Nobelisti i Paqes që shpenzoi 1 miliard dollarë për armatim në 2020

Postuar në 30 Nëntor, 2021 16:58

Nga fillimi i vitit 2021, kryeministri etiopian ka shpenzuar të paktën një miliard dollarë për të blerë sisteme gjithnjë e më vdekjeprurëse, për një luftë që deri tani i ka kushtuar vendit 2.5-3 miliardë dollarë. Një nga “burimet” për armatim është Ankaraja. Në gusht, kryeministri Abiy Ahmed firmosi me Erdoganin një marrëveshje për furnizimin me dronë bombardues TB-2, të cilët përmbysën valën e konfliktit në Libi dhe u dhanë azerëve fitoren ndaj armenëve. Duket se Ankaraja, e etur për të galvanizuar "perandorinë e saj afrikane" të ringjallur, ka bërë një pakt të hekurt me agjencinë e spiunazhit etiopian Insa, së cilës dyshohet se i ka ofruar konsulentë dhe teknikë për të mbledhur të paktën 10 dronë në vend. Turqit garantuan trajnimin dhe pilotimin fillestar. Ata kanë një bazë gjigante ushtarake në Somali dhe specialistët e tyre udhëtojnë mes Mogadishu dhe Addis Adeba.

Shpesh armatimi i blerë hyn në Etiopi me avionët e linjës ajrore kombëtare. Po ashtu, rrugët ajrore e lidhin bazën ushtarake etiopiane të Harar Meda Chengdu me Kinën. Nëpër to, Pekini i dërgon aleatit municionin për dronët. Ushtria etiopiane është pajisur me dronë të përshtatur për lëshimin e granatave të mortajave, të cilat përdoren nga qeveria e Ahmed për të sulmuar në mënyrë terroriste civilët.

Kina, si partneri dhe kreditori i parë i qeverisë etiopiane, po trajnon oficerët e saj dhe po siguron gjithashtu artilerinë tokësore, duke ofruar raketa-hedhës të shumtë shkatërrues.

Por ndihmën më të madhe, Ahmedi e merr nga emirët e Abu Dhabit dhe Dubait. Nga gushti 2021 e deri më sot, më shumë se 100 fluturime mallrash të Fly Sky Airlines janë kryer përmes linjave ajrore etiopiane, duke transportuar pushkë snajper, kamionçina të blinduara, dronë dhe municione. Fly Sky, edhe pse me bazë në Emirate, ka një flotë avionësh mallrash të regjistruar në Ukrainë dhe Kirgistan.

Një mënyrë kjo për të anashkaluar trafikun. Dhe Ethiopian Airlines merr pjesë në transportin ajror "të armatosur". Kjo kompani po shkel të gjitha konventat ndërkombëtare, duke u kthyer në bashkëpunëtore në lojërat e Ahmedit dhe praktikat e tij të luftës. Për të forcuar aleancën në terren me eritreasit, Ahmedi i dha ushtrisë mike armë dhe municione që në fillim të konfliktit. Kjo është bërë përmes fluturimeve civile të linjës ajrore kombëtare, të cilat shpesh ndryshojnë rrugën e paracaktuar për të bërë një ndalesë në Massaëa dhe Asmara, shkarkojnë "dhuratat" dhe nisen për në destinacionin përfundimtar. Në rrugën me shumë devijime, avionët etiopianë mbyllin sistemet e identifikimit në bord dhe zhduken nga radarët përpara se të hyjë në hapësirën ajrore të Eritresë.

Ata kthehen në fluturime fantazmë, për t'u rishfaqur vetëm pasi kanë përfunduar “misionin”, siç raporton CNN. Në njërin prej fluturimeve të ndjekur nga televizioni amerikan ka pasur edhe bomba mortajash, me origjinë ruse, por të prodhuara edhe në Bullgari dhe Irak. Përfshirja e Sofies do të ishte serioze, sepse kjo do të thotë se një qeveri e një vendi të BE-së ka financuar regjimin etiopian për një luftë barbare. Për momentin, këto janë hipoteza që mbetet të verifikohen.

Etiopia u përfshi në një luftë civile në nëntor të 2020-s. Deri në atë moment, kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, lavdërohej për zellin e tij reformues dhe gëzonte respekt në komunitetin ndërkombëtar.

Në sytë e këtij të fundit, ai fitoi pikë sidomos pas mori çmimin Nobel për Paqen në tetor 2019 për dhënien fund të një konflikti 20-vjeçar me Eritrenë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.