Kur ecëm mbi dy këmbë*

Postuar në 22 Korrik, 2021 23:48
Intervistoi: Kevin Berger

 

Jeremy DeSilva është një paleoantropolog në Dartmouth College që është i specializuar në atë që quhet Locomotion. Pra aftësinë për të lëvizur duke e ndërlidhur atë me karakteristikat anatomike. Në këtë intervistë për Nautilus, ai flet për ndikimin që kapatur bipedalizmi në evolucionin e njeriut modern, apo drejt njeriut modern, duke sugjeruar se lëvizja mbi dy këmbë është në fakt një e dhënë paraprake dhe jo një tipar krejtësisht i ri. Sipas tij, njeriu aktual zhvilloi këtë karakteristikë për shkaqe mjedisore dhe ishte ky kushtëzim që solli ndikime marramendëse në evolcucionin e inteligjencës sonë, apo më mirë në themelimin e një inteligjence humane. Ndonëse një zhvillim joptimal dhe me probleme sa i përket ekspozimit në habitat, bipedalizmi kushtëzonte sipas DeSilvas një kulturë bashkëpunimi, duke ngulitur kështu një tipar domethënës për njeriun që i mundësoi atij mbijetesën e me gjasë edhe dominimin më vonë të planetit. Por evolucioni nuk e ka thënë fjalën e fundit dhe nëse ky zhvillim kishte shkaqe rrethanore objektive, kjo do të thotë se ne jemi këtu jo si e vetmja rrugë, por si një ndër mundësitë.

***

Cilat janë shpjegimet shkencore më të përhapura dhe më të gabuara për arsyen pse njerëzit ecin me dy këmbë?

Me zbulimin e të dhënave të reja, ne përherë ndryshojmë mendjen tonë. Apo jo? Por një ide e gabuar që mbetet mes nesh – baza e filmit “2001: Një Odise në Hapësirë” – është ajo sipas së cilës ne ishim një specie e dhunshme e cila që nga fillimi dhe evoluoi drejt bipedalizmit për të çliruar duart për përdorimin e armëve. Ishte bazuar në keqinterpretimin e fosileve të zbuluara në një sit të quajtur Makapansgat në Afrikën e Jugut. Kockat supozohej se ishin masakruar nga duart e Asutralopithecus. Më vonë rezultoi se ato ishin mbetje që ishin konsumuar nga hienat. Ka edhe një ide tjetër të përhapur sipas së cilës ne evoluuam drejt bipedalizmit për të parë mbi barin e lartë. Tani, ta themi hapur, nëse sheh mbi barin e lartë dhe vëren një bishë, gjëja më e keqe që mund të bësh është të vraposh mbi dy këmbë.  Ne ishim shumë të ngadaltë. Do të kishte kuptim që të vrapoje mbi të katërta këmbët, sepse mund të rendësh me dyfishin e shpejtësisë së një njeriu tipik, apo jotipik, një njeriu të veçantë.

Pra edhe Usain Bolt do ta kishte ngrënë?

Po. Edhe ai. Edhe njeriu më i shpejtë që mund të imagjinojmë, ndoshta më i shpejti që ka jetuar ndonjëherë, është në mënyrë patetike më i ngadaltë krahasuar me kafshën tipike katërkëmbëshe që rend në savanën Afrikane. Usain Bolt arrin në rreth 28 milje/orë. Kjo është gjysma e shpejtësisë së një zebre në vrapim, antilope, leopardi apo luani.

Për mua, zbulimi kryesor në kërkimin tuaj është ai se ne nuk evoluam nga homininë që ecnin me katër këmbë. Ne evoluam nga ata që ecnin tashmë me trupin drejt.

Kjo është me të vërtetë një çështje e nxehtë në fushën tonë dhe ajo është e ndarë mbi këtë dhe do të isha tërësisht gabim; do të shohim teksa gjejmë më shumë fosile. Por interpretimi im nga periudhat kyçe kur bipedalizmi ishte shfaqur është se majmunët nuk po lëvizin me nyje. Ata nuk janë të përshtatur për jetën në tokë. Në të vërtetë ata janë lart, në pemë, duke lëvizur në mënyrë bipedale me ndihmën e duarve, pak a shumë si një orangutang, gibon apo siamang tani. Ne i quajmë “më pak majmunë” dhe ata lëvizin bipedalisht shumë. Ajo që është intresante është se kyç-ecësit, gorillat dhe shimpazetë nuk lëvizin bipedalisht shumë shpesh.

