Lavrov: Marrëdhëniet SHBA-Rusi, më keq se në kohën e Luftës së Ftohtë

Postuar në 28 Prill, 2021 20:49

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se marrëdhëniet me SHBA-të në këtë moment janë edhe më të këqija sesa gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, për shkak të mungesës së respektit reciprok.

Lavrov thotë se Moska është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Uashingtonin, por paralajmëroi që SHBA-të duhet të shmangin pozicionimin si "sovran" duke mbledhur aleatë kundër Rusisë dhe Kinës.

Ai paralajmëron se, nëse SHBA-të i shmangen një dialogu reciprok mbi bazën e një ekuilibri interesash, "ne do të jetonim në kushtet e një 'Luftë të Ftohtë' ose më keq".

"Gjatë Luftës së Ftohtë, tensionet ishin të mëdha dhe shpesh shfaqeshin situata të rrezikshme krize, por ndërkohë kishte edhe respekt të ndërsjellë", tha Lavrov në një intervistë me televizionin shtetëror rus, të cilit i referohet AFP. "Më duket se tani jemi më keq se atëherë ".

Në fillim të këtij muaji, administrata e Biden i vuri sanksione Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në vitin 2020 dhe për përfshirje në sulmin SolarËind të agjencive federale – aktivitete për të cilat Moska ka thënë se nuk ka gisht.

SHBA-të dëbuan 10 diplomatë rusë, bënë subjekt të sanksioneve dhjetëra kompani dhe individë dhe i kufizuan Moskës mundësinë për të marrë hua. Rusia u hakmor menjëherë duke larguar 10 diplomatë amerikanë.

Por ndërsa urdhëroi sanksionet, Biden i la hapur Rusisë derën e bashkëpunimit në disa zona, duke i bërë thirrje për ulje të tensioneve.

Kësaj oferte, Lavrov iu përgjigj në intervistë duke thënë se Moska ka pasur një qëndrim "pozitiv", por i duhet kohë për të analizuar të gjitha aspektet e nismës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.