Karrigia

Postuar në 04 Qershor, 2018 21:45
Ilir Mborja

Tregojnë se dikur, diku në një cep të Ilirisë së Poshtëme, rasti e kishte sjellë të mbretëronte një vashë e re me një pamje disi melankolike që quhej Arta. Një ditë, bashkë me shpurën e vet, ajo kishte dalë për gjah. E veshur me kostumin e gjuetisë dhe me harkun e torbën e shigjetave hedhur krahëqafë, e mrekulluar nga meloditë e cicërimave të laureshave magjike, për pak çaste e lëshoi veten të kalëronte e shkujdesur në një kodrinë të pyllëzuar me gjithëfarëlloj pemësh e shkurresh. Gjysmë e dehur nga aroma e natyrës së virgjër u përmallua për kohën me vetminë e pacënueshme që kishte pasur dikur. Gjithashtu, instiktivisht ndjeu se, pak vetmi aty në mes gjelbërimit të thellë, mbase do t’i shërbente për të zgjidhur vetmevete ca dilema rreth një sinqeriteti të cunguar që vërente tek njerëzit që e rrethonin në oborrin e saj mbretëror...

Pra, meqenëse ia kishte lënë të plotë lirinë kalit që të zgjidhte shtigjet, për një çast, u shkëput dhe humbi lidhjet me shoqëruesit e saj, që, të prirë nga langonjtë, ndiqnin erën e gjahut. Mirëpo, sapo iu shfaq para syve një lëndinë e vogël, vetmia e saj mori fund. E pa veten të rrethuar nga një lukuni e tërë qensh.

Dhe ishin të tillë që nuk ngjanin aspak me ato qentë e racës që përdoreshin për gjah dhe i prinin shpurës së saj. Qentë që e kishin rrethuar ngjanin më shumë me ujqër, por, kuptoheshin që nuk ishin të tillë, sepse nuk ulërinin si to. Ata vetëm lehnin dhe i hakërreheshin poshtë çizmeve të saj që shkëlqenin...

Nga një burrë me gunë e me krrabë që iu shfaq aty pari dhe një gardh i thurur me thupra që vuri re pak më tutje, kuptoi se kishte rënë në një stan bagëtish. Lehjet e tërbuara të qenve ndaluan në çast dhe menjëherë u larguan dhe e çliruan mbretëreshën mbi kalë, kur burri me gunë e me krrabë, që u kuptua se ishte bariu i stanit, u thirri në emër: Kuç Moni! Kuç Muli! Kuç Luli! Tutje Balo!
Atëherë, kur qentë u larguan me bisht ndër shalë, mbretëresha i zbriti kalit dhe, duke e falenderuar me plot përulësi bariun, i shprehu kureshtjen e saj duke e pyetur se si kishte arritur t’i kishte bërë aq të bindur qentë e tij?
Bariu, që nuk e njihte për fytyrë mbretëreshën e re dhe nuk e dinte se me cilën fliste, iu përgjigj labçe: “Pse? Ç’më pandeh zotrote mua? Mos më merr për mbretëreshën që s’është në gjendje të bëjë zap qentë e saj?

Kaq tha bariu dhe gjahtarja fisnike u largua dhe u bashkua me shpurën e saj që ndërkohë ia kishte behur aty pranë...
*
Të nesërmën, mbretëresha dërgoi njerëz që nga stani i tij, t’ia sillnin aty në pallatin e saj bariun që njohu një ditë më parë. Vetëm kur u përballën, bariu kuptoi se, gjahtarja e trishtuar dhe e bezdisur nga qentë e tij, paskësh qenë vetë mbretëresha.

Mirë se erdhët!” – iu drejtua e buzëqeshur dhe plot mirësjellje mbretëresha që rrethohej nga disa burra me uniforma ushtarake e që duhet të ishin oficerët e saj. Pastaj, aty për aty shtoi:

Unë jam mbretëresha. Ju kam thirrur që, nëse dëshironi edhe ju, të qëndroni pranë meje e të më ndihmoni për t’u mbrojtur nga qentë e mi. Pranoni që të më shërbeni si ministër i parë i imi?”...
Po, por vetëm me një kusht: Të më bindeni kurdoherë për ç’ka do t’ju këshilloj!” – iu përgjigj pasi u mendua pak bariu dhe bëri të ulej për tek karrigja që i tregoi me dorë mbretëresha.

Në çastin që e lëshoi veten të ulej, njëri nga oficerët e saj, Hajdari nga Mati, i xhelozuar nga fati i tij, për ta ofenduar e bërë qesharak ministrin e ri, ia hoqi karrigen... Bariu u rrëzua keq dhe sallonin mbretëror e mbuluan të qeshurat. Me thënë të drejtën u mërzit, por, gjithsesi, nuk e dha veten e duke u ngritur u mundua të verë buzën në gaz. Vetëm mbretëresha nuk qeshi. Ajo u prek nga veprimi i oficerit të saj dhe aty për aty, duke ngritur dorën e djathtë sikur do të betohej, bëri që të qeshurat të ndaleshin menjëherë...Duket se do të komunikonte diçka, por sytë i vajtën në atë çast tek bariu që pasi u ngrit, duke shkundur të pasmet, i bëri shenjë të dilnin pak mënjanë për të biseduar diçka.

Hajdarin do ta ekzekutoj” – i tha me zë të ulët mbretëresha bariut sapo iu afrua pranë.

Jo.” – iu përgjigj prerë bariu dhe i kujtoi mbretëreshës premtimin që sapo kishte marrë prej saj për t’iu bindur në çdo rast. Dhe ashtu u bë. Hajdari, sipas këshillës së bariut ministër mbeti oficer...
*
Nuk zgjati shumë dhe për arsye që nuk u morën vesh asnjëherë, diku në një periferi të Mbretërisë së Ilirisë së Poshtëme, plasi një kryengritje. “Kryengritja duhet shuar me zjarr e me hekur! Gjer në gjunj le të shkojë gjaku! Këtë betejë duhet ta udhëheqë një oficer trim si Hajdari!” – ishte këshilla që i përcolli bariu ministër mbretëreshës Arta dhe kuptohet, ashtu u bë. Brenda pak ditësh, gjaku i kryengritësve u derdh lumë dhe ata që mbetën gjallë u nënshtruan.
Pas kësaj, bariu i dha këshillën tjetër mbretëreshës: “Kryengritja vërtet u shua, por në popull ka mbetur urrejtja për ju Mbretëreshë e dashur. Prandaj, duhet shkuar menjëherë atje dhe njerëzit të sqarohen se Hajdari, si Hajdar që është, ka vepruar në kokë të tij, qëllimisht për të cënuar dashurinë tuaj për njerëzit!

Kuptohet, si përherë edhe këtë herë, mbretëresha nuk ia bëri fjalën dy ministrit të saj të ri dhe ashtu u bë: Pasi e diskretitoi para njërëzve, mbretëreshë Arta, këtë radhë në kokë të vet, dha vendimin dhe e dënoi me varje në litar Hajdarin. Kur e hipën në një karrige dhe i hodhën lakun në fyt, i afrohet bariu dhe, para se të shkelmonte karrigen, iu drejtua Hajdarit me këto fjalë: “Ja! Kështu hiqet karrigja.”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.