Ne kemi gjetur fosile, kryesisht nga Europa Jugore, ku majmunët shfaqet të kenë një qëndrim të trupit që është më tepër drejt. Çfarë është e lezetshme është mundësia që ecja me nyje ka gjasë të jetë lëvizja e evoluar më së fundmi. Imazhi i një shimpazeje që ngadalë kthehet në njeriun që shohim me T-shirt dhe filxhanë kafeje, apo që vendos imazhe në parakolp makine mund të mos jetë i vërtetë. Mundet fare mirë të jetë që paraardhësi i përbashkët ishte më tepër me trupin e drejtë dhe se shimpazetë dhe gorillat evoluan në ecjen me nyje në mënyrë të pavarur.

Imazhi i famshëm quhet “Marshi i Progresit”. Na tregoni rreth tij.

Marshi i progresit” ishte një ilustrim i realizuar nga një artist rus, Rudolph Zallinger, në një libër të quajtur “Njeriu i hershëm”. Është kjo fletëpalosje e bukur që tregon majmunin e hershëm që qëndron në katër këmbë dhe i ngre ato ngadalë drejt qëndrimit të njeriut modern. Në atë kohë, me fosilet që kishim në dispozicion, mund të krijoje një narrativë të tillë. Por në gjysmën e fundit të shekullit ne kemi bërë kaq shumë zbulime të mahnitshme që na tregojnë se pema e familjes njerëzore është shumë më e larmishme. Ritmi i ndryshimit evolucionist është i ndryshëm dhe rezulton se ecja drejt ishte një ndër ndryshimet më të hershme evolucionare. Dykëmbëshit më të hershëm në tokë po evoluonin nga diçka që ishte bidepale nëpër pemë. E gjitha çka ndodhi ishte një ndryshim ekologjik. Këta homininë po jetonin në mjedise që kishin përherë e më pak pemë. Për të vazhduar lëvizjen nga pika A në pikën B për të kapur frutat dhe burime të tjera ushqimore, ju jeni tanimë i pre-adaptuar për një qëndrim të drejtë dhe lëvizjen mbi dy këmbë. Në atë rast, bipedalizmi nuk do të përbënte një lëvizje të re, por të vjetër. Ishte vetëm një pozicionim i ri mbi tokë, më tepër sesa në pemë.

Nëse bipedalizmi na bën të ngadaltë, pre të lehtë, pse nuk u zhdukën paraardhësit tanë? Pse ne jemi këtu?

Është një pyetje e madhe. Cilat janë avantazhet e çlirimit të duarve? Ne mund të bartim objekte – ushqime dhe fëmijë. Këto janë gjithashtu adaptime termo-rregullatore. Duke qenë mbi dy këmbë më tepër sesa mbi katër, mund ta shpërndash më mirë nxehtësinë. Ndoshta këto gjëra u shndërruan në faktorë që na mundësuan të mbijetojmë.

Cili është tipari adaptiv më përfitues i ecjes drejt për homininët e hershëm?

Nuk e di. Do të isha kundër me çdo karakterizim që thotë se ishte një arsye. Nëse kishte aty ndonjë arsye, ne nuk e dimë. Kjo është e qartë. Në fakt, bipedalizmi mund të ketë evoluuar pavarësisht në homininë të ndryshëm në Afrikë. Me fosilet që kemi, ekziston mundësia e paprovueshme që kjo nuk ndodhi njëherë. Nëse kemi mësuar diçka rreth prirjeve evolucionare, është se idetë e mira evoluojnë përherë. P.sh evolucioni i pendëve dhe dinosaurëve ndodhi tri herë në mënyrë të pavarur. Mund të kemi pra evolucionin e pavarur të bipedalizmit disa herë.

Është një përshkrim i pasaktë, apo jo, të mendosh se ka ekzistuar vetëm një hominin në atë kohë?

