"Djali i mirë" i Kanadasë aktivizon Aktin e Emergjencës për të shtypur protestat

Postuar në 22 Shkurt, 2022 09:40

Kryeministri kanadez aktivizoi Aktin e Emergjencës, me të cilin synon t’u kundërpërgjigjet protestuesve të vetëquajtur Karvani i Lirisë. Kryeministri Justin Trudeau e çoi propozimin për aktivizimin e këtij ligji në Dhomën e Përfaqësuesve, ku mori mbështetjen e Partisë Liberale, NDP dhe aleatëve të tjerë, ndërsa u kundërshtua nga Partia Konservatore e Kanadasë (CPC) dhe Blloku separatist Quebecois (BQ).

Miratimi i masës është hapi i parë drejt konfirmimit të përdorimit të aktit, i cili i jep qeverisë kompetenca të konsiderueshme.

Akti i Emergjencës u aktivizua për herë të parë në historinë kanadeze për të ndaluar protestat e Karvanit të Lirisë në të gjithë vendin. Nëpërmjet këtij ligji të aktivizuar rishtas, Trudeau ka mundësinë të vërë nën kontroll protestat e kamionistëve që kundërshtojnë vaksinimin e detyruar si kusht për udhëtimet e tyre. Gjithashtu, përmes kësaj mase, u ngrijnë llogaritë bankare të gjithë protestuesve dhe detyrohen kompanitë e kamionëve të largojnë mjetet nga Otava, ku protesta u mbajtën për disa ditë me radhë.

Aktivizimi i Aktit të Emergjencës është kritikuar në masë nga grupet e lirive civile, si Shoqata Kanadeze për Liritë Civile (CCLA) dhe Shoqata e Lirive Civile të Ontarios (OCLA).

Por është kundërshtuar edhe nga vetë zyrtarë të lartë të shtetit. Qeveria e Albertës, e udhëhequr nga kryeministri konservator Jason Kenney, e ka kundërshtuar në gjykatë këtë akt, me argumentin se masat janë "disproporcionale" dhe "shkelin drejtësinë e natyrshme".

Për të hyrë plotësisht në fuqi, akti duhet të marrë miratimin e Senatit, ku debatet priten sot, sipas gazetës Toronto Star.

Trudeau, djali i ish-kryeministrit Pierre Trudeau, po përballet me reagime brenda dhe jashtë vendit për mënyrën sesi po përpiqet t’i vërë nën kontroll protestat. Ndër politikanët më të mikluar nga media, edhe për shkak të pamjes së tij, Trudeau duket se po kthehet nga “princi i Disney-t” në liderin që përdor forcën për të shtypur protestat. Aktivizimi i Aktit të Emergjencës bëhet pasi policia shpërndau në mënyrë të dhunshme protestuesit në Otava fundjavën e kaluar, duke arrestuar rreth 200 të tillë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.