Atë që bëri vetë sot e quan tradhëti - ishullit Othonoi iu dha vlerë e plotë në vitin 2009

Postuar në 07 Qershor, 2018 12:29

Sot ish-kryeministri Sali Berisha, bëri qytetarin dixhital në vetë të parë duke denoncuar nga “brenda” spiunët e greupit negociator që po negocion marrëveshjen e detit me Greqinë. Nuk dihet halli i momentit i qytetarit dixhitalo-ajror Berisha që nxjerr këtë temë në momentin kur partia ku ai bën pjesë po shpëton Fatmir Xhafën duke vrarë me budallallëkun e paraqitjes në Kuvend, vetë diskutimin për ministrin e Brendshëm. Por kjo ka pak rëndësi. Rëndësi – qoftë edhe për të qeshur – ka ajo që thotë z. Berisha që dikur ka marrë vendime në këtë vend. Gjatë një prononcimi të bërë sot, ai ndër të tjera tha:

Ishulli Othon merr fuqi të plotë, si për ujërat territoriale ashtu dhe për zonën ekonomike. Ai ishull që bëri zhurmë pala greke i bën të qartë palës shqiptare se ishulli ka të gjithë fuqinë si një ishull të banuar

Nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo, por me siguri z. Berisha ka riprodhuar me aq sa ka mundur atë që i kanë thënë. Nëse e lexojmë drejtpërdrejt, duket se z.Berisha po na thotë që ishullit në fjalë do t’i jepet vlerë e plotë si tokë kontinent në ndarjen e ujërave. Dhe se ai është kategorikisht kundër kësaj, meqenëse “Shqipëria humbet pasuritë përrallore”.

Mirëpo në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e vitit 2009, të cilën e firmosi qeveria Berisha, thuhet ndër të tjera shprehimisht se:

Gjykata çmon se procesi i delimitimit duhet të kishte kaluar përmes disa fazave të cilat çojnë në adoptimin e një vije kufitare provizore që më pas korigjohet në funksion të parimit të Ekitesë. Në këtë  kuptim,  duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit. Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tone

Pra nga sa shihet, ishullit në fjalë i është dhënë vlerë e plotë në marrëveshjen e parë, pra në vitin 2009, vit kur z. Berisha ishte 9 vjet më I ri se sot.

Çaprashitjet e fundit të ish-kryeministrit për këtë temë, vetëm sa ngatërrojnë ndjekës të caktuar në Facebook. Si njeri me shumë informacion dhe që e do shumë Atdheun, z. Berisha ka detyrimin të bëjë një sqarim, apo një parashtrim më të hollësishëm të tradhëtisë që po konsumohet, në mënyrë që edhe të kuptojmë diçka, por edhe të mos ecim qorrazi pas lajmeve me koordinata. Përndryshe, le të eksperimentojë me ndarjen e ujërave të pusit, apo të vaskës dhe t’ia rekomandojë si model Presidentit të Republikës për të kuptuar më mirë tradhëtinë, të cilën nuk e beson kush pas këtyre komenteve shumë të paqëndrueshme logjikisht.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.