Një pensionist fiton 10 500 euro kundër Shqipërisë në Strasburg

Postuar në 26 Shkurt, 2022 17:34

Fletoren Zyrtare është publikuar së fundmi një vendim i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që pasqyron në mënyrën më ilustruese se çfarë do të thotë kalvar në gjykatat shqiptare. Paditësi është shtetasi Mustafa Laçi, nga Kavaja, i cili është një ndër 70 personat që më 21 shkurt 2011 paditën Ministrinë e Mbrojtjes dhe shtetit shqiptar përmes së cilës kërkonin:

kompensim (pa përcaktuar shumën) për dëm monetar dhe jomonetar për humbjen e jetës së familjarëve të tyre gjatë një shpërthimi në një objekt për çmontimin e municionit, menaxhimin e të cilit autoritetet ua kanë dhënë kompanive private

Që nga ky moment, drama e padisë për shkak të një shpërthimi, merr shtegun tipik të një telenovele rraskapitëse shqiptare. Konkretisht gjykata ka parashturar se:

Më 27 janar 2021, Gjykata e Rrethit Tiranë i ndau paditë për dëmshpërblim. Më 20 janar 2014, kërkuesi pagoi një shumë fikse për taksën e padisë prej 12,000 ALL (rreth 98 euro), sipas rregullave të brendshëm. Më 28 shkurt 2014, gjykata u vetëshpall jokompetente për shqyrtimin e padisë së  kërkuesit, duke pasur në konsideratë krijimin dhe veprimtarinë e gjykatave administrative dhe vendosi t’ia referonte çështjen Gjykatës  Administrative të Shkallës së Parë Tiranë (Gjykata e Shkallës së Parë). Shuma e kompensimit të pretenduar ishte 32,000,000 ALL (rreth 228,000 euro) dhe taksa e padisë që duhej të paguhej ishte 3 për qind i kësaj shume, që është 960,000 ALL (rreth 6,840 euro).

Më 6 janar 2015, kërkuesi, i cili ishte i papunë dhe jetonte me një pension mujor prej 8,000 ALL (rreth  57 euro), i kërkoi Komisionit Shtetëror për Ndihmë Juridike (KSHNJ) një formular aplikimi për të kërkuar   ndihmë juridike, në formën e përjashtimit nga pagesa e taksës së padisë, për shkak të varfërisë së tij. Kërkesa nuk mori përgjigje. Në  vijim të kërkesës së kërkuesit për t’u përjashtuar nga taksa e padisë, Gjykata e Shkallës së Parë, e rrëzoi këtë kërkesë gjatë një seance paraprake, në mbështetje të nenit 154/a të Kodit të Procedurës Civile (KPC) për moskorrigjimin e të metave të padisë. Më 20 nëntor 2014, përfaqësuesi i kërkuesit kërkoi një reduktim të shumës së kompensimit të pretenduar. Nuk   rezulton   që gjykata ta ketë shqyrtuar këtë kërkesë.

Më 20 janar 2015, Gjykata e Shkallës së Parë ia ktheu padinë kërkuesit pa ndërmarrë asnjë veprim,  duke deklaruar se ai nuk kishte korrigjuar të metat e padisë, më konkretisht shlyerjen e plotë të taksës së padisë dhe tarifave të ekspertit, brenda afatit të përcaktuar. Më tej, gjykata parashtroi se ligji për  taksën në fjalë nuk parashikonte në mënyrë eksplicite përjashtimin nga pagesa e taksës së padisë dhe  tarifat për ekspertët, edhe pse me anë të paraqitjes së dokumenteve mbështetëse, kërkuesi kishte  treguar se nuk mund të shlyente taksën e padisë. Më 26 janar 2015, kërkuesi apeloi këtë vendim…

