Ku na shkuan kalatë dhe sarajet?

Postuar në 19 Korrik, 2021 17:00

Fotoja përbri është postuar në Facebook nga një shoqatë që trajton historikun e Sarandës dhe shoqërohet me këtë teskt:

Sarande 1851, pejsash nga Edward Lear.

Ne plan te pare eshte Kalaja e Sarandes me 24 kulla e cila ekzistonte deri ne vitet 20 -te te shekullit te kaluar

Pra në vitin 1851 në Sarandë, aty ku sot është ajo që gjëja që e quajnë qytet, qenkësh një kala me 24 kulla që ka ekzistuar deri në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Pra deri nga vitet 1920. Do shkuar e do lexuar për saktësinë e informacionit, por shenjat e murit janë edhe sot në qytet. Ajo çfarë të bën përshtypje është fakti sesi u zhduk një kala e tërë. Apo një mur rrethues i një qyteti? Qoftë ai edhe me 5 kulla, e jo me 24.

Cila intuitë, kod, etikë, ide arkitektonike e hodhi këtë karabina historike për ta bërë shesh mbi të cilin ngrihen sot ato hoje malinje urbanisitike?

Çështja shkon përtej Sarandës, mbulon të gjithë Shqipërinë, një vend ku nuk ka gjurmë arkitektonike të vijimit të komuniteteve në një zonë. Po të heqim kalatë me funksion ushtarak që janë ruajtur nga zotërit e kohës, mund të pyesim: ku janë banesat, ku janë limanet, ku janë sarajet e atyre pashallarëve që shisnin gjenealogji lloj llojëshe? Ku jetonin këta njerëz dhe si shpjegohet rrënimi, madje asgjësimi, shuarja nga faqja e dheut e të gjithë asaj trashëgimie?

Nëse sheh në vendet fqinj, aty muret e vjetra të qyteteve janë ende, nuk alienohen. Zonat e reja zhvillohen jashtë këtyre qyteteve. Në Shqipëri mesa duket ka një praktikë që e dëshmuam edhe ne si brez: prish apo uzurpoi atë që është dhe rindërto si të vijë për mbarë. Dhe ja ku jemi përballë apo sipër një vendi që nuk I shëmbëllen asnjë tjetri në aspektin e urbanistikës. Të cilin e jetojmë me përditmërinë e vet dhe nuk e gjurmon dot kush as në të shkuarën e afërt,

Një vendi që me kaosin e vet ushtron fshirjen e historisë, fshirje të cilën e legjitimon si normale vetëm Natyra si forcë madhore. Por edhe budallallëku apo marrëzia duhen konsideruar forcë madhore sa kohë dëmin e kanë po aq kolosal sa Natyra që të paktën vepron në mënyrë neutrale. Rasti i vendit tonë nuk ka të dytë as me vendet fqinj, ku identifikohen gjurmë qendrash banimi të vjetra dhe ku urbanizimi, edhe ky i tanishmi, i përgjigjet një logjike kohezive dhe hapësire të caktuar në territor. Ndryshe me ne ku ke rast ta shohësh galaktikën e dritave të zvjerdhura të banesave nga avionic, pa kuptuar dot se kur ka qenë big bangu i saj. Sepse ndoshta ashtu ka qenë në përherësi.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.