Nënkultura kurioze e diagnostikimit të artistëve të vdekur nga veprat e tyre

Postuar në 13 Shkurt, 2019 12:14
Karen Chernick

"Mjekëve u pëlqen të luajnë me diagnozat", është shprehur dr. Michael F. Marmor, profesor i okulistikës në Universitetin Stanford, dhe autor i disa librave mbi artistët dhe shikimin. Shumica e mjekëve i rezervojnë diagnozat e tyre për pacientët, por ekziston një nënkulturë e profesionistëve të mjekësisë që joshen nga problemet shëndetësore të artistëve të famshëm apo të atyre që nuk jetojnë më dhe mënyran se si mund të ketë ndikuar kjo në artin e tyre.

Si disiplina, historia e artit dhe mjekësia kanë shumë ngjashmëri: Të dyja këto fusha kërkojnë vëzhgime nga afër dhe supozime, dy elementë këta që tërheqin ata që kanë qejf të mbledhin copat e mozaikut. Kohët e fundit, të dy këto disiplina janë bërë edhe më të ndërthurura me njëra-tjetrën. Shkollat mjekësore në mbarë Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më shumë po i përfshijnë mësimet e artit në programet e tyre dhe hulumtimet tregojnë se, soditja me kujdes e veprave të artit mund t'i ndihmojë mjekët të përmirësojnë aftësitë e tyre të vëzhgimit. Kjo lidhje mund të shpjegojë pse disa mjekë kanë interes për studimin e jetës dhe veprave të mjeshtrave të mëdhenj të artit, të ndihmuar nga aftësitë e tyre diagnostikuese.

Revistat mjekësore janë të mbushura me studime që diagnostikojnë pas vdekjes sëmundjet e artistëve, duke përdorur indicie që shkojnë nga të dhënat mjekësore, deri, në raste të rralla, te ajo çka ka mbetur nga trupi i tyre. Më së shpeshti, megjithatë, këta njohës të mirë të mjekësisë dhe artit u drejtohen mbetjeve mortore më shumë për të gjetur prova për hipotezat e tyre.

Mund të duket si një sport zbavitës, por Dr. Marmor paralajmëron se shumë mjekë mund të kenë gabuar dhe si pasojë kanë shkuar shumë larg me konkluzionet e tyre.

 "Artistët kanë licencë për të pikturuar sipas dëshirës, kështu që stili është i ndryshueshëm dhe jo domosdoshmërisht tregues i një sëmundjeje", thotë ai për “Artsy”.

Ka gjithnjë njëfarë kënaqësie te spekulimi, por jo kur ai paraqitet si 'dëshmi' në revistat shkencore", shton ai. Shtatë studimet e publikuara më poshtë përdorin një sërë metodash krijuese për të vizatuar një panoramë të plotë të shëndetit fizik të artistëve, në një përpjekje për të kuptuar më mirë punën e tyre.

Duart me dhimbje të Mikelanxhelos

Në fund të të shtatëdhjetave, Mikelanxhelo i shkroi nipit se duart e tij – mjeti kryesor me të cilin ngriti një karrierë të shkëlqyer në skulpturë - i dhimbnin shumë. "Shkrimi më jep një siklet të madh", ankohej artisti italian i Rilindjes. Nëse shkrimi ishte kthyer për të në një betejë, atëherë përdorimi i një çekiçi dhe një dalte mbi një bllok mermeri nga ai i Carrarës, dukej një pengesë e pakapërcyeshme. Por identifikimi i sëmundjes së kyçeve që kishte dëmtuar gishtat e skulptorit të famshëm, u ka shpëtuar mjekëve modernë, të cilët mbeten kureshtarë.

Autoritetet në Kishën e Kryqit të Shenjtë në Firence, ku është varrosur artisti, e ndaluan zhvarrimin e eshtrave të Mikelanxhelos për hetime patologjike, dhe për pasojë u krijua një ekip prej pesë studiuesish mjekësorë. Studimi i tyre i vitit 2016, i botuar në “Journal of the Royal Society of Medicine”, zgjodhi të mbështetej në dy portrete të artistit të bëra gjatë kohës që ai ishte gjallë, së bashku me një kopje të mëvonshme, duke u përqëndruar në paraqitjen e duarve të tij të deformuara. Ata e diagnostikuan me osteartrit të shkaktuar nga puna me mermerin. Pra një jetë në gdhendje gurësh i shtrembëroi gishtat e tij dhe bëri që t’i shfaqej sëmundja.

