Migrimi i ligjshëm mund të ndihmojë me planet e rimëkëmbjes së BE-së

Postuar në 27 Maj, 2021 15:41
Intervistoi: Yannis Palaiologos

 

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli shprehet në një intervistë për “Kathimerini” se përgjigja e BE-së ndaj pandemisë përbën një moment afirmimi të forcës reale të unionit. Sipas tij migrimi i ligjshëm do të ndihmonte në planet e rimëkëmbjes ekonomike të bllokut.

Cili është reagimi Juaj rreth ngjarjeve që ndodhën të djelën me fluturimin e kompanisë Ryanair që e detyruan të ulej në Bjellorusi? Çfarë mendoni për përgjigjen e KE-së?

Është një incident shumë serioz. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm e disidentit bjellorus dhe shoqëriueses së tij. ne mirëpresim vendimet për sanksionet ekonomike dhe listat e reja të zyrtarëve bjellorusë të përfshira në to, për ndalimin e udhëtimeve mbi Bjellorusi dhe ndalimin e Belavia dhe linjave të tjera ajrore bjelloruse nga qarkullimi në hapësirën e vendeve anëtare të BE-së. Ne nuk duam që BE-ja të jetë një tigër prej letre. Ky është një incident që përshkallëzon tensionet , sidomos nëse konsiderojmë se kishte disa qytetarë rusë në atë incident.

Besoni se Rusia duhet të përfshihet në kuadrin e përgjigjes europiane ndaj incidentit?

Ne duhet të përqendrohemi tek autorët e incidentit. Është e qartë se përgjegjëse janë autoritetet bjelloruse.

Jeni i kënaqur me atë çfarë Europa vendosi në tryezë në samitin e Romës për përmirësimin e aksesit te vaksina nga vendet e varfra?

Në këtë pikë, Europa është e vetmja fuqi botërore që po ndihmon të varfrit dhe vendet me të ardhura të mesme dhe në një shkallë të rëndësishme. Ajo çfarë ne kërkojmë nga fuqitë e tjera të mëdha është që edhe ato të angazhohen për aksesin ndaj vaksinës në të gjithë botën. Gjëja e parë që duhet të bëjnë është të anulllojnë ndalimin e eksporteve. Së dyti, prodhimi duhet të rritet dhe ne duhet të dërgojmë më shumë vaksina drejt këtyre vendeve. Pandemia nuk do të përfundojë vetëm nëse ndalet kudo. Të gjitha vendet kryesore duhet të marrin pjesë në mekanizmin COVAX. Pandemia na ka mësuar se solidariteti është çfarë na shpëton.

Cila është pikëpamja juaj mbi idenë e heqjes dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale për vaksinat dhe ndryshimi i fundit në SHBA, ndaj të cilit BE-ja ka reaguar me skepticizëm?

Siç e thashë në samitin e Romës, çdo gjë që rrit kapacitetin e prodhimit duhet mbështetur. Nuk duhet të ketë tabu. Dhe sigurisht, është kritike që ne të mbështesim propozimin e Komisionit në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë për përdorim më të mirë të mundësive të Marrëveshjes mbi Aspekte Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale. BE-ja duhet të flasë me një zë mbi çështjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Mendoni se BE-ja ka mësuar nga gabimet kur vjen pun ate strategjia e vaksinimit të përbashkët? Mendoni se kriticizmi i ashpër i muajve të fundit ishte shumë i tepruar me përdorimin e fjalëve “fiasco” dhe “fatekeësi”?

Në këto 15 muaj që lamë pas ne kemi kuptuar se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Europa ka nevojë për kompetencë në mënyrë që të funksionojë mirë. Kur nuk e ka këtë kompetencë dhe përpiqet të zëvendësojë vendet anëtare, përbëllet me vështirësi të mëdha. Kjo është e vërteta për shëndetin, sikurse për imigracionin.

