Covid-19/ Teste fiktive edhe në Gjermani

Postuar në 30 Maj, 2021 16:29

Duket se as Gjermania nuk është imune ndaj mashtrimeve që lidhen me pandeminë. Në shtetin më të fuqishëm të Europës, qendrat e testimit për Covid-19 kanë nisur të “mbijnë” gjithandej. Përveç farmacive dhe mjekëve, testet mund të kryhen edhe në pika të tilla të vendosura në qendrat tregtare, parkingje pranë tyre, në klube nate ose në kontejnerë të thjeshtë pranë stacioneve të trenit.

Testimi masiv është parë si një nga përparësitë dhe mekanizmat kryesorë në luftimin e pandemisë.

Por një investigim i kryer nga një grup gazetarësh të "Süddeutsche Zeitung" zbuloi se shumë prej këtyre testeve ishin fiktive. Në një qendër në Këln, gazetarët numëruan 70 teste të kryera në një ditë, ndërkohë që kompania që qëndron pas kësaj qendre provash i raportonte shtetit 1 000 teste brenda ditës, raporton DW. Motivi është para së gjithash përfitimi financiar. Qeveria gjermane paguan 18 € për çdo test, që për qytetarët është falas. 

Raste të ngjashme u zbuluan edhe në qendrat në Essen dhe Münster.

Ministria e Shëndetësisë ka nisur një hetim pas raportimit të këtyre rasteve.

"Pavarësisht nëse janë maska ​​apo teste - kushdo që përdor pandeminë për t'u pasuruar në mënyrë kriminale, duhet të turpërohet", tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Prokuroria e Shtetit për Krimin Ekonomik ka nisur një hetim kundër dy drejtuesve të një kompanie në Bochum, ku janë lëshuar dokumente për teste që në fakt nuk janë bërë kurrë.

Ministria e Shëndetësisë tani do të kryejë "kontrolle të rastësishme". Pas raportimit të rasteve, ajo i ka detyruar kompanitë që kryejnë testet ta mbajnë dokumentacionin deri në vitin 2024.

Zyra Shëndetësore e Këlnit ka frikë se ky është vetëm "maja e ajsbergut", pasi deformon situatën reale të pandemisë në Gjermani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.