Sytë e shtrembër të Leonardo da Vinçit

Artistët e shohin botën ndryshe dhe disa okulistë ia kanë atribuar vizionin e tij krijues pikërisht syve. Një studim i vitit 2018, i publikuar në “Journal of the American Medical Association”, argumenton se Leonardo da Vinçi kishte strabizëm - një çrregullim i shikimit, që ka të bëjë me orientimin e bebeve në drejtime të ndryshme, çka rezulton me humbjen e perceptimit të thellësisë - një element që mund të shpjegojë aftësitë e jashtëzakonshme të mjeshtrit të Rilindjes. Nëse Leonardo kishte me të vërtetë strabizëm, ky çrregullim mund të ketë qenë "i leverdisshëm” për piktorin, shkruan autori i studimit, Christopher W. Tyler, "duke qenë se kur e shohim botën me një sy, kjo na lejon krahasimin e drejtpërdrejtë me imazhin e sheshtë që po pikturojmë".

Si bazë e hulumtimit të tij, Tyler përdori krahasimin e gjashtë veprave që mendohet se portretizojnë artistin: dy skulptura, dy piktura në vaj dhe dy vizatime. Këto përfshijnë pikturën “Salvator Mundi” (rreth vitit 1500) dhe “The Vitruvian Man” (rreth vitit 1490), me arsyetimin se artisti besonte se të gjitha veprat e tij e riprodhonin pamjen e tij deri në një farë mase. Tyler pastaj mati divergjencën këndore të bebeve të syrit në shembujt në fjalë dhe vuri re se mesatarisht këndi i shikimit përputhej me strabizmin.

Vizioni i shtrembëruar i El Greco-s

 Në vitin 1913, një okulist me emrin Germán Beritens nuk ishte i bindur se figurat dramatikisht të zgjatura, të pikturuara nga rilindësi spanjoll El Greco, ishin produkt i një prirjeje stilistike. Ai tregoi se astigmatizmi i rëndë - një gjendje okulare në të cilën kornea e deformuar shkakton fokus të pabarabartë përgjatë planeve të ndryshme vizuale - duhet të ketë bërë që piktori t’i shihte figurat vertikalisht të shtrira, çka më pas e ka hedhur në kanavacë. Teoria e Beritensit në mënyrë të dukshme shpjegoi teknikën idiosinkretike të El Grecos, duke u bërë lajmi i ditës kur studimi u botua.

Pothuajse një shekull më vonë, një tjetër studiues kuptoi se logjika e Beritens ishte intuitive, por e gabuar. Në një studim të vitit 2002, të publikuar në “Leonardo”, Stuart Anstis, një psikolog në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, argumentoi se nëse El Greco kishte një defekt astigmatik, shikimi i tij do t'i kishte shtrembëruar po aq subjektet dhe kanavacat. Me fjalë të tjera, nëse El Greco pikturoi një portret të një fisniku, atëherë si portreti, ashtu edhe subjekti do të duhej të shfaqeshin në mënyrë të ngjashme të shtrembëruar në sytë e tij, për të konfirmuar diagnozën. Sidoqoftë, Anstis kreu eksperimente dhe provoi se njerëzit me astigmatizëm janë të aftë të vizatojnë objekte proporcionale. "Zgjatimet e El Greco-s ishin një shprehje artistike, jo simptomë vizuale", përfundoi Anstis.

Vdekja misterioze e Paul Gauguin

Kur piktori post-impresionist, Paul Gauguin, vdiq në Ishujt Markezas në vitin 1903, ai la pas katër dhëmbë në një kavanoz qelqi dhe spekullime pafund për faktin nëse vdiq apo nga sifilizi. Një mundësi për të trajtuar disa nga pyetjet pa përgjigje rreth trashëgimisë së tij doli në dritë në vitin 2000, kur ata dhëmbë u nxorrën nga një dhomë e mbyllur mirë. Caroline Boyle-Turner, një specialiste dhe njohëse e Gauguin-it, dëshironte që së pari të konfirmonte se dhëmbët i përkisnin francezit dhe pastaj të shihnin se çfarë mund të mësohej më tej prej tyre.

Një takim i rastësishëm në një anije që përshkonte Paqësorin e Jugut e vuri Boyle-Turnerin në kontakt me William Mueller, një anëtar themelues i Shoqatës Antropologjike Dentare. Të dy u bënë partnerë në investigim dhe gjetjet e tyre u botuan në “Anthropology”, në vitin 2018. ADN-ja e nxjerrë nga dhëmbët u krahasua me ADN-në e marrë nga mbetjet e babait të artistit (i identifikuar kohët e fundit në Kili), si dhe një mostër nga nipi (ende gjallë) i Gauguin. Rezultatet u përputhën. Dhëmbët u testuan gjithashtu për gjurmë kadmiumi, mërkuri dhe arseniku, të cilat ishin trajtimet e zakonshme për sifilizin në kohën kur jetoi Gauguin. Asnjë prej tyre nuk u gjet, gjë që, megjithatë, nuk provon përfundimisht se Gauguin nuk ka vuajtur nga sifilizi, vetëm se ai nuk i ka marrë ato trajtime (ose të paktën jo në një dozë të mjaftueshme për të lënë gjurmë).