Në fushën e shëndetit ne kemi dëshmuar një numër nismash nga qendra. A do t’i pranojnë shtetet anëtare këto transferime kompetencash, apo do të kërkojnë rikthimin e tyre, sapo pandemia të ketë përfunduar?

E kam thënë publikisht se kemi nevojë për më shumë iniciativa të tilla, sepse kriza është shumë më e thellë nga sa e kishim imagjinuar. Tani jemi duke pritur zbatimin e fondit të rimëkëmbjes dhe emetimin e bonove të përbashkëta evropiane që do ta financojnë atë. Është diçka që jam i sigurt se do të jetë e dobishme edhe në të ardhmen.

A mendoni se do të bëhet një tipar i përhershëm i arkitekturës së politikave të BE-së?

Le të shohim fillimisht se si funksionon këtë herë. Por jam i sigurt që nëse rezulton i suksesshëm dhe i lehtë për t’u përdorur, mund të bëhet vërtet diçka e përhershme.

Javën e kaluar u arrit një marrëveshje midis Këshillit dhe Parlamentit mbi certifikatën e BE për Covid. A jeni optimist se kjo do të çojë në praktikë te rikthimi i lëvizjes së lirë brenda bllokut?

Duhet, po. Parlamenti ka punuar fort që të garantojë që nuk do të ketë diskriminim ndaj atyre që nuk janë vaksinuar dhe për një kornizë të përbashkët, në mënyrë që të mos shohim një bollëk masash të njëanshme nga vendet anëtare. Certifikata duhet të na bëjë të mundur të nisim sezonin e verës në mënyrë të rregullt dhe të sigurt.

Në frontin e migracionit, kriza është tkurrur (të paktën për momentin) - dhe së bashku me të, edhe sensi i emergjencës për një qasje të përbashkët evropiane. Ne dëgjojmë zhurma gjithnjë e më pesimiste në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje mbi paktin e ri të propozuar shtatorin e kaluar nga Komisioni.

Parlamenti Evropian është veçanërisht i irrituar nga kjo. Kemi vite që u kërkojmë vendeve anëtare t'i japin Bashkimit kompetencat e nevojshme. Sot ne mund të jemi pragmatikë, dhe në të njëjtën kohë mund të mbrojmë vlerat tona. Ne mund të organizojmë një operacion pan-evropian të kërkim-shpëtimit, të koordinojmë krijimin e korridoreve humanitare, të ndërtojmë një kornizë për migrim të sigurt, të qëndrueshëm, të ligjshëm. Kjo do të ishte e dobishme për të gjitha vendet tona; të gjithë përballen me sfida demografike, në fund të fundit. Migrimi i ligjshëm, pra, mund të ndihmojë me planet e rimëkëmbjes. Nëse ardhjet në BE do të shpërndahen nëpër 27 vendet anëtare, barra për secilin do të ishte e vogël. Greqia e di mirë këtë - është vendi evropian që ka mbajtur më shumë se çdo vend tjetër  barrën e valëve migruese.

Çfarë po e bllokon një marrëveshje të tillë? Propozimi i Komisionit ka hapësirë për të lehtësuar shqetësimet e vendeve më të prekura në lidhje me hyrjet dhe mbrojtjen e kufijve.

Nuk ka progres sepse disa vende insistojnë që zgjidhja është të ngresh “mure” dhe të mos pranosh askënd. Ata e kanë gabim. Migrimi i ligjshëm i ndihmon shoqëritë tona.

Një çështje tjetër thelbësore për BE-në dhe veçanërisht për Greqinë është Turqia. Parlamenti javën e kaluar me shumicë dërrmuese miratoi një rezolutë shumë të ashpër për këtë çështje. Si e shihni drejtimin e marrëdhënieve BE-Turqi? A besoni se interesat që lidhin të dy palët (menaxhimi i migracionit, marrëdhëniet ekonomike) janë të mjaftueshme për të zbuluar diferencën në rritje të vlerave?

Unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën e brendshme në Turqi. Ne nuk po shohim ndonjë përpjekje nga ana e autoriteteve turke për të vendosur shtetin e së drejtës dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Është e qartë se në këto rrethana, toni i diskutimeve me Turqinë nuk do të ndryshojë - megjithëse ne mbetemi të hapur për dialog. Ne duhet të shohim sinjale shumë konkrete [ndryshim qëndrimi]. Gjithashtu, situata në Mesdheun Lindor mbetet e pasigurt. Le të shpresojmë që de-përshkallëzimi i muajve të fundit do të vijojë. Ne besojmë se Komisioni duhet të jetë shumë i qartë për këto çështje. Në çdo rast, negociatat e pranimit në këtë pike, në thelb, janë në ngërç.

Greqia kaloi një krizë financiare të paparë dhe gjashtë vjet më parë hyri në një spirale që mund të përfundonte me daljen nga BE-ja. Ndërsa rimëkëmbja nisi të përparonte, ajo u godit nga pandemia, efektet e së cilës kanë qenë veçanërisht shkatërruese për turizmin. Një vit më vonë, si e gjykoni performancën e Greqisë, si në shëndetësi, edhe në frontin ekonomik?

Shumë pozitivisht. Pjesërisht sepse Evropa i kuptoi gabimet që bëri gjatë krizës së mëparshme. Shoqëria greke u vu nën presion të madh në atë kohë. Unë besoj se përvoja e pandemisë na ka mësuar se nuk mund të kthehemi në status quo ante. Rregullat fiskale, rregullat për ndihmën shtetërore, të gjitha duhej të pezulloheshin për të menaxhuar këtë krizë. Rregullat fiskale veçanërisht nuk mund të rivendosen në formën e tyre aktuale, pasi kjo do të minonte vendosmërisht rimëkëmbjen. Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes duhet të ndryshojë - dhe ky diskutim duhet të bëhet tani.

Sa shqetësim ka brenda BE-së për sundimin e ligjit? Sa e qëndrueshme është një situatë në të cilën një shtet anëtar vazhdimisht devijon nga linja e përbashkët për politikën e jashtme?

Së pari, nuk ka asnjë organizatë tjetër ndërkombëtare që mbron shtetin e së drejtës si BE - deri në pikën kur ajo vendos sanksione ndaj anëtarëve të saj kur ato shkelin parimet e saj thelbësore. Disa shtete anëtare janë aktualisht nën vëzhgim dhe procedurat janë hapur kundër tyre. Vitin e kaluar ne forcuam mjetet në dispozicion të Bashkimit për të mbrojtur shtetin e së drejtës. Ishte një përparësi për Parlamentin Evropian - dhe tani është ligji i BE-së. Sidomos në momentin aktual, kur shumë regjime totalitare po përpiqen të tregojnë se sa efektive janë, ne duhet të mbrojmë demokracinë. Por ne gjithashtu duhet ta modernizojmë atë: Ne nuk mund ta drejtojmë BE-në mbi parimin e unanimitetit.

Ku jemi me marrëveshjen e investimeve të Kinës (CAI)? A do të mbetet ajo pezull derisa Pekini të heqë sanksionet që u ka vendosur eurodeputetëve? A është bërë BE, si rezultat i pandemisë, më pak naive dhe më e vendosur për të mbrojtur interesat e saj përballë Kinës?

BE-ja duhet të bëjë shumë më tepër për t'u bërë një lojtar efektiv në rang botëror. Është shumë e vështirë të negociosh me një shtet që vendos sanksione ndaj anëtarëve të Parlamentit. Kjo është arsyeja pse ne pezulluam ratifikimin e marrëveshjes. Kemi probleme të ngjashme me qeverinë ruse, e cila më ka ndaluar edhe mua të udhëtoj në Rusi. Kur bëhet fjalë për interesat tona ekonomike në përgjithësi, ne duhet të tregohemi të hapur ndaj investimeve të huaja, por duhet të jemi të kujdesshëm. Ne duhet të mbrojmë trashëgiminë tonë, jo të shesim gjithçka.

Përkthimi: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.