FMN “injekton” 650 miliardë dollarë në ekonominë botërore  

Postuar në 03 Gusht, 2021 13:28

FMN ka miratuar një fond prej 650 miliardë dollarësh për rritjen e likujditetit në tregjet financiare të globit, të prekura nga pandemia Covid-19. Vendimi për fondin në fjalë (rreth 456 miliardë SDR) u mor më 2 gusht 2021 dhe do të nisë zbatimin me 23 gusht.   

Shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva e cilësoi këtë një vendim historik. "Ky është alokimi më i madh i SDR në historinë e FMN -së dhe një “injeksion” për ekonominë globale në një kohë krize të paparë. Nga shpërndarja e SDR-ve do të përfitojnë nga të gjithë anëtarët. Fondi do të adresojë nevojën globale afatgjatë për rezerva, do të krijojë besim dhe do të nxisë elasticitetin dhe stabilitetin e ekonomisë globale. Do të ndihmojë veçanërisht vendet më të prekshme që luftojnë për të përballuar ndikimin e krizës COVID-19”, citohet Georgieva në faqen zyrtare të FMN-së.

Të drejtat e veçanta të tërheqjes (Special Drawing Rights – SDR) janë aktive shtesë të rezervës valutore që menaxhon Fondi Monetar Ndërkombëtar. SDR -të janë njësi të llogarisë për FMN-në, dhe jo monedhë në vetvete. Ato mund të konvertohen në monedhën e vendit anëtar që i përfiton.

Nga fondi i akorduar nga FMN-ja, rreth 275 miliardë dollarë amerikanë (rreth 193 miliardë SDR) do të shkojnë në tregjet në zhvillim dhe vendet në zhvillim, përfshirë vendet me të ardhura të ulëta.

Fondi ka lënë hapësirë që vendet anëtare, të cilat kanë pozicione të forta të jashtme të kanalizojnë vullnetarisht një pjesë të SDR-ve të tyre për të rritur huadhënien te vendet me të ardhura të ulëta përmes Fondit të FMN-së për Reduktimin e Varfërisë dhe Rritjen (PRGT).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.