Të provoje policinë shqiptare

Postuar në 04 Gusht, 2020 15:19

Agjencia e lajmeve Reuters raporton për një rast – tashmë nuk më gjëra të çuditshme në botë – të futbollistit të ekipit të Tottenahm, Danny Rose, i cili ankohet se ndjen racizmin e forcave të policisë të cilat e ndalojnë përherë dhe e pyesin nëse makina që përdor është e vjedhur apo jo. Sipas tij këto lloj kontrollesh i ka hasur për 15 vjet rresht me pyetje banale policësh si “e provon që e ke blerë këtë makinë?” 

Kam hequr dorë nga shpresa se gjërat do të ndryshojnë për shkak të mentalitetit të disa njerëzve ndaj racizmit

thotë ai.

Një episod që na jep të kuptojmë se banaliteti dhe kotësia apo pse jo ligësia janë e përbashkëta në punën e policive në botë. Rose duhet të vijë një vizitë në Shqipëri, të udhëtojë pas orës 22:00 në Tiranë ku në çdo 250 m të del një patrullë policie.

Dokumentet, lejen e qarkullimit.

Makina është në emrin tënd?

Ke gjoba pa paguar.

Ke pirë alkool? Fare?

Ku po shkoni? Ku ishit? Ndonjë problem?

Pak më tutje rituali vazhdon nga e para me patrullën e radhës. Në të gjithë Tiranën, tuajse përnatë e njëjta gjë. Nuk e kupton dot se çfarë do zbulojnë këto patrulla duke pyetur njerëz që kalojnë në rrugë publike? Nuk dihet nëse kanë të drejtë që të pyesin se ku po shkon dhe ku ishe. Nuk dihet fare madje nëse e dinë vallë se çfarë të drejtash kanë, sikundër edhe përzgjedhja e makinave që ndalojnë është misterioze. Siç është misterioze çdo gjë në pamjen e kësaj trupe që mbeti gjithë kohës diçka mes bashibozkut, banditit, harbutit që ka zët të lahet dhe babaxhanit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.