Punë (nuk) ka, atë ta gjen qeveria

Postuar në 13 Janar, 2019 21:35

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë së fundmi një nismë që synon të përfshijë në sistemin e administratës shtetërore student të ekselencës. Për këtë qëllim është hapur edhe një portal i ri, punetembare.al.

Top-Channel njofton sot se nga 803 vende të lira në administratë ka patur 100 aplikime, ndërkohë që niveli i pagave varion nga 48 mijë lekë në 75 mijë lekë të reja bruto.

Nisma në fjalë është një përgjigje politike ndaj protestës së studentëve, por ajo në thelbin e vet dëshmon krizën e vërtetë të Shqipërisë: mungesën e tregut. Dhe me mungesë të tregut këtu e kemi fjalën me mungesë të konkurencës që e cila parimisht nxit nevojën për burime punë të kualifikuara.

Shohim pra të kundërtën. Në një ekonomi ku thuhet shpesh se sektori privat është kontribuesi  kryesor, rekrutuesi më i suksesshëm rezulton shërbimi publik. Dhe madje aq i suksesshëm saqë pretendon të thithë edhe ekselentët. Një praktikë e tillë në Perëndim zakonisht ndiqet nga kompani të mëdha të cilat investojnë në burime me oferta të privilegjuara qysh gjatë kohës së studimeve. Ku janë këto kompani në Shqipëri? Pse sektori privat nuk ka interes në përthithjen e burimeve njerëzore që kanë cilësi dhe presupozohet se duhen rekrutuar?

Ky paradoks i shtohet një tjetër paradoksi: rritjes së rolit të Zyrave të Punës.

Qeveria shqiptare pretendon se ka hapur kantiere të tëra punësh që do të kërkonin njerëz dhe do të zbusnin plagën e papunësisë. MIrëpo kaq emergjente ka qenë papunësia, saqë vitin që lamë pas kryeministri shkarkoi edhe drejtorin e Zyrës Kombëtare të Punësimit duke vendosur si objektiv për fundvitin 2018 punësimin e 23 mijë njerëzve. Sigurisht që ky objektiv u arrit edhe pse pas tij e vërteta qëndron ndryshe. Por këtu nuk është ky problem. Këtu problem është te kontradikta që qëndron mes deklarimeve se ka zhvillim të sektorit privat, se ka rritje ekonomike të admirueshme, se ka madje rritje të investimeve të huaja direkte, lehtësim të barrës fiskale dhe rritje të numrit të bizneseve të reja që happen, kurse nga ana tjetër dhe krejt papritur, punësuesi më i madh mbetet ende shteti.

Si të përputhen këto dy shfaqje? Është shumë e vështirë edhe kur sheh se e ashtuquajtura  reform në administratë publike nuk po kryhet. Po të heqim dixhitalizimin e shërbimeve  asgjë tjetë rnuk ka ndodhur në thelb.

Pak muaj më parë kryeministri, gjatë një takimi me nëpunës të administratës u kërkonte atyre që të tregoheshin me iniciativë, të merrnin pjesë në punë me ide, me propozime etj. Zoti Rama madje tha se “puna duhet të dashurohet”. Por kush punon në administratë e di shumë mirë sesi është e vërteta e drejtorëve të z. Rama, e tenderave dhe Komisioneve të Ofertave ku të vënë emrin pa të pyetur. E vërteta e shkarkimeve nëse kundërshton një urdhër edhe pse ligji ta jep këtë të drejtë ndërkohë që drejtorët e partisë ndryshojnë garderobën, celularët dhe makinën një herë në dy muaj.

Kush është student ekselence që ka pak kulturë juridike dhe ndjek pak ecurinë e administratës Rama, ka të gjithë mundësinë që të shohë me sytë e tij sesi shkruhen aktet, sesi ndryshohen ato, se cilat janë qëllimet nga ato nisen. Mjafton qoftë edhe shembulli i VKM-ve për pronën për të parë se deri ku shkon një qeveri.

Nisma në fjalë mund të ketë sukses patjetër. Sepse në këtë vend ka sukses biznesi hosanasë, ndërkohë që sa për një aspekt publik, kjo sjellje e qeverisë, ndonëse në parim mund të ketë qëllimin e mirë të pasurimit të administratës, provon se tregu është diçka që nuk ekziston në Shqipëri.

Punë ka, mungojnë profesionistët, thoshte para disa kohësh z. Rama.

Me shifrat e sotme mesa duket vërtet që punë ka, por profesionistët nuk po dinë çfarë të bëjnë. Ose na duhet të mos i besojmë shumë cilësisë së ekselentit të universitetit shqiptar.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.