Qeveria pranon emergjencën e kriminalitetit në vend. Anti-KÇK, në thelb ka një AKt Normativ

Postuar në 31 Janar, 2020 14:42

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sot është kaluar paketa anti-KÇK që parashikon goditjen kryesisht të elementëve të inkriminuar brenda sistemit të drejtësisë, por edhe përtej. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka deklaruar se janë marrë një sërë vendimesh që ndryshojnë ligjin “Antimafia”, ligjin “Për Policinë e Shtetit”, ligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara” si dhe Kodin Penal. Zonja Gjonaj a shtuar se akti thelbësor në këtë kuadër është një Akt Normativ që hyn në fuqi menjëherë dhe sipas saj ka të bëjë me pasurinë e atyre që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata të strukturuara kriminale, apo në çdo grup tjetër terrorist apo trafiqe dhe krime të tjera të rënda.

Përtej këtj aspekti, ministrja e Drejtësisë ka zbuluar natyrën policore të vendimeve të sotme teksa ka deklaruar se qeveria po mendon të konsiderojë subjekt të veprimit të paketës Anti – KÇK, në drejtim pasuror, të gjithë ata persona që siç tha Gjonaj

ndonëse të akuzuar për krime të rënda, apo përfshirje në krim të organizuar dhe terrorizëm, për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë, nuk u dënuan kurrë dhe sot lëvizin të lirë

Natyra problematike e kësaj ndëryrjeje zgjerohet edhe më tej teksa ministrja ka paralajmëruar se me Aktin Normativ në fjalë nuk do të njihen të gjitha transaksionet e pasurisë të subjekteve që nuk provojnë dot ligjshmërinë e pasurisë së tyre drejt palëve të treta. Nuk mbaron këtu. Ministrja deklaron se SPAK, Policia e Shtetit, por edhe Gjykatat e Posaçme do të kenë me këtë Akt Normativ

të gjitha mjetet dhe kornizën e duhur ligjore për të luftuar krimin e organizuar në mënyrën më efikase të mundshme

Gjonaj ka folur edhe për pjesën tjetër të paketës që merret me gjyqtarë të korruptuar që sipas saj sfidojnë shoqërinë dhe vlerat e saj, duke palosur këtu në një vijë konsideratën politike me zgjidhjen juridike. Me këtë që ndodhi sot qeveria ka vendosur, në emër të monopolit të pushtetit, të veprojë me urdhëra ekzekutivë në një fushë ku kërkohet shumë kujdes që të mos gjenerohet një faturë e papërballueshme nesër.

Të gjithë kanë të drejtën e një procesi gjyqësor të rregullt. Ligjet në fuqi i japin agjencive dhe institucioneve kompetenca që nëse zbatohen e rregullojnë më së miri edhe çështjen e pasurisë së krimit. Mirëpo deri më sot ne kemi parë se asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim dhe qeveria mendon ta marrë në dorë vet drejtimin operativ për luftën ndaj pasurive të krijuara në rrugë të paligjshme.

Megjithë rrezikun që kemi se po hyjmë në territor të minuar nga pikëpamja juridike, duhet ta urojmë qeverinë të ketë suksese. Dhe të presim dështimin e saj të paralajmëruar teksa e kërkon të keqen të fshehur zgëqeve të Shqipërisë, kur ajo ulëret në mes të Parlamentit.

Akti Normativ duhet ta niste edhe me ministrat dhe deputetët milionerë të PS-së, ata që i njeh mirë kushdo në zonat e tyre. E me t’u goditur ata, edhe kriminelët që sot kërcënon zonja Gjonaj do të nisin të struken. Është një betejë e nisur nga bishti, për të vazhduar me goditjen në gjyqësor ku ka ende qendra që nuk i binden pushtetit, për të siguruar spektaklin e arrestimeve të bujshme pas të cilave fitohet popullaritet por asgjë më shumë.

Në fund të fundit, vetë kjo ndërhyrje e jashtëzakonshme, konfirmon emergjencën e kriminalitetit në një Shqipëri ku qeveria për të gënjyer njerëzinë nxjerr ministrin e Brendshëm që të përsërisë së statistikat e vrasjeve kanë rënë, një drejtor policie që të thotë se aksidentet rrugore janë ulur, një zv. kryeministër që mburret se me prokurimet është bërë punë e mirë, apo vetë kryeministri që shpall realizimin e reformave.

Dhe neve na duhet të besojmë se e Keqja është vetëm e trashëguar, një plagë e vjetër për të cilën po bëhet ndërhyrje radikale. Le të shohim e ta përcjellim edhe këtë serial të ri demagogjik.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mos pertoni te beni dhe ndonje analizs juridike se sikur e beni ndonjehere. Me akt normativ eshte nderhyre ne Kodin Penal dhe ligjin nr.96/2016 "Per statusin e gjyqtareve dhe prokuroreve ne R.Sh", ligje qe miratohen me 3/5 e anetareve te Kuvendit. Gjykata Kushtetuese ne vendimin nr.5/2014 ka thene qe nje gje e tille eshte antikushtetuese. Dhe e njejta qeveri e kishte bere dhe atehere aktin normativ qe ndryshoi ligjin nr.151/2013 "Per nepunesin civil". Rrumpallhane dhe kjo pune.

Gjykata vëren se dhënia fuqi të mëtejshme aktit normativ “Për nëpunësin civil”, të nxjerrë nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të kompetencës përjashtimore të përcaktuar në nenin 101 të Kushtetutës, përbën një kompetencë të Kuvendit, që konsiston në miratimin nëpërmjet një norme që ka të njëjtat vlera, pra me ligj. Në këtë kuptim, ligji që miraton Kuvendi, duke vlerësuar, formalisht dhe substancialisht, aktin normativ me fuqinë e ligjit, është instrumenti konvertues i të parit si ligj material në një ligj formal dhe, ky i fundit, nuk mund të jetë veçse ligj i thjeshtë. Bazuar në këtë karakteristikë të ligjit miratues të aktit normativ, Gjykata vlerëson se edhe çdo ndryshim që mund t’i bëhet ligjit “Për nëpunësin civil” në tërësi, ose dispozitave të veçanta të tij, nuk mund të arrihet nëpërmjet një ligji të thjeshtë, siç ka ndodhur në rastin konkret, por nëpërmjet një ligji të cilësuar, të miratuar në një procedurë normale nga Kuvendi, me të paktën tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.
62. Në këto kushte, miratimi nga Kuvendi i aktit normativ me ligjin nr. 161/2013, pa respektuar kërkesat kushtetuese për miratimin e ligjeve të cilësuara dhe, për rrjedhojë, ndryshimi i ligjit nr. 152/2013, që rregullon një fushë që përbën rezervë të Kuvendit, bie ndesh me parashikimet kushtetuese të nenit 81/2 të Kushtetutës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.