Ansambli i memecëve që mbështetën shembjen e Teatrit

Postuar në 09 Shtator, 2018 02:53

Mandata që erdhi nga BE për çështjen e Teatrit dukshëm ka prishur humorin e kryeministrit dhe rrethit të sejmenëve që për javë të tëra i bënë avokatinë kompanisë "Fusha" dhe projektit për t'i vënë rruspën Tëatrit Kombëtar me qëllim ngritjen e kullave sipas skemës ku qeveria dhe bashkia u konvertuan në sekser-përqindjesh me truallin publik.

Edi Rama ishte i pari që mori përsipër të mbronte publikisht projektin e kullave të Fushës, me një shfaqje publike që provoi se këtij kryeministri i shkon roli i prezantuesit. Edhe pse nuk u djersit shumë për t'i imponuar publikut shijet e dizenjuara në zyrat e kompanisë "Fusha Shpk" Edi Rama nuk pati asnjë skrupull për të justifikuar të pajistufikueshmen, duke luajtur sërish me të njëjtin raport, ai dhe progresi përballë baltës dhe injorancës. 

Këtë shfaqje zor se do t'ia lejonin ta bënte në një vend tjetër. Të aftë vetëm për të tilla marifete, kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë tani ua do puna që të japin shpjegime mbi mënxyrën e Teatrit që BE e quajti të papranueshme, duke paralajmëruar refuzim të çeljes së negociatave.

Kryeministri duhet të japë llogari një orë e më parë dhe në detaje. Shumëkush ka të drejtë të pyesë pse nuk flet kryeministri? Pse nuk sqarohet publiku se çfarë përgjigje ka kthyer Bashkimi Europian për çështjen e Teatrit dhe ku është gabuar me ligjin "Fusha".

Transparenca mungon si nga Bashkia ashtu dhe nga qeveria. Dalja  e sforcuar e Erion Veliajt për të thënë se miqtë e Komisionit Europian shprehën dashamirësinë të përmirësojnë ligjin për Teatrin ishte një qëndrim me erë të keqe që vetë kryetari i Bashkisë zor se e ka duruar. Nga një ministre si Mirela Kumbaro është e tepërt të pretendosh sqarime, për përgjigjen që ka ardhur nga Brukseli, ndërsa nuk kuptohet pse u ka ikur gjuha edhe firmëtarëve të peticionit për shembjen e  Teatrit Kombëtar.

Robert Ndrenikës që thoshte se nuk e ka gojën vetëm për të ngrenë bukë me kos apo Pëllumb Kullës që ishte partizan i zhvillimit. Mos ndoshta kanë frikë të akuzojnë Bashkimin Europian apo solidarizohen me heshtjen e qeverisë. I çuditshëm edhe pozicioni që po mban kompania Fusha, e cila propozoi shembjen e Teatrit Kombëtar. Asaj i rrezohet një projekt i madh me vlerë miliona euro, dhe nuk kuptohet nëse e mban këtë qëndrim se mos i dëmtohet imazhi apo sepse ka mbrojtje të posaçme dhe do shpërblehet. Në sy bjen dhe heshtja e një morie "mediash" gjithmonë të gatshme për të sqaruar, por jo kësaj rradhe.

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.