Procedimi ka vazhduar me një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit që më 21 dhjetor 2017, pra 6 vjet nga depozitimi i padisë, që rekomandonte që:

të përcaktohej vlera e padisë dhe shuma e taksës së padisë që do të duhej të paguhej; të merrej një vendim i ndërmjetëm ku të përcaktohej se cila palë do të paguante kostot; dhe të orientohej kërkuesi që   të kërkonte ndihmë juridike në formën e përjashtimit nga pagesa e taksës së padisë, në mbështetje të  ligjit për ndihmën juridike të vitit 2008

Në këtë pikë Gjykata Europiane vëren se dëm ka shkaktuar edhe mosveprimi i Gjykatës së Shkallës së Parë e cila do të duhet që të zgjidhte çështjen juridikisht pas mospërgjigjes apo refuzimit të Komisionit Shtetëror, çka do të jepte fund pretendimit për të meta në padi. Situata bëhet qesharake në kulm kur në vitin 2018, Ministria e Mbrojtjes, nën drejtimin e socialistëve paraqet një ankesë në Gjykatën e Lartë e cila është unike pasi interpreton si korrekte vendimet e gjyaktës së shkallës së parë.

Më 22 janar 2018, Ministria e Mbrojtjes, e cila ishte në cilësinë e të paditurit gjatë procedimeve,  paraqiti një ankesë në Gjykatën e Lartë, për të cilën rezulton se procedimet janë ende pezull. Ankesa  nuk kundërshtonte mungesën e mjeteve financiare të kërkuesit, por theksonte se Gjykata e Shkallës së  Parë kishte interpretuar dhe zbatuar në mënyrë korrekte dispozitat përkatëse në lidhje me kërkesën e tij për përjashtim

thuhet në vendim.

Gjykata Europiane shkon më tej kur nënvizon se në themel të padisë së paditësit qëndron vonesa me 10 vjet e shqyrtimit të saj që përbën:

një kufizim të pajustifikuar të së drejtës për akses në një gjykatë

Qeveria e Shqipërisë që luan teatrin e dëmshpërblimit dhe dëshmorëve, ka deklaruar se pagesa paraprake e taksës së akteve “është imperative për të garantuar mirëfunksionimin e procesit gjyqësor dhe interesit publik”. Grotesku këtu kap majën e urrejtjes si forma e vetme që ky vend të quhet interesant për vetë faktin proces gjyësor NUK KA PATUR.  Jo vetëm kaq, por Gjykata Europiane ka konfirmuar se përpjekjet e paditësit janë penguar nga:

Efekti kumulativ i të metave në funksionimin e Komisonit Shtetëror për Ndihmën Juridike dhe hezitimi i dukshëm i gjyqtarëve vendas për të përjashtuar personat me mjete të pamjaftueshme financiare nga taksa e akteve…

Si rezultat, kërkuesi vijon të përballet me pasiguri, në lidhje me perspektivën që padia e tij për  dëmshpërblime paraqitur në vitin 2011(për vdekjen e së shoqes) të shqyrtohet në mbështetje të meritave. 

Aspektet e mësipërme janë të mjaftueshme për të bërë të mundur që Gjykata të arrijë në përfundimin se mosvlerësimi i vazhdueshëm i gjykatave vendëse i aspektit, nëse kërkuesi klasifikohet  për përjashtim  nga taksa e akteve ka cenuar thelbin e së drejtës së tij për akses në gjykatë

Është akt i pastër padrejtësie jo për keqgjykim, por për mosgjykim dhe injorim total të një individi nga një shtet që tashmë ka vetëm meritën të gjobitet nga shtetasit e vet sa të munden. Gjykata Europiane i ka dhënë z. Laçi të drejtë me një vendim unanim, dhe detyron shtetin shqiptar, apo qeverinë shqiptare të paguajë brenda 3 muajve 10 500 euro ndaj paditësit.

Ndërkohë padia e vitit 2015 nuk është shqyrtuar ende, diçka që mirëkuptohet me ekzistencën e Shqipërisë dhe një qeverie që shkon deri në Strasburg për t’u mbrojtur nga padia e një pensionisti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.