Perspektiva abstrakte e Claude Monet

Piktori impresionist, Claude Monet, i krijoi veprat e tij më abstrakte dhe ekspresive në fund të karrierës. Një studim i botuar në “Journal Journal of General Practice”, në vitin 2015, pohon se shkaku i këtyre risive në pikturë ishte shikimi i dobët. Monet filloi të prekej nga katarakta bilaterale në të gjashtëdhjetat, një sëmundje që e bëri atë ta shihte gjithçka më të errët seç ishte në të vërtetë. Në vitin 1913, një okulist i rekomandoi që t'i nënshtrohej operacionit të kataraktës. I frikësuar nga operacioni i dështuar i mikut të tij Mary Cassatt, ai refuzoi të operohej dhe kjo e detyroi të shkruante emrin e ngjyrës përkatëse mbi secilën paletë të bojës për të shmangur gabimet.

Por pas një dekade të zymtë, Monet më në fund u pajtua, në vitin 1923, që të bënte operacionin dhe shikimi i tij i ripërtërirë i lejoi të shihte ngjyrat e vërteta të pikturave të tij të periudhës para operacionit (shumë prej të cilave ai i shkatërroi). Pasi e mori veten, ai rifilloi të punonte me paletat pa etiketë sipër. "Veprat e tij pas operacionit janë të pakta me ngjyra të ndezura ose me aplikime të ashpra", vëren Anna Gruener, oftalmologia që shkroi artikullin.

"Prandaj nuk ka gjasa që ai ta ketë aplikuar qëllimisht stilin abstrakt të pikturave të tij të fundit, çka e përforcon argumentin se veprat e fundit të Monet kanë qenë rezultat i kataraktës dhe jo eksperimentimit të ndërgjegjshëm me një stil më ekspresionist”.

Haluçinacionet metafizike të Giorgio de Chirico

A pati ndihmë tjetër piktori italian i shekullit XX, Giorgio de Chirico - përtej imagjinatës së tij fantastike - për të vizatuar fillimisht me mendje imazhet metafizike që pushtojnë pikturat e tij jashtë të natyrshmes? Një artikull i publikuar në revistën “European Neurology”, në vitin 2003, argumenton se përgjigjja për këtë pyetje mund të ketë qenë epilepsia e lobit temporal, një çrregullim neurologjik që mund të prodhojë haluçinacione komplekse. Në librin e tij, “Hebdomeros” (1929), de Chirico vetë shkroi se pikturat e tij ishin materializim i përvojave të tij haluçinante. Ky pranim nga ana e tij i ka kuriozuar mjekët, të cilët janë përpjekur të përcaktojnë nëse vizionet e artistit kanë ardhur nga migrena apo nga epilepsia e lobit temporal.

Migrena zakonisht bën që ata të cilët vuajnë prej saj të kenë shikim të paqartë ose të deformuar”, vë në dukje artikulli, “çka nuk e karakterizon punën e de Chirico-s”. Veprat e tij gjejnë më shumë përputhje me imazhet komplekse të krizave të pjesshme. Megjithatë, autori pranon se ndërsa raportet e rasteve neurologjike mbi artistët mund të jenë të dobishme, "shpesh mungojnë të dhënat klinike kritike, kështu që diagnoza përfundimtare mbetet e diskutueshme".

Shëndeti i përkeqësuar i Paul Klee

Pesë vitet e fundit të jetës së artistit zvicero-gjerman, Paul Klee, ishin të frytshme. Ai prodhoi pothuajse 2 500 vepra arti – ose një e katërta e gjithë punës së tij. Por këto vepra ishin gjithashtu fizikisht torturuese, pasi ai vuajti nga një kombinim i disa sëmundjeve si një çrregullim i lëkurës, ulçera, anemia dhe probleme të ezofagut, që nuk u diagnostikuan saktësisht përsa kohë ishte gjallë. Pothuajse 40 vjet pas vdekjes së Klee, sëmundjet e artistit bënë kureshtar një dermatolog të ri, Hans Suter, i cili kaloi dekada të jetës së tij duke rindërtuar historinë mjekësore të artistit, intervistoi gruan e tij dhe djalin e vetëm, si edhe analizoi një numër të madh letrash të pabotuara, në të cilat përshkruheshin simptomat e artistit.

Suter e përfundoi këtë punë shumëvjeçare me një libër dhe një artikull që përmbledh gjetjet e tij (të dyja në vitin 2010). Sipas gjetjeve të tij, Klee kishte pasur sklerozë sistemike - një sëmundje e rrallë autoimune. Ndërsa sëmundja nuk duket të ketë pasur ndikim sa për të ndryshuar stilin artistik të Klee, Suter ia atribuon shpërthimet e dhimbshme të artistit disa ngjarjeve të caktuara në jetën e tij si shkarkimi nga detyra si profesor i artit në Kolegjin e Artit në Düsseldorf; mënyra e vakët me të cilën u prit puna e tij avangardë; dhe stigmatizimi i tij si një artist "i degjeneruar" nga nazistët.

Burimi: Artsy.net

Përktheu: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.