Diktatorët e mëdhenj parë me sytë e kuzhinierëve të tyre

Postuar në 04 Nëntor, 2019 16:34

Si të ushqehesh një diktator” është rezultat i një hulumtimi disavjeçar të reporterit Witold Szabłowski. Pasi pa një dokumentar për kuzhinierët e ushtrisë, i cili kishte në qendër një burrë që gatuante për Titon, ai vendosi të gjurmojë kuzhinierët që punuan për disa nga diktatorët më të ashpër të botës. Ai gjeti pesë persona, secili me një histori të jashtëzakonshme për të treguar, se si gatuanin për Saddam Hussein-in, Idi Amin, Enver Hoxhën, Fidel Castro-s dhe Pol Potin. Ideja që krijojmë për dikatorët duke i parë përmes derës së kuzhinës është e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme. Ne mësojmë cilat ishin pjatat e tyre të preferuara, dhe gjithashtu çfarë lloj ushqimi ishin të detyruar të hanin njerëzit e shtypur nga pushteti i tyre. Libri është botuar për herë të parë në Poloni në shtator të këtij viti. Versioni në anglisht do të botohet në prill të vitit 2020 (përkthyer nga Antonia Lloyd-Jones). Më poshtë është një fragment i publikuar në revistën polake “Przekroj”.

Një ditë, presidenti Sadam Husein ftoi disa miq në anijen e tij. Ai mori me vete disa truproja, sekretarin e tij dhe mua, kuzhinierin e tij personal, dhe u nisëm për një lundrim poshtë lumit Tigris. Ishte ditë e ngrohtë - ishte një nga mbrëmjet e para të pranverës atë vit. Në atë kohë nuk ishim në luftë me askënd, të gjithë ishin në humor të mirë, dhe Salim, një nga truprojat, më tha: "Abu Ali, ulu, e ke pushim sot. Presidenti thotë se do të gatuajë vetë për të gjithë. Ai do të gatuajë për ne qofte."

"Një ditë pushim... " Buzëqesha,  sepse e dija se në shërbimin e Sadamit nuk ekzistonin fjalë të tilla. Dhe për shkak se do të gatuheshin qofte, unë fillova të përgatisja gjithçka për zgarën. Griva mishin e viçit dhe qengjit dhe i përzieva me domaten, qepën dhe majdanozin, pastaj e vendosa në frigorifer në mënyrë që të ngjitej më mirë më vonë. Përgatita një tas për të larë duart, ndeza zjarrin, poqa ca pite dhe bëra një sallatë me domate dhe kastravec. Vetëm atëherë u ula.

Në Irak, të gjithë mendojnë se dinë ta bëjnë mishin në zgarë. Do të marrin përsipër ta bëjnë edhe nëse nuk dinë si ta bëjnë. E njëjta gjë ishte me Saddamin: shpesh njerëzit hanin gjërat që ai gatuante thjesht për mirësjellje; në fund të fundit, nuk do t'i thuash presidentit që nuk të pëlqen ushqimi që ai ka bërë.

Nuk më pëlqeu kur zbriti për të gatuar. Por atë herë mendova me vete: "Është pothuajse e pamundur t'i prishësh qoftet në këtë pikë”. Nëse mishin e ke gati, e bën petë me duar, e vendos mbi zjarr dhe e ke gati.

Anija u nis. Sadami dhe miqtë e tij hapën një shishe uiski dhe Salim hyri në kuzhinë për mishin dhe sallatën.

U ula dhe prita për të parë se çfarë do të ndodhte më pas.

Gjysmë ore më vonë, Salimi u kthye duke mbajtur një pjatë me qofte. "Presidenti bëri edhe disa për ty," tha ai. Unë e falënderova dhe thashë që ishte diçka shumë e mirë nga ana e tij, mora një e mbështolla në një pite. E provova dhe. . .m’u duk sikur mora flakë!

"Uji, shpejt, ujë!"

Piva mënjeherë një gotë ujë, por kjo nuk ndihmoi.

Prapë ujë. Nuk isha mirë. Goja më kishte marrë zjarr. Faqet dhe nofullat më digjnin dhe nga sytë më dilnin lot.

