Zelensky: Sulmi ndaj Ukrainës tregoi se traktatet ndërkombëtare janë letra pa vlerë

Postuar në 10 Mars, 2022 10:49

Agresioni ushtarak i Rusisë tregoi se marrëveshjet mund të rezultojnë pa vlerë edhe nëse mbajnë firmën e superfuqive. Në një intervistë për gjermanen Die Zeit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, duke iu referuar Memorandumit të Budapestit, thotë se ndëshkimi i Rusisë nga Perëndimi është e vetmja mënyrë për të rikonfimruar legjitimitetin e traktateve ndërkombëtare. Lidhur me kërcënimin bërthamor, Zelensky thotë se Putin po luan blofin, pasi do të ishte vetëvrasje.

Presidenti Zelensky, sipas raportimeve nga ushtria ukrainase, forcat ruse po përgatiten të nisin një sulm ndaj Kievit. Ndër objektivat e tyre kryesore është edhe eliminimi juaj. Si po mbroheni?

Jetoj mes njerëzve të mi, është mbrojtja më e mirë që ekziston. Kur Rusia përgatiti pushtimin, Putini nuk mund ta imagjinonte se ukrainasit do ta mbronin vendin e tyre me një vendosmëri të tillë. Jo vetëm disa individë, por mbarë kombi. Kremlini me siguri nuk e kishte menduar se kjo, për ne, do të ishte Lufta e Madhe Patriotike - ashtu si ajo që Bashkimi Sovjetik luftoi kundër Hitlerit. Ndihmësit e Putinit nuk e njohin fare Ukrainën. Por ne jemi të tillë. Me Ukrainën në krah, je i sigurt. Ky është një parim që do të shërbejë si mësim për shumë njerëz në Perëndim.

Pse mendoni se jeni bërë armiku numër një i Putinit?

Është mënyra e tij për të lexuar realitetin. Kur këshilltarët e tij shikojnë një shtet, nuk i shohin qytetarët e tij.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Ata shohin vetëm kreun e shtetit, shohin politikanët, sipërmarrësit e fuqishëm. Rusët shpresojnë t'i blejnë të gjitha ose t'i trembin të gjithë. Por duke qenë se ata e dinë se këto metoda nuk më pengojnë mua, kanë kaluar në kërcënime. Nuk mund të ishte më e qartë se kaq.

Në çfarë kushtesh jetoni tani?

Ju mund ta imagjinoni fare lehtë. Unë fle shumë pak, pi shumë kafe dhe jam vazhdimisht i përfshirë në diskutime dhe negociata. Unë po bëj shumë gjëra të domosdoshme për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e bashkatdhetarëve të mi.

Tashmë prej një jave, një kolonë mjetesh të blinduara, kamionësh dhe artilerie, 60 km e gjatë, po marshon drejt Kievit (...). Keni frikë nga një rrethim rus?

Jo,  nuk kemi frikë. Ne i kemi treguar tashmë botës se dimë të mbrohemi. Por meqenëse ju flisni për frikën, unë kam një gjë për t'ju thënë: nuk jemi ne ata që duhet të ndihemi të frikësuar, por politikanët nga e gjithë bota. Dua të them, të gjithë ata që sot shikojnë nga Ukraina dhe pyesin veten: a është edhe vendi im në rrezik pushtimi? Atë që Rusia po i bën Ukrainës tani, vendet e tjera mund të përpiqen t'ia bëjnë fqinjëve të tyre. Dhe kjo është arsyeja pse mbrojtja e Ukrainës dhe mbështetja e Perëndimit përfaqësojnë vërtet një mobilizim global kundër luftës. Të gjithë sulmuesit e mundshëm në mbarë botën duhet të dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të fillojnë një luftë.

Perëndimi po ndihmon Ukrainën duke e furnizuar me armë. (...) A arrin ky material në kohë?

Pyetje e mirë. Do të doja të shtoja disa detaje. Vetëm pak muaj më parë, lufta nuk ishte ende këtu, por të gjithë e kuptuan se pushtimi ishte i afërt. Trupat ruse tashmë ishin grumbulluar përgjatë kufijve tanë. Kërkova që Rusisë t’i vendoseshin sanksione, në mënyrë që Putini të mendohej dy herë. Por nuk u bë ajo që kërkova unë. I kërkova ndihmë Ukrainës për të forcuar mbrojtjen e saj. Edhe kjo nuk u bë. Tani jemi përballë pushtimit. Ushtria ruse po shkatërron qytetet tona dhe po godet refugjatët nëpër rrugë. Por a e kuptoni? Po masakrojnë edhe civilët e arratisur. Raketat e tyre godasin ndërtesa, kisha, universitete. Jemi në barbari. Po, ne po marrim furnizime me armë. Por është e qartë se na duhet diçka tjetër. Sepse barbaria nuk njeh kufij.

President, ju jeni hebre. Çfarë menduat kur Putin deklaroi se populli i Donbasit duhej të shpëtohej nga gjenocidi dhe se ishte e nevojshme të çlirohej Ukraina nga qeveria e nazistëve të dyshuar?

Jam i bindur se presidenti rus rrallë përballet me njerëz të ndershëm dhe të sinqertë. Çfarëdo që i vjen në vesh ose i dorëzohet në raporte të shkruara, kjo është ajo që ne dëgjojmë prej tij.

A mendoni se presionet ekonomike do ta detyrojnë Putinin të heqë dorë nga biznesi i tij?

"Perëndimi nuk ka ushtruar ende atë lloj presioni ekonomik që do të justifikonte këtë hipotezë."

