Rusia dhe perustia gjeopolitike

Postuar në 15 Dhjetor, 2020 22:50
Klevis Bakillari

 

Gadishulli i Ballkanit prodhon më shumë histori sesa është në gjëndje të konsumojë”, thoshte dikur Çërçill. Padyshim, në rajonin ku në çdo shtet ka një ngastër shqiptare, nuk ka sesi të mendohet ndryshe. Jo për faktin se ngastrat janë etnikisht shqiptare por se është një rast unikal në botë ku një komb rrethohet nga vetëvetja.

Nëse lexojmë si duhet gjurmët e historisë dhe diplomacisë, do të shohim një komb shqiptar që ka udhëtuar në shtigje të rrezikshme shpëtuese po edhe fatale. Mjafton të kujtojmë dyndjet sllave të shek XIII dhe toponimitë e lëna nëpër Shqipëri, Pushtimin Osman pas vdekjes së Skënderbeut (17 Janar 1468), tanzimatin dhe haraçin, ndarja në vilajete osmane, myslimanizimin. Kërkesa e refuzuar e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 Qershor 1878-1881) për bashkimin e gjithë shqiptarëve në një vilajet të vetëm. Periudha Otomane do të sillte një kohë përkëdhelie për shqiptarët, duke i trajtuar ndryshe e duke i graduar në poste të rëndësishme të organikës së Portës së Lartë, nga ambasodorë e deri tek vezirë ( kryeministër).

Kjo për një fakt të vetëm, se Turqia kishte ndër shqiptarë një pikë të fortë të sundimit të Ballkanit i cili ishte vazhdimisht i atakueshëm nga Rusia dhe pansllavizmi.  Perandoria Osmane perëndoi por lindi ndër shqiptarët e mençur idetë udhëheqëse dhe la përvoja shtetformuese. Më vonë shpallja e Shqipërisë shtet i pavarur e sovran më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali, me mbështetjen kryesisht të Austro-Hungarezëve.

Pastaj Konferenca e Paqes e Londrës (1912-1913) dhe ndarja e shqiptarëve në pesë shtete, te dobëta madje. Vitet 1913-1920, ngjarjet e luftës së parë botërore dhe kontributi monumental i Presidentit të SHBA Wilson  gjatë punimeve të Konferencës së Paqes së Parisit apo siç njihet ndryshe Traktati i Versajës. Pas mbarimit të luftës së parë botërore më 1919, Europa kërkonte rishikim të kufijve të Ballkanit dhe Shqipëria ishtë kryeçështje.

Vendet që kishin mbrojtur Shqipërinë në Konferencën e Londrës, Gjermania dhe Austro-Hungaria kishin humbur luftën dhe nuk ishin më perandori të fuqishme. Fati u lidh me shfaqjen e SHBA si fuqia e re  udhëheqëse. Uilson mbajti qëndrim të prerë pro mbështetjes dhe ekzistencës së shteteve të vogla ballkanike ( ku ishin të shpërndarë shqiptarët), për një vetëvendosje të këtyre popujve dhe largimit apo zbehjes së ndikimit të Fuqive të Mëdha brënda Ballkanit.

Kjo do të ishte rezultat edhe i kontributit të mërgatës shqiptare në Amerikë me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën. Shqipëria rrëzikonte te tkurrej edhe më tepër. Italianët kishin pushtuar dhe donin të mbanin Vlorën, Greqia donte Gjirokastrën dhe rrethinat, Jugosllavia në veria sapo ishte formuar. Nga 1914 deri më 1927 kur u caktua kufiri i fundit me Greqinë, Presidenti Uilson nuk do të rreshte së mbështetur çështjet jetike shqiptare. Pastaj kemi epokën e Mbretit Zog dhe përpjekjet për zhvillim institucional dhe emancipim shoqëror, pushtimin italian më 1939, fillimin dhe mbarimin e luftës së dytë botërore. Këtu mbyllet një epokë ekzistencialiste e shtetit shqiptarë por zë fill koekzistenca e përherëshme e miqësisë dhe diplomacisë me SHBA.

Për të ardhur më pas tek çlirimi më 29 Nëntor 1944 dhe vendosja e sistemit komunist. Këtu nis një tjetër epokë dhe zë fill miqësia ideologjike e ushtarake me Bashkimin Sovjetik ( vitet 1948 - 1960), prishja me Rusinë solli afrimin me Kinën deri më 1970 dhe më vonë vetëizolimin total deri më 1990.

Ngjarjet e viteve 90' në Kosovë dhe në trevat e tjera  të mëvetësuara shqiptare, aktualizuan vendimet e gabuara copëzuese të Fuqive të Mëdha të cilat kishin dhe kanë autorësinë e plotë të ngastrimit territorial të shqiptarëve. Do të ishte persëri SHBA dhe BE që do të ndalonin njëherë e përgjithmonë sulmet dhe prezencën serbe në Kosovë.

Sot trevat shqiptare vazhdojnë të shtrihen përgjatë 5 shteteve dhe shqiptarët kanë përfaqësi të niveleve të larta. Vendosja e demokracisë në Ballkan, bëri që sidomos shqiptarët të kthejnë sytë nga perspektiva perëndimore dhe proamerikane. Çështja më nevralgjike mbetet Kosova, ku dhe pse fitoi pavarësinë, ndikimet lindore ruse përmes Serbisë janë prezente. Ato shfaqen herë kur trajtohet zgjerimi i njohjes së pavarësisë , herë në çështje të shkëmbimeve të territoreve. SHBA me selinë në Uashington, BE me selinë në Bruksel dhe Turqia me kryeqëndrën politiko-ekonomike Stambollin, mbeten tre këmbët e perustisë ku vlojnë çështjet e zhvillimit ekonomik dhe integrimit të shqiptarëve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.