Përplasje ligjore mes BE-së dhe Gjermanisë

Postuar në 13 Qershor, 2021 22:00

Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Gjermanisë, pas një vendimi që ka dhënë Kushtetuesja në këtë vend në lidhje me blerjen e bonove. Në maj të vitit 2020, gjykata më e lartë e Gjermanisë, me seli në Karlsruhe, vendosi që Banka Qendrore Evropiane (BQE) kishte tejkaluar kompetencat së saj me blerjet e bonove.

Por Gjykata Evropiane e Drejtësisë ndërkohë i kishte hapur dritën jeshile blerjes së bonove nga BQE-ja, pasi kishte dalë në përfundimin se programi i blerjes së obligacioneve të BQE ishte në përputhje me ligjin e BE.

Vendimi i Kushtetueses gjermane vë në pikëpyetje jo vetëm vendimin e gjykatës së lartë të BE, por edhe të ashtuquajturin "parimi i përparësisë së ligjit të BE" - i cili thotë se në rast të një konflikti midis ligjit të BE dhe ligjit të vendeve anëtare, prevalon ligji i BE-së.

Një vit pas këtij vendimi, komisioni i dërgoi një letër njoftimi zyrtar Berlinit për "shkelje të parimeve themelore të ligjit të BE". Gjermania ka dy muaj kohë për t’iu përgjigjur kësaj letre.

Njoftimi në mënyrë zyrtare është hapi i parë i asaj që në BE njihet si procedurë shkeljeje. Nëse komisioni arrin në përfundimin se Berlini nuk i ka përmbushur detyrimet e tij sipas ligjit të BE, çështja mund të shkojë në gjykatën e lartë të BE dhe procedurat mund të zgjasin me vite.

Vendimin e Kushtetueses gjermane, Komisioni Europian e ka cilësuar "një precedent serioz" si për praktikën e ardhshme të vetë gjykatës gjermane, ashtu edhe për gjykatat e vendeve të tjera anëtare.

"Kjo mund të kërcënojë integritetin e ligjit të BE dhe mund të hapë rrugën për një" Evropë vetëm në letra"”, citohet nga Euobserver një zëdhënës i komisionit.

"Bashkimi Evropian është dhe mbetet një komunitet i bazuar në ligj dhe fjala e fundit e ligjit të BE thuhet në Luksemburg," shtoi ai.

Vendimi i gjykatës gjermane mund t’i japë zemër Hungarisë, Polonisë dhe vendeve të tjera anëtare që duan të sfidojnë parimin e përparësisë së ligjit të BE.

Por tani Komisioni ua bën të qartë këtyre vendeve që mosrespektimi i ligjit të BE nuk do të pranohet thjesht në Bruksel.

Nisja e një procedure shkeljeje nuk do të prishë vendimin e gjykatës, por ajo e vë qeverinë gjermane, e cila nuk ka kontroll mbi gjykatën ose bankën e saj qendrore, në një situatë të vështirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.