Në mungesë të opozitës/Qeveria dorëzon menaxhimin e fondeve. Bashkëpërgjegjësi me OJF

Postuar në 01 Dhjetor, 2019 19:37

A ka një përgjigje reale se përse duhet një Komitet i Rindërtimit? Pse duhet një strukturë e ndërthurur mes qeverisë dhe aktorëve jashtë saj për të mbledhur dhe menaxhuar fondet për lehtësimin e pasojave të tërmetit? Gazetari Marin Mema që është pjesë e këtij komiteti foli disa herë për transparencën e fondeve. Kreu i një fondacioni, Arbër Hajdari, po ashtu ka folur për transparencën. Elvis Naçi, bamirës, imam dhe një lloj ylli televiziv i besimtarëve myslimanë shqiptarë ra dakord me kryeministrin se paratë duhet të kanalizohen në një drejtim.

Të gjitha grupimet janë në atë tryezë me kredencialet e veta dhe me fondet që u janë besuar. Ata edhe do të përgjigjen për shpërndarjen e tyre. Përtej këtij momenti, nuk mund të mos evidentohet një pedan për karriera të reja politike. Me këtë strukturë zoti Rama ka fshirë Agjencinë e Emergjencave për të nxjerrë në skenën e dukshme një komitet ku vetë luan me modestinë e moderatorit dhe mban larg duart nga paratë për të cilat akuzohet vazhdimisht.

Është një truk elementar që vë në përdorim njerëz të etur për të marrrë një rol politik apo publik më të madh. Që thirren në skenë për të luajtur për qeverinë rolin e manarit besnik. Zoti Rama duket se pranon dhe njeh kështu se ka probleme serioze me menaxhimin e parasë qëkurse edhe shefa policie janë kapur në vjedhje ndihmash. Ndaj ai po dhuron këtë atu qeveritare drejt njerëzve që kanë kredenciale dhe ndikim.

Ky është thelbi i këtij komiteti në fakt. Një zgjedhje 50 me 50 ku nëse gjërat ecin mirë, shou i takon patjetër z. Rama, i cili me siguri do të tentojë rekrutime politike në një mjedis të ri që sapo ka marrë formë dhe që e rifreskon varkën e tij drejt mbytjes, me pasagjerë të rinj. Për sa na takon si qytetarë, ne thjesht dëshmojmë se qeveria i dha me koncesion menaxhimin e donacioneve, hoqi dorë prej një atributi të vetit sepse ajo në fakt ka humbur koncesionin e besimit publik.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.