Duhet një redaktim që të mos quhet përrallë televizive

Postuar në 22 Shkurt, 2020 17:53

Ndiqeni një të ashtuquajtur dokumentar të transmetuar në Top-Channel më 23 nëntor 2019 me titull: Gjurmë Shqiptare - Butrinti, Ilir apo greko-romak? E vërteta si po deformohet historia. Autor është i paredaktuari Marin Mema që ka marrë përsipër të gjeneralizojë shqiptarinë në çdo skutë të këtij vendi si një biçim zeje apo cilësie nën konspiracion permanent. Kësaj radhe viktimë e Marin Memës dhe Topit pas tij është Butrinti, të cilit i kërkohet etnia e banorëve si kartëvizitë e civilizimit historik të tij. Mema ka menduar një muzikë dramatike për dokumentarin e vet nëse mund ta quajmë të tillë. Ai i rekomandon shikuesit përfundimin e tezës së vet, më saktë bindjes, duke ngritur pikëpyetje “të thella” mbi historiografinë e këtij qyteti.

Në nisje Mema thotë se Ugolini, arkeologu që zbuloi pjesën më të madhe të qytetit antik, kishte porosi nga Mussolini të bënte gërmime në Butrint sepse aty duhej provuar miti i Eneas dhe themelimit të Romës. Pavërtetësinë e kësaj deklarate ia provon arkeologu Dhimitër Çondi që thotë se Ugolini iu drejtua Butrintit pasi nuk gjeti atë që kërkonte në Finiq. Më tej narrativa e z. Mema është po ajo që ka ndër vite arkeologjia shqiptare. E cila pohon e detyruar, qoftë për ekzigjencë profesionale, qoftë si detyrim që dikush ta marrë seriozisht, se Butrinti, Durrësi apo Apollonia janë qytete greke, por rrëmojnë poshtë tyre një fillesë vendase.

Këtë bën edhe z. Mema që teksa pretendon se Butrintit i është deformuar historia, referon katër Legjenda. Mirëpo si të përputhësh këto të dyja, kur ne e dimë p.sh se nëse për Marin Memën ta zëmë Pirroja i Epirit ishte shqiptar, vetë ky i fundit pretendonte se rridhte nga Akili? Na duhet që edhe Akilin ta nxjerrim shqiptar ose ta defaktorizojmë si të rremë pretendimin e derës së Ajakidëve.

Këtë tezë të Butrintit si prodhim vendasish e mbështesin në material disa historianë të njohur që tundin prej vitesh këmborën e profesor doktorit. Muzafer Korkuti flet për Çukën e Ajtoit dhe Kalivon, por nuk harron të theksojë se ato janë VENDBANIME dhe se i përkasin prehistorisë, kur periodizimi bëhet sipas metalit kryesor të përdorur, apo qeramikës. Periudhat e Hekurit dhe të Bronzit për të cilat flet Korkuti janë periudha tranzitore nga epoka e gurit drejt qytetërimit antik.

Askush nuk ka mohuar dhe as është gjë e re se vendasit kanë vendbanime të këtilla, por vendas në këtë rast janë kaonët, etnia e të cilëve debatohet gjatë. Zotit Mema i mjafton trilli dhe grishja e epirotëve që janë ilirë, pasi vetiu që këtej dalin shqiptarët. Dhe këtë ja mbështet sinkroni i prerë i Neritan Cekës, Apollon Baçes apo edhe Dhimitër Çondit. Pra teksa zoti gazetar Marin Mema kërkon origjinën etnike të themeulesve dhe ndërtuesve të mureve ciklopike, ai imagjinon se me këtë “zbulim” do të diskreditojë tezën se Butrinti përfaqëson në apogjeun e vet dhe fizionominë historike që mori si qytet, qytetërimin greko-romak. Ose është shprehje e tij.

Teatri, akropoli, termet e shumë gjetje të tjera provojnë se në një fazë të caktuar Butrinti njësoj si Apollonia dhe Durrësi hyri në hullinë e qytetërimit greko-romak, e mishëroi atë në çdo aspekt sipëror dhe e la sot si trashëgimi. Kjo nuk mohon ekzistencën e vendasve, por identiteti dhe roli i tyre thjesht injorohet nga historia e Qytetërimit sepse nuk prezantohet aty si përmasë karakteriale e një qendre që ka tipare të qarta greko-romake. Është madje një qendër klasike e këtij qytetërimi në Mesdhe. Nuk kemi as një imitim me veçori të caktuara si në rastin e hititëve p.sh. Kemi thjesht një Kolonizim tipik. 

Për krahasim le të marrim Tiranën e sotme. Çfarë ishte Tirana përpara 1920? Një vendbanim, një qytezë në zgjerim. Qytet u bë pas stabilizimit të shtetit shqiptar që vendosi projektimin e saj sipas arkitekturës italiane. Kjo nuk e bën Tiranën një qytet me italianë, por arkitektura e saj është modeluar sipas një zgjedhjeje që në fakt përcaktohet si referuese dhe rreshtim qytetërimor. Çfarë ka shqiptare në atë arkitekturë? Asgjë.

Gjirokastra dhe Berati sot përfaqësohen me arkitekturë të kohës osmane e sërish nuk pretendon kush se aty banojnë turq. Por ndërtimet sipas një modeli reflektojnë një përkatësi e cila nuk është thjesht kostum, por është pjesë e identitetit, sa kohë që aspekte funksionale të jetës dhe institucioneve i modelon sipas një qytetërimi.

Pse është kaq e vështirë të gjurmohet marka shqiptare edhe në qytetet e vonëta të Shqipërisë? Pikërisht për shkak të alienimit identitar dhe jo pse këtu nuk kanë jetuar shqiptarë. Por nëse flasim për histori qytetërimi, kjo është ajo që intereson dhe jo aq gjenetika e banorëve. 

Vetë kjo qasje, pra qasja mitizuese e autoktonisë është sharlatane në vetvete. Sepse kënaq një frustracion sesa zgjidh një hipotezë. Kjo është më keq sesa dje, kur arkeologjia shqiptare e kishte detyrë të relativizonte stampën greko-romake të bregdetit shqiptar që më vonë u quajt edhe Arbëria Venedikase, pasi kështu kompensohej akuza se shqiptarët nuk kanë qytetërim, por janë aderues në kultura të të tjerëve. Është ironike të shohësh ende sot sesi kjo luftë vazhdon në forma komike kuptohet, me mënyrën si ndryshon ndërtimi, si mohohet tradita, si harrohet ajo dhe sesi ky realitet neglizhohet duke pretenduar triumph tek origjina.

Ndoshta kërkojmë shumë, por në një televizion kombëtar duhet një dorë përpara se një material të kalojë. Dëshira e mirë dhe bindjet e dikujt nuk mund të kenë garanci profesionalizmi. Shpresojmë që kjo vërejtje prej dashamirësi dhe admiruesish të Top-Channel – televizionit të të gjithë shqiptarëve të mos merret si sulm. Le të jetë ky një sugjerim bashkë me atë tjetrin që të gjendet një emër shqip për televizionin, kështu arkeologjia e epokës dixhitale do ketë të bëjë me mbishkrime shqip dhe do i japin të drejtë marinëve të së nesërmes.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.