Kundër-narrativa e pandemisë: Kronika e një krize të planifikuar*

Postuar në 10 Nëntor, 2020 00:16
Paul Schreyer

 

...Vitet 1998-2005 ishin vitet që ishin karakterizuar si vitet e luftës kundër terrorizmit. Gjatë këtyre viteve u kryen prova dhe eksperimente me skenarë pandemie të përmasave të mëdha me një dinamikë të shpejtë dhe të ethshme. Pas këtyre viteve u vu re nje rënie e intensitetit në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre provave. Në dhjetë vitet në vijim në botë po ndodhnin fare pak gjëra të vecanta, ajo kishte rënë disi në qetësi. Tematika e krizës financiare e vitit 2008  sillte fare pak pika konvergimi për simulimin e një manovre pandemike me sëmundjen e lisë. Po ashtu dhe gripi i derrit i vitit 2009 kishte pësuar fiasko për të cilën duhej një kohë e nevojshme për t’u kapërdirë. Situata ndryshoi kryekëput me një ngjarje, kur në politikën amerikane dhe botërore u shfaq Donald Trump, ngjarje që kishte si simbolikë të saj rënien e dukshme të rolit udhëheqës të SHBA në botë.

Pra, fill pas zgjedhjes, në nëntor të vitit 2016 të Donald Trump si president i SHBA, eveniment që për botën mbarë pati efekte shokuese dhe për shumë vëzhgues dhe analistë dukej si një ëndërr e keqe, pikërisht në këtë kohë, si për koinidencë, startuan përsëri manovrat dhe provat me armë biologjike të lëna në mes vite më parë. 

Njëkohësisht u vu re një intensifikim i përpjekjeve nga ana e Bill Gates për të bërë të mundur realizimin e një koordinimi të punës kerkimore në fushën e vaksinave së bashku me strukturat e sigurisë ndërkombëtare dhe konkretisht me ato të luftës kundër bioterrorizmit. Në janar të vitit 2017 Bill Gates udhëtoi për në Davos ku do të zhvillohej takimi i Forumit Ekonomik Botëror. Aty ai hodhi idenë për fillimin “e një diskutimi serioz mbi parapërgatitjet dhe marrjen e masave të mundshme kundrejt një skenari real të një sulmi me armë biologjike“. Gates atje deklaroi hapur, se kjo çështje duhet rishqyrtuar dhe thelluar akoma më tej, në Konferencën për Sigurinë që do të zhvillohej po atë vit në München të Gjermanisë.

Kjo ide erdhi si pasojë e fillimit të një pune të përbashkët të tij midis disa qeverive të vëndeve të ndryshme dhe industrisë faramaceutike në të ashtuquajturin “Koalicion për Inovacion në Parandalimin e Epidemive” (Coalition for Epidemic Preparedness Innovations) “CEPI”. Ky koalicion në vetvete kishte si qëllim gjetjen e mënyrave të zbulimit të vaksinave të reja brënda një kohe prej më pak se 12 muajsh, kur normalisht puna për to zgjaste deri në 10 vjet. Por për këto projekte nevojiteshin padyshim financime publike dhe private. Konferenca e Sigurisë në München e vitit 2017, në të cilen Gates bëri paraqitjen e projektit të tij, zhvillohej nën hijen e inagurimit të presidentit Trump në Shtepinë e Bardhë ndodhur pikërisht në janar të po atij viti.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung“ raportonte për një atmosferë të zymtë në hollet dhe sallonet ku zhvillohej konferenca a thua se kishe të bëje me ndonjë mbledhje “shoqërie bashkëpronarësh“.

Ja cfarë do të raportonte “FAZ“:

“Rrallë, ose kurrë më parë nuk ishin vënë re ato pamje të tilla në mimikat e fytyrave të kryetarëve të qeverive, ministrave, këshilltarëve dhe ekspertëve, ku konfuzioni mbi të ardhmen binte hapur në sy. Paqartësia, pasiguria dhe mosbesimi, ishin temat që zinin vëndin kryesor në bisedat e tyre për të lënë në hije çdo tematikë tjetër.

 -Do ta lënë amerikanët Europën në fatin e saj?

-Do të ndodhë një shpërbërje e NATO-s?

