Reliket e gjetura në Jordani hedhin dritë mbi ndryshimet e fushës magnetike në 10 mijë vitet e fundit

Postuar në 17 Gusht, 2021 16:07

Një studim që hedh dritë mbi ndryshimet që ka pësuar fusha magnetike e Tokës është kryer nga studiues të Universitetit të Tel Avivit, Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Romë dhe Universitetit të Kalifornisë, San Diego. Gjetjet e publikuara në revistën “Pnas” pasqyrojnë fushën magnetike në Lindjen e Mesme të 10 000 - 8000 vjet më parë.

Studiuesit ekzaminuan qeramikë dhe strall të djegur, të mbledhura në sajtet arkeologjike në Jordani, në të cilat u regjistrua fusha magnetike gjatë asaj periudhe kohore.

Artifaktet arkeologjike demonstruan se në një fazë të caktuar gjatë periudhës neolitike, fusha magnetike e Tokës u bë shumë e dobët (ndër vlerat më të dobëta të regjistruara ndonjëherë në 10 000 vitet e fundit), por u rikuperua dhe u forcua brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Studiuesit e konsiderojnë këtë një zbulim domethënës.

"Në kohën tonë, që kur matjet filluan më pak se 200 vjet më parë, ne kemi parë një rënie të vazhdueshme të fuqisë së fushës magnetike. Ky fakt krijon shqetësimin se ne mund të humbim fushën magnetike që na mbron nga rrezatimi kozmik dhe për këtë arsye, është thelbësore për ekzistencën e jetës në Tokë. Gjetjet e studimit e konfirmojnë që në të kaluarën kjo ka ndodhur. Rreth 7 600 vjet më parë, fusha magnetike ishte edhe më e dobët se sot, por brenda afro 600 vjetësh, ajo fitoi forcë dhe përsëri u ngrit në nivele të larta", thotë prof. Lisa Tauxe, e Universitetit të Tel Avivit.

Ajnshtajni e ka cilësuar fushën magnetike të planetit si një nga pesë misteret më të mëdha të fizikës moderne. Deri më tani, janë disa faktet që dihen për të. Fusha magnetike gjenerohet nga procese që ndodhin nën një thellësi prej afërsisht 3 000 km nën sipërfaqen e planetit (për krahasimi, shpimi më i thellë që ka bërë njeriu arrin në thellësi 20 km); mbron planetin nga rrezatimi kozmik, duke bërë të mundur vazhdimësinë e jetës; është e paqëndrueshme dhe forca dhe drejtimi i saj ndryshojnë vazhdimisht, dhe është e lidhur me fenomene të ndryshme në atmosferë dhe sistemin ekologjik të planetit, duke përfshirë - ndoshta – edhe një ndikim të caktuar në klimë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.