Franca pezullon pasaportën e vaksinimit, detyrohet t’u kthehet masave  

Postuar në 04 Janar, 2022 11:55

Më pak se 100 ditë e ndajnë Francën nga zgjedhjet presidenciale. Pavarësisht se zyrtarisht ende nuk është shpallur si kandidat, presidenti aktual, Emmanuel Macron, edhe pse në krye të sondazheve që i japin avantazh për një mandat të dytë, duhet të përballet me një emergjencë të re: valën e pestë të koronavirusit, e nxitur fort nga varianti Omicron.

Macron përballet me një opozitë gjithnjë e më kritike sa i takon menaxhimit të krizës. Debati politik u nxeh në maksimum mbrëmjen e së hënës lidhur me ligjin e ri që qeveria ka çuar në Parlament për ashpërsimin e masave me të cilat synon të kontrollojë përhapjen e infeksionit.

Projektligji ka në qendër pasaportën e vaksinimit, e cila do të bëhet e detyrueshme për të pasur akses në restorante, kinema dhe trena. Ligjvënësit francezë nuk ranë dakord për projektligjin, diskutimi i të cilit u shty për një afat të pacaktuar.

Ndërkohë, një lëvizje e qeverisë franceze provon urgjencën që ajo ka për të mbajtur nën kontroll situatën shëndetësore, edhe pa vaksinimin e detyrueshëm. Një njësi monitorimi është ngritur për të  për të monitoruar nga afër pasojat e kësaj vale të pestë. Rreth kryeministrit, Jean Castex, u mblodhën ministra si Bruno Le Maire (ekonomi), Jean-Michel Blanquer (arsimi), Jean-Baptiste Djebbari (transporti), Olivier Véran (shëndetësia) ose Florence Parly (ushtria), raporton "Le Monde".

Në Francë janë të shumtë kritikët e pasaportës së vaksinimit, e cila sipas tyre cenon liritë civile, por ministri i Shëndetësisë Olivier Véran thotë se pas debatit për lirinë e supozuar fshihet egoizmi.

Forcimi i masave i ka zemëruar aktivistët kundër vaksinimit dhe disa deputetë thonë se ata kanë qenë subjekt agresioni, duke përfshirë raste vandalizmi dhe kërcënime të dhunshme. Projektligji i ri parashikon dënime më të rënda për ata që lëshojnë apo marrin pasaporta të falsifikuara vaksinimi. Nëse një qytetar kapet me një të tillë mund të përballet me pesë vjet burg dhe një gjobë prej 75 000 €.

Ligji i ri synon që pesë milionë francezët mbi 12 vjeç të cilët nuk janë vaksinuar ende, ta bëjnë vaksinën, pavarësisht se infeksionet po rriten me shpejtësi edhe mes të vaksinuarve.

Varianti Omicron i ka rritur rastet mesatare ditore në më shumë se 160 000 në ditë gjatë javës së kaluar, duke arritur edhe në mbi 200,000.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.