Dhe ajo më kryesorja: Kush do të jetë boshti i përbashkët që do ta mbajë Europën të bashkuar në të ardhmen e saj? (…)

E pra, atje ishin mbledhur rreth 20 shefa qeverish, mbi 80 ministra të shoqëruar nga këshilltarë dhe ekspertë, shkurt, ishte mbledhur elita e politikanëve për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Ndoshta më e madhja terapi në grup që ka përjetuar kjo konferencë përgjate këtij shekulli nën tematika tejet problematike:

A gjenden akoma interesa të përbashkët që do të na mbajnë akoma të bashkuar si deri më sot? Dhe a është akoma aktuale arkitektura transantlantike për sigurinë“?

John McCain, një nga politikanët më me influencë për politikat e jashtme të SHBA, vuri gishtin në plagë në fjalën tij kur foli “për një krizë të thellë shpirtërore të botës perëndimore“. Pyetja nëse Perëndimi do të mbijetojë apo jo, lexohej dikur si një alarm pa asnjë bazë logjike, ndërsa sot kjo çështje është tashmë një realitet që duhet parë më shumë se kurrë me seriozitet si për një pacient në gjendje kome. Republikani i linjës së ashpër (i cili vdiq një vit më vonë) e përfundoi fjalën e tij para një publiku me kryetarë shtetesh dhe ushtarakësh të lartë me një shprehje sinjifikative:

Unë refuzoj të pranoj rrënimin e rendit tonë botëror

Vetëm një ditë më pas, po në këtë konferencë dhe para të njëjtit publik i jepet fjala Bill Gates. Në fjalën e tij Bill Gates hodhi dritë mbi skenarët dhe rreziqet e mundshëm të një pandemie në rast shpërthimi të saj. Ai do të thoshte si më poshtë:

Një epidemi e ardhshme mund të programohet nga ndonje terrorist para ndonjë monitori kompjuterik, i cili nëpërmjet algoritmeve gjenetike mund të krijojë ndonjë version sintetik të sëmundjes së lisë ose ndonjë shkaktar tjetër të ndonjë virusi gripal me pasoja vdekjeprurëse. (…) Duke marrë parasysh kapriçiot e motit si dhe veprimet e ndonjë terroristi, epidemiologët parashikojnë se një përhapje e shpejtë virusit nëpërmjet rrugëve respiratore do të sjellë aq shumë viktima sa numri i tyre mund të arrijë deri në 30 milion të vdekur dhe kjo, brenda një kohë më të shkurtër se sa 1 vit. (…)

Ne duhet të jemi të përgatitur para këtyre rreziqeve ashtu si në një rast lufte. Për këtë qëllim do të shërbejnë simulacionet ose lojërat pandemike (germ games) dhe prova të tjera për raste emergjente për të kuptuar edhe më mirë menyrën e përhapjes së sëmundjeve, reagimin e popullatës në kushte paniku, si dhe marrjen e masave nga ana jonë në raste të mbingarkesave të rrugëve automobilistike dhe kanaleve të tjera të sistemeve të komunikimit

Tre muaj më vonë në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë e Shëndetit filluan përsëri pas shumë vitesh bërja e planeve për një lojë pandemike të re me përmasa më të gjëra dhe më komplekse në krahasim me ato të mëparshmet.

Loja-provë do të merrte emrin: “Clade X”.

Parapërgatitjet për të filluan në maj të vitit 2017, katër muaj pas hyrjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë. Skenari imagjinar i lojës këtë herë do të ishte ndryshe nga skenarët e zakonshëm. Nuk do të kishte infeksione lije, as murtaje ose antraksi, në vend të tyre tani do të kishte një koktej viral komplet të ri, zhvilluar në laboratorin e firmës “Biotech“. Pra një kombinacion bio-teknologjik i përbërë nga viruse me virulencë të lartë si kombinim i viruseve të parainfluencës dhe virusit vdekjeprurës me emrin “Nipah“. (Virusi Nipah shpërtheu gjatë një prove reale në Indi dhe me ndihmën e një shkencëtari të ushtrisë amerikane, i cili zbuloi vaksinën kundër atij virusi, u arrit të mbahej nën kontroll, ndërsa firmat që prodhuan vaksinën pas shpërthimit viral u shpërblyen me një shumë rreth 25 milion dollarë.)

