Me bast që ata të Kombinatit do dalin?

Postuar në 09 Shkurt, 2020 21:44

Policia godet një aktivitet të palejuara të lojërave të fati, në pranga pronari i lokalit

Ky është një titull i Agjencisë Telegrafike Shqiptare që të fton të lexosh një lajm supozohet se flet për ndonjë aktivitet serioz. Në foto disa makina lojërash fati me një kryq sipër. Por teksti të ul në tokë ndonëse gazetarët kanë bërë çmos që të krijojnë idesë se kemi të bëjmë me një diçka serioze. 

Policia e Shteti shpjegon dinamikën e aksionit, ku shprehet se  “Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.6, në bazë të informacioneve të marra se në një lokal ushtrohej veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit, arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 40 vjeç, banues në Tiranë, si dhe proceduan në gjendje të lirë gjashtë shtetas të tjerë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit E.B, në rrugën “Haki Stërmilli” në Kombinat, 6 shtetasit e proceduar tashmë nga Policia, u konstatuan duke luajtur lojëra me letra pokeri me lekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan letra pokeri dhe një sasi lekësh. 
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Organizim ose ushtrim i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”

Më komike nuk bëhet. Më lleshore se kaq policia nuk mund të ishte. Disa persona luajnë poker me ndonjë birrë në tavolinë, pronari i lokalit merr një përqindje sa për të nxjerrë ndonjë fitim dhe këtu menjëherë kemi një vepër penale. 

Qenkan sekuestruar edhe një palë letra. Nuk di njeriu çfarë të bëjë me këtë farë operacioni që u bëka në bazë të informacioneve operative. Të vjen ndërmend periudha e para viteve ’90 kur “maskarenjtë” nisën të dalin në sipërfaqe. Kur veset shpërthyen dhe qelbi i nisi të shfaqej si absest në fytyrën e lëmuar të Njeriut të Ri. 

Mund të kuptohet ndalimi i makinetave, kazinove apo basteve në emër të një politike të caktuar, por loja me letra ngjan pak si polici morale. Pa harruar këtu se pokeri nuk është lojë fati, pasi jo më kot thonë që “ai e loz”. Pra është lojë që ka shumë elementë brenda. Por xhanëm Lleshit i duhet një njoftim, policisë në Kombinat i duhet statistikë. Mund ta kujtoni atë anekdodën e një oficeri të ri të Sigurimit të Shtetit që e caktua  në një fshat, por e hoqën se nuk kishte rezultate. Të cilat shpesh duhen shpikur, sepse këtu armiqtë janë me normë. Si puna e gjobave të policisë rrugore. 
Dhe ky farë operacioni, e ca më keq ky farë njoftimi injoron si pa dashje faktin e lokaleve ku prej vitesh luhet poker në mënyrë të organizuar, e ku marrin pjesë njerëz të politikës dhe medias dhe ku totali i pot-it mbërrin deri në qindra mijëra euro. Dhe injoron prezencën faktin se bastet e luajtura në mes të Tiranës kishin shpesh protagonistë njerëz të pushtetit, apo që akoma sot luhet në online siç dhe e konfirmon vet njoftimi i Policisë kur përmend sekuestrimin e një celulari. Eshtë një temë shumë serioze, me impakt të madh në shoqëri dhe në buxhet (mbi 100 milion euro viti), por duket sikur asnjë s'e ka seriozisht.

Sigurisht që ky është ndër ato lajme që harrohen. Është vënë si njoftim sa për të thënë se po punojmë, por edhe si i tillë e ngarkon atmosferën edhe kështu të rëndë. 

Kjo është një qeveri e padurueshme, që ka plaçkitur një popull të tërë. Është një qeveri që ka induktuar frymën e banditizmit si mënyrë qeverisjeje. Por më e padurueshme se kjo është Morali. Predikimi i pakuptimtë sesi ne duhet të mendojmë, se çfarë është e mira dhe e keqja. Duke mos kuptuar se loja me Moralin e kthen pakënaqësinë në urrejte. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.