Ndahet nga jeta ylli i kinemasë franceze, Jean-Paul Belmondo

Postuar në 06 Shtator, 2021 18:08

Aktori Jean-Paul Belmondo, një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë franceze të pasluftës, buzëqeshja karizmatike e të cilit ndriçoi ekranin për gjysmë shekulli, ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare në shtëpinë e tij në Paris.

Belmondo lë pas plot 80 filma. Belmondo u shfaq për herë të parë në ekran në vitet ‘50, por u bë i famshëm gjatë Valës së Re të dekadës pasuese, me rolet e tij në filmat "Pa frymë” dhe "Burri nga Rio".

Gjatë karrierës së tij 50-vjeçare, Bebel, siç njihet në Francë, ka punuar me regjisorët më të mirë francezë, nga Francois Truffaut dhe Jean-Luc Godard tek Claude Lelouch.

I lindur në prill 1933 nga një baba skulptor i famshëm dhe nënë piktore, Belmondo u rrit në Neuilly-sur-Seine, një periferi e pasur pariziane. Ai e kaloi fëmijërinë e tij në shkolla elitare, por ishte një nxënës i dobët, pasi preferonte sportet.

Në moshën 15 vjeç, ai filloi të merrej me boks, por u prek nga tuberkulozi dhe u detyrua të bënte një pushim. Më pas shfaqi interes për aktrimin. Ai dështoi dy herë në testimin për t'u futur në Akademinë prestigjioze Kombëtare të Arteve Dramatike, por përfundimisht ia doli në 1952.

Fillimisht, ai e nisi në teatër dhe në ekran u shfaq në 1958 nën regjinë e aspirantit të asaj kohe Godard, së bashku me Alain Delon, debutues edhe ai.

Pamja e tij jokonvencionale i dha mundësinë të luante me sukses role që nga ai i policit, hajdutit, priftit e deri te agjentët sekretë. Belmondo ishte njëkohësisht edhe një një atlet i talentuar.

Ndër dhjetëra filma të tij të shfaqur në Shqipëri, publiku e mban mend sidomos për rolin e Zhos profesionistit.

Të pasionuarit pas kinemasë e kanë cilësuar si një shartim i James Dean dhe Humphrey Bogart në një version francez.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, shkroi në Tuiter se ai do të mbahet mend si “Le Magnifique” (I Madhërishmi – sipas titullit të filmit).

"Jean-Paul Belmondo ishte një thesar kombëtar. Tek ai ne gjetëm veten”, shkoi Macron.

Ylli i kinemasë franceze lë pas tre fëmijë: Firence, Paul dhe Stella Eva Angelina. Ai ka humbur të bijën, Patricia më 1994.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

I pavdekshem!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.