E re në këtë lojë-prove nuk ishte vetëm lloji i virusit, por ndryshe nga herët e tjera, kur terroristët nuk kishin as emra dhe as biografi, këtë herë kjo lojë do të shoqërohej me një tekst parathënës ku çuditërisht do të përshkruhej një histori fiktive e këtij grupi imagjinar terrorist. Grupi bile do të pagëzohej me emrin “ABD“. (“A Brighter Dawn“- “Agimi i Artë“).

Ja çfarë do të përmbante ai dokument:

“Grupimi “Agim i artë“ do të themelohej në vitet 1990 në SHBA. Qëllimi i tij do të ishte ngadalësimi i shtimit të popullsisë në planet, shkak ky që po e çon planetin në rrënim dhe rikthimi (Reset) i tij në gjëndjen e mëparshme është më se imediat. Në fillimet e tij ky grupim i kishte vënë vetes për qëllim të ndihmojë njerëzimin që ai të veprojë fort në rikthimin e planetit në gjëndjen ku kishte qënë më parë. Aktivitetet në fillimet e tij ishin në përgjithësi paqësore duke i hapur rrugë debateve, konferencave shkencore, aktiviteteve në bazë dhe pasqyrimin e punës së tij në mediat publike.

Deri në vitin 2010 anëtarësia e grupimit pati një rritje të konsiderueshme si në numër ashtu dhe në përhapje gjeografike. Në shumë vende ky grupim krijoi celulat lokale me anëtarët e saj. Por gjatë kësaj periudhe ndodhi diçka e paparashikuar. Në këtë grupim u shfaqën krisjet e para. Një fraksion radikal i “Agimit të artë“ kishte si pikësynim marrjen e masave më radikale si kusht i nevojshëm për “rikthim“,(Reset) ose thënë ndryshe “ndryshim paradigme“ në politikat programore, për të bërë të mundur arritjen e qëllimeve themelore, me objektiv ndryshmin e ekuilibrave ekzistues.

Ky fraksion përbëhej me më pak se 30 anëtarë. Një figurë karizmatike do të merrte drejtimin e grupit për të punuar ngushtësisht me rreth 25 anëtarë të cilët kishin pothuaj të gjithë një formim të lartë në shkencat biologjike ku në mes tyre kishte dhe virologë. Pas shkëputjes, ky grupim krijoi në afërsi të Zürich-ut një laborator modern për t’u deklaruar më pas si një kompani me emertimin Biotech-Start-up. Aktiviteti i tij do të përqendrohej në fushën e bioshkencës  dhe pikerisht në kërkimin dhe zbulimin e armëve të reja biologjike që do të kishin efekt në mbarë botën. Për udhëheqësin e grupit efektet biblike të këtyre lëndëve do të kishin si synim kryesor dhënien e  një mesazhi ndaj njerëzimit për të korrigjuar këtej e tutje gabimet dhe ekseset në mënyrën e të sjellurit kundrejt planetit. Financimi i këtij fraksioni do të realizohej nga anëtarët e saj, donacionet private që kane të njëjtin qëndrim botëkuptimor dhe nga aktivitete të ndryshme ilegale. (…)

Pas zbulimit dhe prodhimit me sukses të virusit “Clade-X“ vullnetarë nga “Agimi i artë“, të cilët duke mos marrë parasysh rrezikun ndaj shëndetit të tyre, do të udhëtonin në tërë botën me lëndën virale në bagazhet e tyre për ta hedhur atë në formë aerosolesh (spray) sprucimi në vendet publike me frekuentim të lartë nga njerëzit. 

Sulmet e njëpasnjëshme do të dilnin relativisht inefiçiente, për vetë faktin se pothuaj gjysma e njerëzve të rënë në kontakt më këtë shkaktar nuk u infektuan, ndërsa në gjysmën tjetër të infektuar vetëm 50 vetë do të paraqisnin simptoma sëmundjeje. Pra, kjo nuk ishte e mjaftueshme që virusi “Clade-X“ të shkaktonte pandemi!“ [1]

Loja-provë do të zhvillohej më 15 maj 2018 në Uashington në hotelin luksoz “Mandarin Oriental“. Shpërthimi viral do të ndodhte në Gjermani. U organizuan një seri takimesh të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të SHBA.  Aktorë ishin në realitet përsëri politikanë të lartë amerikanë të veshur me funksione të përafërta ose të barazvlefshme qeveritare dhe parlamentare që kishin mbi supe.

