Çmimi i lartë lë offline gjysmën e përdoruesve të 4G

Postuar në 14 Mars, 2021 14:02

Rrjeti 4G mbulon me shërbim rreth 85% të popullsisë së botës. Megjithatë, gati gjysma e tyre ishin offline në vitin 2020.

Një analizë e kryer nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe Aleanca për Internet të Përballueshëm (A4AI) tregon se kostot e larta për aksesin në internet mbeten një nga pengesat kryesore për të përdorur shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) në botë. Çmimet e linjës së lëvizshme dhe asaj fikse janë në rënie, por gjithsesi mbeten shumë të larta, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Duke marrë parasysh diferencat e të ardhurave, abonimi në internet me bandë të gjerë me të paktën 1.5 gigabajt (GB) shpejtësi kushton rreth katër herë më shumë në vendet në zhvillim sesa në ato të zhvilluara, thuhet në një njoftim për shtyp.

“Ndërsa pandemia COVID-19 ka nxitur transformimin dixhital, ne duhet t’i lidhim të gjithë njerëzit me shkollimin, punën, shëndetësinë, biznesin dhe shërbimet qeveritare. Ne ndërtojmë infrastrukturën për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për një epokë plot sfida”, citohet nga Cybernews Houlin Zhao, sekretari i Përgjithshëm i ITU. Sipas tij, prirja në rënie e çmimeve është inkurajuese, por gjithsesi duhet të ulet akoma më tej në vendet në zhvillim.

Përgjatë vitit 2020, çmimet e të gjitha kategorive të shërbimit online ranë ndjeshëm. Vendet në zhvillim ishin faktorët kryesorë të kësaj rënie globale të çmimeve. Sidoqoftë, ka ende një diferencë të madhe midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.