A po shkon drejt Gjykatës edhe pronësia e Digitalbit?

Postuar në 06 Janar, 2020 12:16

Tre nga biznesmenët kryesorë në Shqipëri janë bërë zyrtarisht aksionerë në një prej kompanive më të mëdha që operojnë në fushën e komunikimit dhe medias. Në datën 31 dhjetor 2019, Qendra Kombëtare e Biznesit ka publikuar transferimin e aksioneve të disa prej aksionerëve të Digit-Alb drejt  Samir Manes, Alba Ginës(bashkëshorte e Aleksandër Frangaj) dhe  Agim Zeqo.

Vlera e aksioneve të përfituar prej këtyre të treve është në masat 1.32%, 1.03% dhe 1.32% blerë nga aksionerët ekzistues Eduard Poda dhe Enkelejd Joti duke reflektuar po ashtu ndryshime në vlerën aksionere edhe për kompanitë që mund të lexohen më sipër. Në aktin e zbardhur nga QKB lexohet se transferimi i aksioneve kryhet në zbatim të Marrëveshjes Kuadër nr. 684/102 të vitit 2010, amenduar në vitin 2015.

Kjo marrëveshje ka rregulluar në fillesë shitjen e aksioneve të ish-kompanisë SuperSport te Digit-Alb duke e shkrirë atë me përthithje. Vlera përfundimtare e blerjes së aksioneve nga Mane/Gina/ Zeqo dhe një aksionere tjetër, ishte 20 milionë euro. Në marrëveshje përcaktohet një dispozitë e titulluar si “Shitja me kushe e aksioneve tek Digitalb” që parashikon se aksionerët e këtij të fundit detyrohen të shesin aksione tek ish-aksionerët e SuperSport, pra te Mane/Gina/Zeqo një numër aksionesh në përqindjen si më poshtë:

Marrëveshja përcaktonte një afat pesë vjeçar për ekzekutimin e këtij detyrimi dhe 31 dhjetor 2019 e respekton këtë afat. Çështja që lind këtu se transferimi i aksioneve drejt treshes në fjalë është bërë nga vetëm një pjesë e aksionerëve të Digitalb, por jo nga aksionerja kryesore e tij, Vjollca Hoxha(apo edhe fëmijët e vet). Marrëveshja në fjalë si çdo marrëveshje në fakt në nenin 13 parashikon rrugët e zgjidhjes në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga palët dhe që në këtë rast ka një mospërmbushje kjo vërtetohet lehtësisht sërish në QKB. Në datën 16 dhjetor 2019, në QKB është depozituar një vendim i Asamblesë së Përgjithshme që deklaron mospagesën e mëtejshme të kësteve që rrjedhin si detyrim nga blerja e SuperSport duke kërkuar nga QKB-ja edhe refuzimin e

çdo regjistrimi të aplikimit për ndryshimin e të dhenave mbi aksioneret e shoqerise "Digitalb" si dhe te përqindjes se pjesemarrjes se aksioneve ne shoqerine Digitalb" sha, pa nje akt, kontrate transferimi, shitje aksionesh, por vetem bazuar ne Marreveshjen Kuader

Siç e pamë më lart, Qendra e ka injoruar këtë kërkesë pasi më 31 dhjetor ajo ka pranuar transferimin e aksioneve pikërisht bazuar mbi Marrëveshjes Kuadër.

Ajo që bie në sy është se një pjesë e aksionerëve nuk e kanë marrë parasysh këtë vendim dhe kanë vazhduar me zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja. Aksionerja kryesore, Hoxha nuk po e ekzekuton këtë detyrim dhe është e logjikshme të hamendësohet se treshja Mane/Zeqo/Frangaj të procedojnë me rrugë ligjore për të marrë atë që është shkruar me vullnet të lirë. Janë diku te 16.2% të aksioneve që duhet të kalojnë te ish-aksionerët e SuperSport që do të thotë se loja e dominimit brenda Digitalb ndërlikohet duke rritur ndoshta vlerën e aksionerëve të vegjël që ndoshta do të duan të dalin nga një lojë që po përlas dy grupet mediatike më të mëdha në vend, ku një prej tyre nuk pranon të njohë atë që ka firmosur vetë. Dhe kjo nuk është hera e parë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.