Është. Një nga gjërat që kemi mësuar nga zbulimi i fosileve të reja është se duket të ketë patur specie të ndryshme të njeriut të parë, aop homininit, që bashkëjetonin në peizazhin e atëhershëm me anatomi dhe adaptime të ndryshme në këmbët dhe duart e tyre. Ata do të kenë ecur shumë ndryshe nga njëri-tjetri. Një shembull klasik është sepcia e Lucyt, Australopithecus afarensis, që ka jetuar rreth 3.5 milionë vjet më parë, e përhapur nga Etiopia në Tanzani.

Pak vjet më parë një koleg imi, Yohannes Haile-Selassie, zbuloi pjesë të një skeleti këmbe në Etiopi, në sedimente që datonin në të njëjtën erë si Lucy. Pritmëria ishte se kemi të bëjmë me një këmbë nga specia e Lucyt. Por specia e Lucyt nuk kishte një gisht të madh kapës, kurse kjo kishte. Ka edhe pjesë të tjera të anatomisë kockore që janë konsistente me shtytjen mbi dy këmbë nga toka. Pra ne kemi diçka që ecën mbi dy këmbë, por me ecje shumë të ndryshme nga mënyra sesi Lucy dhe lloji i saj ecte.

U them përherë studentëve të mi sesa qejf do të ishte të kërceje me një makinë kohe në Afrikë, 3 apo 4 milionë vjet më parë. Do të shihje të gjitha këta lloje të ndryshme homininësh që bashkëjetonin mbi të njëjtin peizazh, duke ngrënë gjëra të ndryshme dhe që lëviznin në mënyra lehtësisht të ndryshme.

Ju shkruani se jeta e Lucyt do ketë qenë e vështirë. Si kështu?

Imagjinoni se ju jeni kafsha më e ngadaltë në mjedisin tuaj. Jeni i vogël. Lucy ishte rreth 1 m e gjatë, një australopithecus i rritur tërësisht. Nuk do të mund të shkonte më shumë. Kockat e rritjes ishin rrafshuar, dhëmballët e pjekurisë kishin dalë. Dhe ajo e ndan peizazhin me një Homotherium, një mace e madhe dhëmbëdrapër. Këto ishin paraardhëse të hienave dhe ishin të stërmadha. Disa ishin paraardhëse të leopardëve dhe luanëve. Të gjitha këto do ta kishin ngrënë me kënaqësi një Australopithcus. Në fakt, ne kemi disa fosile me shenja shpimi në pjesën e pasme të kokës. Ne e dimë që ato janë ngrënë.

Lucy do jetë zgjuar në një pemë. Vetëm kështu mund të shpëtosh pa u ngrënë gjatë natës. Ajo do të duhet të priste teksa macet e mëdha mbaronin vaktin e tyre atë natë. Dhe ajo do të ketë qenë e uritur. Për të ngrënë, grupi i saj do të duhet të zbriste nga pemët. Por nëse jeni një bipedal, nuk mund ta mbash fëmijët tënd në shpinë. Fëmija duhet të rrëshqasë vetë.

Të vegjlit e shimpazeve dhe babuinëve kapen në pjesë e parme ose në qafën e nënave të tyre. Të jesh me trupin drejt do të thotë që na duhet të transportojmë fizikisht fëmijët tanë. Kështu tani Lucy po transporton fizikisht fëmijën e saj. Tani, në krahët e saj ajo po mban këtë ushqim të vogël mishi, i tillë për çdo mishngrënës dhe ajo ka nevojë të gjejë ushqim për veten në një mjedis të mbushur me gjahtarë. Dhe megjithatë, ajo mbijetoi. Çfarë testamenti i shkëlqyer për qëndresën e paraardhësve tanë! Mbijetesa e tyre është arsyeja pse jemi këtu.

Cilat janë tiparet kyç të mbijetesës së Lucyt?

