nafta”, u tha gazetarëve ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Gjermania po importon shumë (naftë ruse), por ka edhe vende të tjera anëtare që nuk mund të ndalojnë importet e naftës nga një ditë në tjetrën. Nëse do të mundeshim, do ta bënim automatikisht,” tha ajo, duke shtuar se blloku në vend të kësaj duhet të punojë për të reduktuar varësinë e tij nga Moska për nevojat e saj energjetike.

Diplomatët paralajmërojnë se energjia ishte një nga sektorët më kompleksë për t'u sanksionuar, sepse çdo vend i BE-së ka vijat e veta të kuqe. Ata thonë se ndërsa disa vende duan një embargo nafte, Gjermania dhe Italia, të cilat varen nga gazi rus, po zmbrapsen për shkak të çmimeve tashmë të larta të energjisë. Sanksionet ndaj qymyrit janë një vijë e kuqe për disa, përfshirë Gjermaninë, Poloninë dhe Danimarkën, ndërsa për të tjerët, si Holanda, nafta është e paprekshme. Vetë Moska ka paralajmëruar se sanksione të tilla mund ta shtyjnë atë të mbyllë një tubacion gazi për në Evropë - një tjetër pengesë e mundshme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.