Në 6 janar nis një revolucion tjetër. Është super...

Postuar në 03 Janar, 2020 16:07

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në faqen e vet në Facebook një material video për promovimin e shërbimeve të reja online nga portal qeveritar e-albania.

Në video, z. Rama luan rolin e të zotit të shtëpisë për përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit që zhvillon platformën e shërbimeve online dhe pasi ulet në kompjuterin e vet dhe duke bërë si nxënës, aplikues dhe mësues nis e shpjegon lehtësitë e shërbimeve të reja. Zoti Rama ka zgjedhur një shërbim aplikimi online që është edhe më kompleksi sepse parashikon që aplikuesi të kryejë vetëm veprime online pa u paraitur në sportel. Ka zgjedhur pensionin. Në të vërtetë ky shërbim ka qenë online me kohë dhe ndërfaqësohej në portalin e-albania. Së fundmi është përditësuar si kategori me disa shërbime shtesë. E njëjta për vërtetime të punëndhënësit, apo pagesat e detyrimeve.

Zoti Rama e shpall këtë si revolucion. Fundja atij i duhet një revolucion çdo dy muaj. Por ky nuk është revolucion, por një upgrade i shërbimeve ekzistuese. Dhe përfaqësuesit e AKSHI-t e dinë fare mirë por kuptohet që qeverisë mideja i vjen në vend vetëm me një revolucion. Kështu që pse t’ia prishim? Plus politika e ka këtë; do ca fraza që godasin, mundësisht sa më larg të vërtetës së thatë të algoritmit. Dhe këtë pjesë e qan kryeministri, se ai na njeh mirë si popull. Edhe pse e mira e kësaj pune që është bërë e kërkon që vetëm Ai të mos e prezantonte atë për publikun. 

Për ta ilustruar se këto që thotë z. Rama, apo propagandon, janë në të vërtetë gjëra shumë të mira, por nuk janë kaq të thjeshta. Le të marrim rastin e aplikimit bazik për pasaportë. Portali qeveritar ndërfaqëson shërbimin e konsullatës online që mundëson aplikim online për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

Kurse në Shqipëri për të aplikuar për kartë identiteti mundet ta bësh një gjë të tillë në çdo sportel të Aleatit. Për të aplikuar për pasaportë duhet të shkosh pranë vendit ku ke gjendjen civile. Dhe kjo bëhet vetëm sepse aplikimi në fjalë duhet të firmoset nga inspektorët e policisë që mbulojnë lagjen, pastaj nga shefi i komisariatit përkatës. Me këto dokumente shkon pranë Aleatit dhe bën aplikimin. Pastaj pret tërheqjen e dokumentit pas afatit të përcaktuar.

Ky vit përkon me përfundimin e afatit 10-vjeçar të pasaportave biometrike të lëshuara për herë të parë në vitin 2009. Kuptohet vetë radha vargan që krijohet. Nuk është rastësi që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bënte thirrje që të shpejtohej aplikimi sepse do krijohej radhë.

Në vetvete ky është një paradoks përveçse një problem që ka vështirësi objektive për t’u zgjidhur. Sepse të drejtën e aplikimit online duhet t’ua japësh të gjithëve ndërkohë që si shërbim konsullata online menaxhohet nga Ministria e Jashtme, ndërkohë që lëshues i dokumentit të identitetit është MInistria e Brendshme. Pra baza e të dhënave është e ndërveprueshme. Pse atëherë vazhdon muhabeti i vjetër për qytetarët që jetojnë në Shqipëri.

Është super, super -, shprehej z. Rama teksa klikonte vërdallë nëpër faqen e portalit e-albania. Super po, por një tjetër çështje këtu është edhe nëse vallë të gjitha institucionet shtetërore i njohin dokumentet e lëshuara nga portali? Pra me vulë elektronike? Kush bredh zyrave të këtij shteti e ka vënë re sesi një nëpuëns/e i/e gjendjes civile apo e protokollit në një qytet, apo institucion të thotë diçka krejt të ndryshme nga ajo që të thuhet në një qytet tjetër. Nejse, revolucioni nisi. Ne të vonuarit duam ca ta kuptojmë. Ndaj hajde ta duartrokasim…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.