Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk është jetike

Postuar në 28 Prill, 2020 18:51

Kjo më sipër është një hartë e përdorur nga media serbe B92 – që cilësohet liberale në Serbi – ku flitet për rastin sllovak të pandemisë së koronavirusit. 

Harta pasqyron si defekt politik vesin serb të injorimit të realitetit të Kosovës. Media serbe në fjalë ka justifikimin në tagset e veta: burimi i lajmit është Tanjug. Mirëpo harta mund të ishte e ndryshme ndaj edhe ky homogjenizimi i pikëpamjeve në Serbi është disi anormal. 

Mund të duket një vogëlsi ky rast që përsëritet në formën e një besnikërie ndaj një historie që në shumë pika është e imagjinuar. Një histori që nisej nga premisat spekualtive se pikëpamja serbe mbi historinë i përafrohet më shumë të së vërtetës e cila mandej gjeneron politika dhe ideologji që shpallen si të shenjta, jetike. Serbia e humbi Kosovën, por ajo nuk u zhduk. Ekziston si shtet dhe komb dhe ky fakt provon rrejshmërinë e tezave të tilla. Që këtej ka vlerë të shtrojmë pyetjen: pse duhet ta mbivlerësojmë nevojën e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë? Kush tha që ajo është e domosdoshme dhe jetike? Është e dobishme, patjetër, por nuk ka marrëveshje nga pozita jo të barabarta. Le të zëvendësohet me normalizimin e raporteve pa një marrëveshje që kërkon korrigjim territorial e që si e tillë provokon një paqe jo vetëm politike, por edhe relativisht psikologjike në Ballkan. 

Serbët investuan thuajse gjithçka në heqjen e tarifës për mallrat serbe dhe kjo tregon se ata kanë interes në Kosovë, një interes që shkon përtej zhurmës primitive për të drejtat e serbëve të Veriut, të drejta të cilat Beogradi i përdor në mënyrë instrumentale dhe në kundërshtim me logjikën e propozimeve të veta si p.sh Minishengeni. 

Ndaj si mundet të konsiderosh si çështje parësore marrëveshjen me një shtet kaq joserioz? Që nuk e njeh entitetin me të cilin kërkon marrëveshje? Cila logjikë e pranon një gjë të tillë? 

Tensioni i krijuar nga vendosja e tarifës ndaj mallrave serbe provoi se Serbia nuk ëhstë aq e fortë sa duket. Apo aq e fortë sa e prezantojnë atë disa në Tiranë. Serbia është një vend ballkanik që kërkon të zhvillojë dhe mbrojë disa interesa, me problemin e vetëm se këtë kërkon ta zgjerojë duke shfrytëzuar dhe përfituar nga një narrativë historike që anashkalon mëkate të rënda. Por kjo nuk mund të ndodhë. Është e vërtetë që serbët janë një popull me kontribute në historinë e afërt europiane, ata u rreshtuan me fituesit në dy luftëra botërore dhe pësuan jo pak. Por ata nuk mundet që në emër të kësaj historie të gënjejnë dhe përvetësojnë atë që nuk u përket duke shfrytëzuar viruset e përhershme të politikës së Tiranës e tani edhe të Prishtinës. 

Ata nuk mund të gënjejnë dot as veten më në fund, pasi edhe nëse kjo hartë e fsheh nga sytë Kosovën, nuk e zhbën gozhdën e mprehtë të saj në mendjen e të gjithëve. Kosova është aty dhe kjo nuk lëviz më. 

Sigurisht që qëndrime të tilla nuk kanë pse të vënë në pikëpyetje marrëdhëniet me Serbinë dhe nevojën që ato të thellohen. Pasi ndoshta zbulojmë se kemi më shumë të përbashkëta sesa dallime, apo edhe se mundet të na pëlqejnë vendet tona. Por kjo nuk ka pse të ndodhë nga pozita apo premisa të një të shkuare që as kanë ekzistuar ndonjëherë në psikologjinë shqiptare, përveç ndonjë pjese të elitës në Tiranë. 

Në fund të fundit historia provoi për të disatën herë ligjësinë se në Ballkan asnjë komb nuk mund të sundojë tjetrin pa shkuar vetë në shkatërrim. Serbia vazhdon të sundojë mbi veten me botime hartash inekzistente, por fakti se ajo nuk provokon më kënd me këto që bën, flet më shumë se çdo zhurmë tjetër. 

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.