Nëse jeton në një grup të përbashkët, siç mendoj se jetonin homininët e hershëm, ti ndan ushqimin. Ti ia jep atë të afërmve, fëmijëve të tu dhe të tjerëve në grup që mandej bëjnë të njëjtën gjë. Kjo ndërton besimin dhe një kulturë bashkëpunimi është themelore për mbijetesën. Për mua, e vetmja rrugë për mbijetesën e homininëve përgjatë këtyre milionë vjetëve jetese në një mjedis mbushur me gjahtarë është që ata të kujdeseseshin për njëri-tjetrin dhe të ishin hiperbashkëpunues.

Si e dinë paleoantropologët nëse homininët e hershëm ishin bashkëpunues?

Një nga të dhënat më të mira që kemi është një fosil i një individi me këmbë të thyer, konkretisht femurin. Kjo është kohë para spitaleve, doktorëve, allçisë dhe gjërave të tilla. E bukura e këtij fosili është se mund të shohësh një frakturë të shëruar. Imagjinoni 2 milionë vjet më parë, ti thyen këmbën. Nuk ka rrugë që të mbijetosh. Por një hominin ia doli. Fjala kyç është shërimi. Ai i mbijetoi traumës. Nuk mendoj se mund ta ketë bërë një gjë të tillë vetëm.

A çoi bipedalizmi drejt bashkëpunimit?

Mendoj se po. Ne mendojmë rreth njerëzve që kanë evoluuar nga diçka që ngjan shumë me shimpazenë dhe shimpazetë mund të jenë në mënyrë të pabesueshme agresive dhe të dhunshme. Por ne jemi po aq të lidhur me bonobot – shimpazetë xhuxhe – që nuk janë të dhunshme apo agresive. Ato janë një specie ku dominon femra dhe nuk manifestojnë të njëjtën sjellje territoriale si shimpazetë. Tani ne nuk kemi evoluuar nga asnjë prej këtyre të dyjave. Ata janë kushërinjtë tanë. Ne ndajmë të një njëjtin paraardhës me to. Por ato ofrojnë një pasqyrë interesante përmes së cilës ne mendojmë rreth vetes dhe për atë sesi dukej paraardhësi ynë i përbashkët.

Ne e dimë të gjithë sesa i keq mund të jetë njeriu për njeriun. Kjo është e sigurtë. Por anashkalojmë faktin se njerëzit janë jashtëzakonisht bashkëpunues me njëri-tjetrin, tolerantë, të sjellshëm, ndihmues dhe empatikë. Për mua, ajo çfarë u lejoi majmunëve të mbijetojnë për miliona vjet në një peizazh të vështirë dhe pa armë, ishte kujdesi për njëri-tjetrin. Ne u kujdesëm për njëri-tjetrin, i kishim shpatullat të sigurta. Nëse dikush lëndohej, ne e ndihmonim atë të hipte mbi një pemë.

Ndoshta është më mirë të thuhet se bashkëpunimi është efekt anësor i të qenit një dykëmbësh vulnerabël?

Kjo është e saktë. Një majmun dy këmbësh dhe që nuk është i shkathët në pemë - ja një recetë për zhdukjen. Por ja ku jemi. Diçka na lejoi që të kalojmë përmes atyre shtrëngesave të seleksionimit natyral. Dhe ai është bashkëpunimi. Një nga shembujt e parë është lindja e fëmijëve. Në majmunët jo-njerëzorë, lindja është relatibvisht e lehtë. Fëmija zakonisht është me kokën para, drejt barkut të nënës, kur lind. Por te njerëzit, për shkak të ndryshimeve të legenit që lidhne me lëvizjen mbi dy këmbë, një fëmijë duhet të rrotullohet përgjatë kanalit të lindjes dhe të përfundojë duke lindur me fytyrën të kthyer në shumicën e rasteve. Dhe kjo kërkon ndihmë. Një nga gjërat universale të kulturës njerëzore është dhënia e ndihmës gjatë lindjes, zakonisht në formën e një gruaje të moshës së mesme. Nëse i beson dikujt, një tjetër anëtar të grupit tënd, përgjatë lindjes së fëmijës, atëherë do t’i besosh ata edhe herë të tjera.

Si çoi bipedalizmi në zhvillimin e trurit?

