Fundja i meritoka 110 mln €. Ua mbylli buçen të gjithëve

Postuar në 06 Prill, 2021 22:59
Skerdilajd Zaimi

 

Çështja “Becchetti “ po hyn në një hulli cinike me keqtrajtimin publik që të bën të dyshosh se në kazanin e parasë dhe intersave janë zhytur të gjithë. 

Së pari, kryeministri i vendit, është fshehur. Nuk po flet. Ai është parë sot duke bërë kllounin në Përmet me motorin e nje turisti. Nuk ka folur personi, fjalët e të cilit u përdorën si argument në vendimin që dënoi Shqipërinë me 110 milionë euro. 

Nuk ka folur sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, i konsideruar nga arbitrazhi si pjesë e një shantazhi qeveritar ndaj një biznesi për llogari të palëve private. 

Nuk ka folur Enkelejd Joti, ish-drejtori i Top-Channel që figuron si adresa ku duhej të faleshe për të fituar lirinë editoriale.

Nuk ka folur Ilir Meta, trimi i Skraparit që nuk përmbahet kur ka padrejtësi ndaj këtij vendi. 

Mezi e ka hapur gojën Lulzim Basha, që na thotë se kjo që doli është maja e ajzbergut. Mezi ka vënë në lëvizje një deklaratë mediokre dhe tinzare kur thotë se paratë do t’i merren Edi Ramës. 

E kanë mbyllur gojën mediat kryesore, apo gazetarë të mirënjohur që për çdo budallallëk në këtë vend kanë frymë sa të mos ndalen.

Nuk flet Avokatura e Shtetit që ka përgjegjësi për atë mbrojtje mjerane në arbitrazh. 

Nuk po përmend askush me emër Engjëll Agaçin, që na qenka befas shumë i rëndësishëm në këtë vend. Na qenka dikush për të cilin ndoshta është mirë të mos flasësh se kush e di se çfarë ndodh.

Kanë kafshuar gjuhën dhe kanë ulur sytë të gjithë, po e mbajnë vendimin në sirtar për arsye që mund të merren me mend. Nuk pipëtin as spaku dhe as spurdhjaku që është i aftë të bëjë letrat e ndonjë qyqari pa krah në këtë vend që është një shaka e historisë. Shaka me zarar për jetën e njerëzve.

E meqenëse nuk po flasin të gjithë, asnjë prej këtyre që të bëjnë hatanë në studio e mitingje, atëherë na mbetet të besojmë se Becchetti ka qenë me të vërtetë shumë i rëndësishëm saqë ua ka mbyllur gojën të gjithëve. E si i tillë me siguri që i ka merituar 110 milionë eurot. Në fund të fundit bëri atë që se bën as vota në këtë vend: i bëri të fshihen palaçot me kohë të plotë në këtë vend dhe pse ua punoi këtë i zbuloi se çfarë janë. Ndaj halli është tek agaçëria dhe jo aq paratë. Që këtu ka qenë, edhe pse me emra të ndryshëm. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.