U tmerrova. "Helmim?" Mendova. "Por pse? Për çfarë? Apo ndoshta dikush po përpiqej të helmonte Sadamin, dhe e hëngra unë?"

"Prapë ujë!"

A jam akoma gjallë?

"Prapë ujë."

Jam ende gjallë . . . Pra, nuk është helm.

Por në atë rast, në çfarë po luante ai?

M’u desh një çerek ore e mirë për të shpëlarë djegien në gojë.

Ky ishte takimi im i parë me salcën Tabasco.

Sadamit ia kishte dhuruar dikush, por për shkak se atij vetë nuk i pëlqente ushqimi shumë pikant, vendosi t’u bënte një rreng miqve të tij. Dhe stafit gjithashtu. Të gjithë në anije po vinin vërdallë duke shpëlarë gojën me ujë, ndërsa Sadami ishte ulur dhe po qeshte.

Njëzet minuta më vonë, Salim u kthye për të më pyetur nëse më kishte pëlqyer ushqimi. Unë isha i zemëruar, kështu që thashë, "Nëse do të kisha kisha çuar unë dëm mishin në këtë mënyrë, Sadami do të më kishte dhënë një shpullë dhe do të më thoshte të paguaja për të."

Ai e kishte bërë këtë disa herë. Nëse ai nuk e pëlqente ushqimin, të bënte t’ia paguaje me para. Mishin, orizin ose peshkun. "Ky ushqim është i pangrënshëm", thoshte ai. "Ju duhet të paguani pesëdhjetë dinarë."

Kështu u shpreha në atë moment, duke mos pritur kurrë që Salim t’ia thoshte presidentit. Por kur Sadam e pyeti se si reagova, Salim u përgjigj, "Ebu Ali tha se, nëse ai do të bënte diçka të tillë, do ta kishe qëlluar dhe do t'i thoshte të paguante për të." Këtë e tha para të gjithë mysafirëve të Sadamit.

Sadami e dërgoi përsëri Salimin te unë.

Isha i trembur. Në fakt, u tmerrova. Nuk e dija si do të reagonte Sadami. Nuk duhej ta kritikoje. Askush nuk e bënte këtë: as ministrat, as gjeneralët, e lëre më një kuzhinier.

Kështu që u tmerrova, u mërzita me Salimin që përsëriti ato që thashë dhe e mërzita me veten time për kaq shumë budallallëk. Saddam dhe miqtë e tij ishin ulur në tryezë, mbi të cilën ishin qoftet dhe disa shishe të hapura uiski. Disa nga të ftuarve u ishin skuqur sytë; si duket, edhe ata i kishin ngrënë qoftet me Tabasco.

"Më thanë që nuk të pëlqyen qoftet e mia", tha Saddami me një ton shumë serioz. Shokët e tij, truprojat, sekretari - të gjithë po më shikonin.

Po frikësohesha gjithnjë e më shumë. Nuk mund të filloja papritur t’ia lavdëroj ushqimin; ata do ta dinin se unë gënjeja.

Fillova të mendoja për familjen time. Ku ishte gruaja ime? Çfarë po bënte ajo? A ishin kthyer ende fëmijët nga shkolla? Nuk e dija se çfarë mund të ndodhte. Por nuk prisja asgjë të mirë.

"Ty nuk të pëlqyen", tha përsëri Saddami.

Dhe befas filloi të qeshte.

Ai qeshi e qeshi pa pushuar. Pastaj të gjithë ata që ishin ulur në tryezë filluan gjithashtu të qeshnin.

Sadami nxori pesëdhjetë dinarë, ia dorëzoi Salimit dhe tha: "Ke të drejtë, Abu Ali, ishte shumë pikante. Po i jap paratë për mishin e shkuar dëm. Unë do t'ju gatuaj edhe disa qofte të tjera, por pa salcë këtë herë. A do të doje? ”

Thashë po.

Kështu që ai më gatoi ca qofte pa salcë Tabasco. Këtë herë ato ishin shumë të mira, por e shoh me vend ta përsëris, është e pamundur të çosh dëm qoftet. 

/Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.