Mësimet e Meyer Lanskyt

Postuar në 12 Gusht, 2021 04:47

Një plak me buzëqeshje budiste që ecën i sigurtë në një plazh. 

Kështu mbyllet filmi “Lansky” i drejtuar nga Eytan Rockaway që sugjeron një lloj biografie për gangsterin e njohur hebre, Meyer Lanski. Emër shumë i njohur, historik madje i krimit të organizuar të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, më saktë një nga dy krenat e dyshes që hodhi themelet e organizimit në stil korporate të tij bashkë me Salvatore Lucanian, njohur si Lucy Luciano.

Në rolin kryesor Harvey Keitel që kërkon të rrëfejë historinë e “vërtetë të tij” ndaj shkrimtarit David Stone, luajtur nga Sam Worthington. Një karakter i dobët që sa më shumë zhvillohen ngjarjet aq më tepër merr pamjen e një studenti. 

Unë nuk mund ta ndryshoj të shkuarën time, por perceptimin mbi të -, thotë Lansky në një ndër dialogët me biografin e tij. Filmi në fakt ecën ngadalë, nuk ka spektaklin e asaj që pritet nga jeta e një gangsteri, sepse siç dihet Lansky shquhej për mendjen, jo për forcën. Dhe për vendimet e ftohta.

Sjellja me familjen, qëndrimi ndaj mikut të tij Bugsy Siegel, dëshira për të mbajtur lidhje shumëfishe – me shtetin amerikan, apo edhe atë izraelit, lidhja me Kubën – dhe sidomos raporti i tij i ndërlikuar me mikun Luciano – ofrojnë një profil të një njeriu me jetë shumë komplekse, por që diti të nxirrte konkluzionet bazike për të.

Unë mendoj se gjërat janë gri në jetë,- vijon Lansky. Ose sentenca përcaktuese: Kush humbet karakterin, humbet gjithçka.

Janë dy prej leksioneve të një mafiozi që shfaqet edhe si prind i dhembshur.

Filmi ka dashur të sjellë njerëzoren te gangsteri i njohur që padyshim pati dramat e veta. Por asnjëherë mëdyshjet. Por ai nuk zbulon misteret e Lanskyt. As të shumëpërfolurat para – 300 milionë dollarë – as brendinë e marrëdhënieve të përditshme mes mafiozëve, as intrigat e pushtetit. Por thjesht njeriun pas një pushteti shumë të madh që i dha formë një tipari të Amerikës. Që ishte ajo që ishte edhe sepse pranoi çdo ëndërrimtar, ambicioz dhe aventurier në rrugën e suksesit.

Nëse sheh filmin, kupton se Lansky e donte Amerikën, dha për të dhe mori prej saj. Por siç edhe deklaron, nuk e tradhëtoi atë.

Dashur pa dashur zbulohet një lloj kodi mes njerëzish që kanë bërë një kohë, e kanë jetuar atë nga “brenda” dhe si të thuash e kuptojnë më mirë, më ftohtë të vërtetën mizore të saj. Kjo Amerikë e shpëton edhe në fund Lanskyn teksa hetimi i FBI ndaj tij edhe përmes shkrimtarit Stoun, mbyllet nga levat e një pushteti ku Lansky aderoi me mënyrën e tij dhe që kështu e kuptojnë njëri-tjetrin.

Filmi ofron disa mesazhe morale një ndër të cilët është pikërisht ajo që pretendon Lansky: Korrigjimi i perceptimit të historisë që nuk mundet të gjykohet me metër dogmatik, por për atë që është dhe që ka qenë. Duke lënë mënjanë disa rrëshkitje sentimentale si ajo e bisedës së fundit mes Lanskyt dhe Siegel, filmi meriton të shihet edhe si një sprovë ndryshe, si një leksion për jetën, që mund të rroket më mirë në ngjyrat e veta përmes maturisë. Edhe pse Lansky mbetet sërish mister.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.