Negociatat mes delegacioneve ruse dhe ukrainase vazhdojnë. Besoni në zgjidhje?

Ukraina i ka propozuar gjithmonë Rusisë që të negociojë, të negociojë për paqen. Paqja është e para nga synimet tona. Por për t'i marrë seriozisht negociatat, duhet të shohim rezultatet. Dhe unë ende nuk shoh asnjë rezultat.

Putin kërcënon me luftë bërthamore kundër Perëndimit në rast të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë. A mendoni se është e mundur?

Unë besoj se kërcënimi i luftës bërthamore nuk është gjë tjetër veçse një bllof. Është një gjë të sillesh si vrasës kriminal, tjetër gjë të zgjedhësh vetëvrasjen. Përdorimi i armëve bërthamore do të thotë fundi për të gjitha palët e përfshira, jo vetëm ata që shtypin butonin të parët. Për mendimin tim, kërcënimet e Putinit janë një shenjë dobësie. Ai përdor kërcënimin e armëve bërthamore sepse planet e tij nuk po funksionojnë. Unë jam i sigurt se Rusia është e vetëdijshme për pasojat katastrofike të çdo përpjekjeje për të përdorur armë bërthamore.

Në vitin 1994, Ukraina i dorëzoi armët e saj bërthamore. Në këmbim, Rusia, Britania e Madhe dhe SHBA u zotuan të mbrojnë sovranitetin e saj. A mendoni se ishte një gabim historik nënshkrimi i asaj marrëveshjeje?

Nënshkruesit kanë shkelur kushtet e Memorandumit të Budapestit, ky ishte gabimi. Nëse marrëveshja do ta kishte arritur qëllimin e saj, mund t'u thuhet vendeve që duan të marrin armë bërthamore: ja cilat janë garancitë për sigurinë tuaj, hiqni dorë nga armët bërthamore. Nga ana tjetër, agresioni i Putinit dërgoi një sinjal shumë të ndryshëm për të gjithë botën: ato garanci janë letra pa vlerë, edhe nëse mbajnë firmën e superfuqive. Edhe Rusia u deklarua si garantuese e sigurisë sonë dhe tani po bën gjithçka që mundet për të na asgjësuar. Kush do të besojë më në fuqinë e traktateve? Prandaj, ndëshkimi i ashpër i Rusisë është e vetmja mënyrë për të rikonfirmuar legjitimitetin e traktateve ndërkombëtare. Dhe Perëndimi mund ta bëjë këtë.

Ka raportime sipas të cilave ju keni ofruar 40 000 dollarë për çdo ushtar rus që lë armët. A është ende i vlefshëm propozimi?

Nuk mund të zbuloj taktikat ushtarake, por konfirmoj se tashmë kemi kapur qindra ushtarë rusë.

Ukraina ka kërkuar të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Cilat do të ishin avantazhet për vendin tuaj?

Ukraina tashmë krenohet me bashkëpunimin e ngushtë me BE-në. Populli ynë dëshiron lirinë dhe demokracinë. Me një vend anëtar si Ukraina, Bashkimi Evropian po siguron një komb mik të aftë për të luftuar me të gjitha forcat e tij për liri, demokraci dhe barazi, dhe për këtë arsye për të gjithë Evropën. Për vendin tim, ky do të thotë synimi i një rrugëtimi të gjatë që kemi bërë për t'iu bashkuar komunitetit evropian, të cilit historikisht i përkasim.

Vetëm pak vite më parë, jeta jaun ishte shumë ndryshe, si aktor dhe regjisor. Tani jeni i ngarkuar me përgjegjësi të rënda. A mendoni ndonjëherë nëse ia ka vlejtur?

Është një pyetje vërtet e çuditshme. Nuk kam zgjidhje tjetër. Ne duhet të luftojmë për lirinë. Gjithmonë. Dhe nuk ka rëndësi kush kam qenë në të kaluarën dhe kush jam tani. Ne duhet të jemi të lirë, për të siguruar lirinë për fëmijët tanë dhe familjet tona.

Nëse Rusia mund Ukrainën, çfarë do të bëjë Putin me vendin tuaj?

Është shumë e qartë: kushdo, si rusët, është në gjendje të bombardojë kopshte apo të gjuajë me raketa Cruise në shtëpi dhe ndërtesa është gjithashtu i gatshëm të kryejë veprimet më të neveritshme. Dikush mund të përpiqet të asgjësojë popullsinë, siç është bërë tashmë në pjesë të tjera të botës. Por Rusia nuk do të ketë sukses në qëllimin e saj. Ukraina, me mbështetjen e të gjithë botës, ka forcën e nevojshme për të zmbrapsur pushtimin.

A mendoni se Putin tashmë ka në shënjestër vende të tjera, si Moldavia?

A jeni në dijeni të asaj që është shpallur në Moskë vitet e fundit? A keni dëgjuar ndonjëherë një frazë të vetme me respekt ndaj BE-së? A besoni se Putin e njeh Evropën si një fuqi të barabartë? Jo. Qëllimi i tij është të ndajë dhe të copëtojë Evropën, siç po bën me Ukrainën. Dëgjoni çfarë thotë propaganda ruse. Ata madje e predikojnë atë nga kishat e tyre, se shtetet e tjera duhet të pushtohen: Moldavia, Gjeorgjia, republikat baltike. Për mendimin tim, edhe Polonia është nën kërcënim. Në të vërtetë, i gjithë kontinenti evropian është në rrezik, për sa kohë që Putini lejohet të sulmojë një vend fqinj.

/ Marrë me shkurtime nga Corriere.it /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.