Si pikë fillese në këtë shpërthim pandemik të simuluar do të ishin përpjekjet për zbulimin e tamponit PCR për të vërtetuar realisht praninë e virusit.[2] Debati do të rrotullohej në pjesën më të madhe në kufizimet e lëvizjeve dhe Lockdoën (më parë quhej karantinë). Do të flitej mbi lejueshmërinë eventuale të “marrjes së masave represive për mbajtjen në këmbë dhe respektimin e Lockdoën-it“. Do të ishte e nevojshme krijimi i kornizave ligjore në “çështjet  e delegimit të kompetencave tek organet e tjera përgjatë fazës së karantinës“. 

Gjithashtu qeveritë duhet të parashikonin në planet e tyre dhe një reaksion të mundshëm kundër efekteve të karantinës nga ana e popullatës  që do të thotë, rezistencë publike kundër zbatimit të saj.

Në këtë lojë-prove imagjinare proçeset e krizës u shfaqën me xhirim te shpejtë. Skenarët e shpërthimit të pandemisë shtriheshin në një periudhë disamujore. Sipas këtij skenari numri përfundimtar i të vdekurve në tërë botën do të arrinte deri në 150 milionë, vetëm në SHBA numri i viktimave do të shkonte rreth 15 milionë. Për autorët e këtij skenari numri i viktimave  do të mbetej i kufizuar për shkakun e vetëm të zbulimit dhe aplikimit të shpejtë të vaksinës antivirale që kishte ndikuar kështu në reduktimin e numrit të vdekjeve. Në fund të kësaj lojë-prove do të vihej në qendër të vëmendjes dhe një kërkesë ndaj qeverive për të vënë në dispozicion mjete financiare të mjaftueshme për mbulimin e kostove për zbulimin dhe prodhimin e vaksinës brenda  disa muajve dhe jo pas disa viteve. 

Veçanërisht u përmend kërkesa për zbulimin e një vaksine të tipit RNA (ashtu siç u kërkua dhe nga Bill Gates) që mundëson ndryshime gjenetike tek njerëzit, e cila sot në kohën e krizës së Coronës ka gjetur një rezonancë të gjerë tek njerëzit. Organizatorët në rekomandimet e tyre në adresë të qeverive do të theksonin si më poshtë:

Zhvillimet më të reja në fushën e biologjisë sintetike (…) japin mundësi për zbulime më të shpejta të medikamenteve dhe vaksinave efektive.  Gjithashtu hapet rruga edhe vaksinave vetëpërforcuese të tipit mRNA (…) të cilat duken se do të luajnë rol tepër premtues dhe në raste emergjente do të  mundësojnë veprim më të shpejtë (…) Të gjitha këto duhet të jenë të disponueshme në një shpërndarje të gjerë gjeografike në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi ti prodhojnë në disa qëndra dhe në sasi të mëdha“.

Në këtë kontekst e tërë kjo lojë-prove imagjinare u duk se pati sukses të plotë në sytë e pjesëmarrësve. Kjo e shpreh dhe në tekstin përfundimtar ku theksi u vu në atë, se kjo provë përfshiu një publik të gjerë dhe ndërgjegjësoi më mirë njerëzit mbi efektet dhe pasojat e një pandemie. “The Washington Post“ e bëri lajm në tre raste këtë lojë-prove. Por kjo nuk mbeti me kaq, “Clade-X“ hyri dhe në botimet speciale si dhe në sferat e politikës. Një seri prezantimesh digitale dhe konferencash u bënë në Kongresin amerikan, në takimet e ekspertëve të Konventës për armët biologjike, në Institutin “Aspen“ dhe në organizata të tjera homologe.

Po kush e financoi tërë këtë fushatë? Si financues kryesor ishte “Fondacioni i Filantropisë së Hapur“ që ka në krye, ish-bashkëthemeluesin e Facebook-ut, miliarderin e ri 33-vjecar, Dustin Moskowitz.  