Ky është paksa spekulative. Ne nuk jemi plotësisht të sigurt. Darvini hodhi hipotezën se bipedalizmi, përdorimi i mjeteve, zvogëlimi i dhëmbit të qenit dhe madhësia e trurit evoluojnë në mënyrë të përbashkët. Mund t’i gjesh idetë e Darvinit në ilustrimin "Marshi i Progresit". Ndërsa bipedalizmi po përsoset, truri po rritet. Por kjo nuk është në përputhje me provat. Në vend të kësaj, ne zbulojmë se bipedalizmi daton në origjinën e prejardhjes. Madhësia e trurit nuk rritet deri kohë më vonë. Rreth 2 milion vjet më parë, ne nisëm të shohim një rritje reale në madhësinë e trurit. Truri i Australopithecus bëhet pak më i madh se i paraardhësve të tyre, por jo si ai që shohim në llojin homo. Ky hap në rritje ka të bëjë me marrjen e energjisë së mjaftueshme për të mbështetur këtë organ energjikisht të kushtueshëm, pra trurin.

Energjia është një lojë me shumë zero, apo jo? Ka një sasi të caktuar energjie në dispozicion dhe trupi e alokon atë në organet që kërkojnë më shumë?

Është e drejtë. Një nga hipotezat për rritjen e trurit rrjedh nga ajo që quhet "hipoteza e indeve të shtrenjta". Energjia i ndahet trurit, por nga po e merr atë energji? Argumenti është sistemi i tretjes. Në thelb, zorrët zvogëlojnë vëllimin dhe duke zvogëluar atë ind që harxhon shumë, mund të alokohet më shumë energji në një tru më të madh. Por nëse e bën këtë, nuk je më në gjendje të tretësh edhe bimët, përveçse nëse i gatuan ato. Pra, duket se ekziston kjo marrëdhënie midis diversifikimit të dietës sonë, ngrënies më shumë të mishit dhe palcës. Zjarri gjithashtu luan rol, sepse mund të gatuash. Të gjitha këto e nxitën rritjen e trurit.

Ku hyn bipedalizmi në të gjithë këtë peizazh?

Bashkë me këtë, ne shohim një rritje në gjatësinë e këmbës. Ne fillojmë të shohim një hark në këmbë që i ngjan gjithnjë e më shumë njeriut. Është pothuajse sikur këto ndryshime përfundimtare ta bënin bipedalizmin edhe më efikas dhe të na lejonin të udhëtonim në distanca më të mëdha, të zgjeronim gamën e atyre që i quajmë shtëpi. Duke bërë këtë, ia dolëm të nxirrnim më shumë burime nga mjedisi ynë. Ne mund të hanim kafshë dhe bimë nga një rreze më e madhe.

A ka kontribuuar bipedalizmi që njerëzit të jenë omnivorë?

Unë mendoj se po. Ne mund të themi, nisur nga dhëmbët e paraardhësve tanë më të hershëm, se ata hanin gjëra në një mjedis të pyllëzuar. Ata hanin fruta dhe gjethe, zakonisht ato që do të hante një majmun. Por kur arrin tek Australopithecus, koha e Lucy-t, ka një ndryshim të madh në profilin e izotopeve. Ata tregojnë se Lucy filloi të hante gjëra të ndryshme në mjedise të ndryshme. Kjo do të thotë se kalonin më shumë kohë në tokë sesa në pemë për të siguruar ushqimin e tyre.

Mos harroni, jeta e Lucy-t ishte e vështirë. Ajo nuk kishte mundësi të ishte një ngrënëse e zgjedhur. Ajo nuk kërkonte pa fund për atë gjë që dëshironte. Kishte grabitqarë kudo. Atë mund ta hanin dhe fëmijën e saj gjithashtu. Asaj i duhet të hante çdo gjë. Ajo i duhej të hante barëra, gjethe dhe fruta. Ndoshta mund të gjente një kufomë me pak mish të lënë në të dhe mund ta hante. Ajo mund të gërmonte për zhardhokët nëntokësorë dhe t'i përdorte ato. Insektet, termitet, zogjtë, vezët, hardhucat, kërmijtë — mund t’ua vini vetë emrin, ajo i hante. Edhe njerëzit e bëjnë këtë sot.

Unë mendoj se kjo rrëzon dietat e modës që thonë se ne duhet të hamë një lloj ushqimi të veçantë sepse paraardhësit tanë të hershëm e bënin.

