Qeverisja e mbyllur e Erjon Veliajt në Bashkinë e Tiranës

Postuar në 01 Dhjetor, 2018 17:23

Erjon Veliaj mund të mburret me çmimet për transparencë që mori vitin e shkuar, por praktika e punës së tij në krye të Bashkisë së Tiranës dëshmon të kundëtën. TemaTv publikon sot një material që sipas të cilit Bashkia e Tiranës, në zyrën e  shtypit të së cilës punojnë  rreth 50 vetë, gjatë diskutimit të buxhetit të vitit 2019, ajo ka shmangur informimin paraprak të medias. 

Pavarësisht se TemaTv kërkoi zyrtarisht të njoftohej për këto takime në të paktën 25 raste, kjo nuk ka ndodhur, ndërkohë që dëgjesat publikoheshin një ditë më pas

raporton televizioni në fjalë

Nëse mbajmë parasysh se Bashkia e Tiranës vitin që shkoi u nderua me çmimin e transparencës kjo praktikë nuk e nderon aspak. Kujtojmë këtu se praktikën e “dëgjesave me publikun”, z. Veliaj e aplikoi edhe me sheshin “Skënderbej”, por duhet thënë se dëgjesa publike me dyer të mbyllura nuk mund të ketë.

Një tjetër kriter që u përdor për të vlerësuar transparencën e Bashkisë që drejtohet nga z. Veliaj ka qenë edhe informimi online. Mirëpo nëse i hedh një sy faqes online të saj, aty nuk sheh të pasqyrohen vendime me rëndësi si p.sh lejet e ndërtimit, për të cilat ka debat. Në një përgjigje zyrtare shkresore që Bashkia e Tiranës ka dhënë për TemaTv, zbulohet se Erjon Veliaj ka firmosur vetëm për muajt janar 2018-nëntor 2018, 157 leje ndërtimi. Projekti “Open Data” në faqen online të Bashkisë aktualisht nuk funksionon dhe duhet thënë se një qytetar nuk ka se ku të konsultojë të drejtën e vet për informacion.

Kjo qasje bie ndesh me propagandën e madhe që bëhet për të dëshmuar se qeveria dhe Bashkia janë transparente. Po flasim për një njësi që ka buxhet jo të vogël dhe që nuk kursehet kur vjen puna për të rritur ndonjë taksë. Por ka edhe një aspekt tjetër që lidhet me politikat e premtuara dhe ato të zbatuara. Në një prononcim të vetin, këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Akil Kraja është shprehur ndër të tjera se:

Janë 3 momente, i pari Erion Veliaj ka thënë në 2015 gjatë fushatës së tij zgjedhore se do të kishte një moratorium ndërtimesh. Pra ka një shkelje madhore të premtimit të tij elektoral ndaj qytetarëve të Tiranës. Moment i dytë sektori i ndërtimit në Tiranë ka një bum të jashtëzakonshëm ndërkohë që kredia për këtë sektor është në stanjacion për mos thënë në rënie. Pra absolutisht opozita ka dyshime legjitime që paratë që financojnë këto ndërtime nund të vijnë nga aktivitete kriminale. Dhe moneti tretë shumë i rëndësishëm, Erion Veliaj ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme taksat për ndërtimet e reja, ka shkuar në 8 % të vlerës së shitjes. Grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës ka disa denoncime publike në prokurori madje edhe në Gjykatën e Tiranës

Duke patur parasysh të gjitha këto, por edhe përvojën publike me rastin e Teatrit Kombëtar dhe prishjeve në Unazën e Madhe, mund të thuhet se z. Veliaj i është ekspozuar syrit publik me Mungesën e Transparencës dhe jo me Transparencë. Arsyet janë të njëjtat që lidhen me çdo pushtet: detyrimi ndaj interesave që nuk duhen zbuluar. Përndryshe pse një kryetar bashkie do të mbyllte dyert edhe për dëgjesat për buxhetin?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.