Moskowitz, një prej miliarderëve më të rinj të botës, sipas deklarimeve të tij, synonte që të bënte me pasurinë e tij “sa më shumë të mira që është e mundur për njerëzimin“.  Pandemitë ishin, sipas pikëpamjeve të këtij Fondacioni , një nga rreziqet më të mëdha që i kanoseshin njerëzimit dhe stabilitetit, kundër të cilave në kërkimet shkencore deri më tani nga fondacionet private ka patur relativisht pak mbështetje financiare. Kështu që mbështetje financiare tani e tutje do të merrte Johns Hopkins Center (Qendra Johns Hopkins) dhe Health Security (Siguria Shëndetsore).

Edhe në këtë rast nuk duket asgjë me synim të keq, por çdo gjë vetëm për qëllime të mira. Në një mënyrë të ngjashme Moskowitz në shtator të vitit 2016 kishte dhënë si donacion në minutën e fundit në fushatën elektorale në SHBA për të penguar zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA, rreth 20 milion dollarë me qëllim që SHBA të mos izolohej në skenën ndërkombëtare. Ai i quante premtimet e Trump-it një “utopi marramendëse që bëheshin me ndërgjegje të plotë“, kur nga ana tjetër kandidatja për presidente Hillary Clinton kishte një  program me “vizion të qartë, optimist, pragmatist, bashkëpunues dhe dobiprurës për të dyja palët“.

Mund ti quash naive fjalët e miliarderit të ri Moskowitz, ndërhyrjet e tij plot arrogancë,  por në fund të fundit vlerësimet e tij në fushatë nuk luajtën ndonjë rol. Por një gjë nuk duhej nënvlerësuar,  njerëz të tillë me pasuri marramendëse kërkojnë gjithnjë dhe më shumë të influencojnë në jetën politike dhe këtë kanë arritur ta bëjnë. Këtë lloj loje e nuhati dhe Moskowitz, i cili në pasurimin e tij të çmendur si për ironi të fatit do të ngrinte zërin se kishte “ndarje të thella me ata që ndikojnë financiarisht në fushata elektorale, në vend që me atë pasuri të bëjnë gjithçka të jetë e mundur gjëra të mira për njerëzimin“.

Dhe për këtë “bamirësi“ u bë dhe vënia në punë e ingranazhave të një makine të madhe pandemike, si një projekt parandalues në mbrojtje jetësh njerëzore. Që projekti i tij ka prapa dhe skenarë të tjerë, kjo është një çështje që nuk mund të qendrojë gjatë strukur në skutat e ndërgjegjes së miliarderit Dustin Moskowitz.

Marrë nga libri “Chronik einer angekündigten Krise“ (Kronika e një krize të planifikuar) me autor Paul Schreyer, kapitulli i 5. me titull “Clade-X: Eine Biowaffe zur Bewölkerungsreduktion (2018), nga faqja 85-92.

Përshtati nga gjermanishtja: Adrian Stefi

[1] https://www.centerforhealthsecurity.org/our-work/events/2018_clade_x_exe...

[2] https://www.youtube.com/watch?v=tqa7NHq73xM

Shënim: Materiali më sipër është dërguar në adresën e redaksisë nga z. Adrian Stefi, të cilin e falenderojmë. Siç sqarohet, ai është një fragment nga një libër i autorit që bën një interpretim të ngjarjeve zyrtare të organizuara nga establishmenti teknologjik – over the top – siç quhen – në përgatitjet për skenarë pandemikë, funksionalizuar me skenarin real të pandemisë së CoVid-19.

Nuk po bëjmë asnjë vlerësim mbi vërtetësinë apo qëndrueshmërinë e metodës analitike të autorit që në fakt këtu bën vëzhgime. Materiali ka interes qoftë për aftësinë në lidhjen e ngjarjeve dhe kontekstualizimin e tyre, ashtu edhe për kapacitetin e dhënies së një narrative që sfidon bindjen mbi aspektin konvencional dhe spontan të pandemisë. Në fund të fundit pandemia tundi themelet e një rendi, por aty i vetmi revolucion që duket është konsolidimi i një shoqërie me psikozë të rënduar që vetiu hap rrugën e një rendi të ri ku mjekësia dhe hi Tech do të luajnë rolin e forcës strategjike. Dikur kjo do të quhej reaksion. Në këtë mënyrë edhe teoritë konspirative, apo leximet jokonvencionale pajtohen me leximin e drejtpërdrejtë në premisën e vet se rendi i të drejtave po kërcënohet me të vërtetë dhe me pasoja të pakthyeshme. 

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.