Sa herë që dikush më pyet për dietën Paleo, unë i them: “Për cilën popullsi po flisni? A po flisni për njerëzit që jetonin në Azinë Veriore, njerëzit që jetonin në Evropë, njerëzit që jetonin në Afrikë në një mjedis kullotash, njerëzit që jetonin në një rajon të pyllëzuar, njerëzit që jetonin në brigje?".

Gjatë Paleolitit kishte dieta ushqimore shumë të ndryshme, në varësi të popullatës njerëzore për të cilën po flasim. Kjo sepse njerëzit janë fleksibël në dietë. Ne mund të hamë gjithçka. Në ato habitate të ndryshme, ne hëngrëm gjithçka. Nuk ka një dietë të përshtatshme për të gjithë njerëzit.

Jemi në vitin 2021, natyrisht që jetojmë në një botë krejt tjetër, krejt ndryshe nga ajo e paraardhësve tanë homininë. Pse nuk i përshtatet bipedalizmi jetës bashkëkohore?

Unë dëmtova shpinën disa javë më parë dhe nuk mund të ecja. Mesin e kemi problem. Shumica e gjitarëve lëvizin në katër këmbë dhe shtylla kurrizore e tyre është horizontale, ajo funksionon si një urë pezull. Duke qenë në dy këmbë, ne e kemi të kthyer në pozicion vertikal, një ide e keqe. Dhe për t'u siguruar që trungu është i orientuar mbi ijet dhe që të gjitha nyjat tona janë të drejtuara dhe të ekuilibruara, ka një kurbë që futet në shpinë. Një koleg i imi, Bruce Latimer në Universitetin Case Ëestern Reserve, i referohet kësaj si një seri filxhanësh dhe pjatash. Aq e paqëndrueshme është shtylla kurrizore. Ne jemi një nga të paktët gjitarë që zhvillojnë skoliozë.

Pastaj është makthi i vërtetë: këmba. Nëse do të sfidonit një inxhinier për të hartuar një strukturë që duhet të jetë mjaft e përshtatshme për të thithur forca nga toka, por pastaj mjaft e ngurtë për të ushtruar forcë mbi tokën, dhe ndoshta edhe mjaft elastike që të mund të thithë pak energji kur e bën këtë, gjëja e fundit që ata do të bënin është ta bëjnë atë nga 26 pjesë. Dhe këmba jonë ka 26 kocka të veçanta. Midis dy këmbëve, ne kemi 52 kocka, që është një e katërta e skeletit. Një e katërta e skeletit njerëzor përbëhet nga kockat e këmbëve. Pse? Kjo sepse jemi majmunë të modifikuar dhe majmunëve u duhen të gjitha ato eshtrat e këmbëve për t'u kapur në pemë; ata i përdorin këmbët e tyre në të njëjtën mënyrë si ne i përdorim duart. Duke evoluuar drejt bipedalizmit, seleksionimi natyror mund të funksionojë vetëm me forma para-ekzistuese. U nis nga këmba e majmunit. E shoh si shirit ngjitës dhe kapëse letre që përdoren së bashku për të rregulluar dhe forcuar këtë këmbë. Dhe është mjaft e mirë, apo jo? Ne jemi këtu dhe mund të lëvizim nga pika A në pikën B. Por evolucioni nuk kujdeset për komoditetin, dhe kështu kemi shumë probleme.

A ka ndonjë mesazh më të madh për biologjinë evolucionare në problemet tona anatomike?

Po, dhe kjo na kthen te ajo që po flisnim më parë. Njerëzit e mbrojnë veten me kulturën. A po funksionon akoma përzgjedhja natyrore tek njerëzit? Absolutisht. Ka funksionuar për 6 milionë vitet e fundit. Anatomia jonë e këmbës mund të jetë jooptimale dhe të çojë në probleme. Por ne i zgjidhim problemet tona kulturalisht dhe si shoqëri. Fatmirësisht, ne nuk po i lëvizim gishtat e mëdhenj dhe të presim përzgjedhjen natyrore që t'i ndryshojë.

*Përkthimi dhe titulli: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.