Qeveria e portaleve i deklaron luftë Qytetarit Dixhital

Postuar në 26 Mars, 2019 13:49

Policia e Shetit ka shpërndarë sot një njoftim publik përmes të cilit bën me dije se do të bëjë kallëzim penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha që sipas saj poston shpifje të pamumërta “ndaj kësaj organizate ligjzbatuese”.

E gjendur nën presionin e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi, Policia e Shtetit bën me dije se do të reagojë me kallzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria.

Publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë linçimi publik, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve.

Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha.

Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit

thuhet në njoftim. 

Dalja me një deklaratë zyrtare për këtë çështje është në inkoherencë të plotë me detyrat e Policisë së Shtetit dhe me frymën e legjislacionit në fuqi që e konsideron përgjegjësinë si personale jo kolektive. Policia e Shtetit nuk ka detyrë të bëjë kallëzim si trupë, pasi për çdo shpifje të supozuar reagon personi i dëmtuar. Ligjet janë në fuqi dhe ato shumë mirë mund të zbatohen pa bërë këtë zallamahi. Sa për ilustrim, kryeministri Edi Rama ka bërë kallëzime personale për çështje të ndryshme dhe nuk ka qenë Kryeministria ajo që është vënë në lëvizje. 

Ka edhe disa arsye të tjera që e bëjnë të pakuptimë këtë njoftim. 

Së pari, pak muaj më parë, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa deklaroi se: problemi i kanabizimit ka qenë vërtet shqetësues dhe se vettingu në polici ishte i domosdoshëm. Pra parimisht ai ka njohur akuzat që i janë adresuar forcave të policisë, drejtuesve të saj, ndonëse çdo akuzë kërkon mbështetje. Nuk duhet të harrojmë se kemi dy ministra të Brendshëm që akuzohen për lidhje me trafiqet dhe drejtues policie që janë në kërkim. Qeveria aktuale, por edhe Ministria e Brendshme nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura dhe nuk ka deklaruar transparencë as kur është vënë para faktit të kryer. 

Së dyti, qeveria e z. Rama ka deklaruar se në mandatin e parë nuk arriti të kishte sukses në administratën publike dhe se mandati i dytë është mandati i reformës në administratë. Vërtet që PSh nuk është pjesë e AP-së, por ajo bën pjesë në trupën e shërbimit publik dhe është e afektuar nga dukuritë që prekin pjesën tjetër të atyre që janë pjesë e shërbimit publik.

Së treti, qeveria e z. Rama është edhe qeveri e portaleve publikë, si shprehje e dimensionit dixhital. Është kjo qeveri që mburret me numrin e denoncimeve në portalin shqipëriaqëduam.al, duke pranuar se rruga e ankimit administrativ ka dështuar. 

Janë të gjitha arsyet për të besuar pra se reagimi i PSh synon luftën ndaj Qytetarit Dixhital për shkak të frikës se skandalet do të përmbytin opinionin në kushtet kur qoftë zbatimi i ligjit për informacionin, qoftë sjellja e Ministrisë tenton  mbylljen e problemeve dhe jo zbardhjen e tyre. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.