Itali/Dihet kush fitoi dhe kush humbi, por nuk dihet e ardhmja

Postuar në 07 Mars, 2018 20:24

Analiza mbi zgjedhjet e 4 marsit në Itali po përqendrohen tek emrat më shumë sesa tek politikat apo programet. Kjo është dëshmi e konfuzionit të madh të krijuar, por edhe pasigurisë që rrjedh nga fakti se devijimi i rrugës së vendit është diçka shumë më e madhe, e rrezikshme dhe e vështirë sesa premtimet elektorale. Duke marrë shkas edhe nga rasti i Greqisë, me një Tsipras që u shndërrua nga politikan rruge antiestablishment në një kanakar të Europës dhe SHBA-së është më konveninte që të lexosh kaosin e ri si atribut apo arsyetim që asociohet me disa persona. Në këtë kuptim në Itali duket se bien të gjithë dakord për një gjë: i humburi i zgjedhjeve është ish-kryeministri, kryetar i Partisë Demokratike, Matteo Renzi.

Mbi profiin e këtij politikani ka një konsensus befasues nga analistët: di të fitojë dhe të maksimizojë arritjet elektorale, di të mundë kundërshtarët në lojëra pallati, por nuk di kur duhet të tërhiqet. Do gjithçka për vete, e manifeston këtë gjë, nuk di ta fshehë, kërkon armiq për të përligjur alibitë e veta dhe në fund, humbet si askush tjetër. Renzi është shembulli i qartë i atij që fshikullohet për shkak të një arrogance të palogjikshme dhe një kokfortësie që nuk ka të bëjë me llogaritë politike.

Duhet të bënim zgjedhje në vitin 2017 që të kishim si temë axhendën europiane”, tha ai në konferencën e parë për shtyp pasi ishte shembur përtokë nga vota e italianëve. Një autokritikë që nuk i hyn kujt në xhep, sa kohë që ishin edhe politikat personale të tij që e çuan vendin në dorën e dy partive antieuropiane.

Por nëse vetë Renzi përfaqësonte një fazë rënieje të politikës italiane në raport me një brez më parë, me përfaqësimin intelektual dhe ideor që i jepte vendit perceptimin e një politike me përmbajtje dhe jo vetëm show, fituesit e sotshëm, janë finalizimi i një kohe të re. I një kohe ku vota e zgjedhësve duket se bën thirrje për një çmontim të sistemit të vjetër, të hallkave ndërmjetësuese të shoqërisë deri në vendimmarrje. Është ajo që drejtuesi i lëvizjes “Pesë Yjet”, Luigi di Maio e quante në një letër të hapur drejtuar gazetës “La Repubblica” si “Republika e Qytetarëve”. Di Maio flet për nisjen e Republikës së Tretë, ai preferon ta përkufizojë 4 marsin si datë historike që ndan dy kohë, me një retorikë që ka si temë kryesore Ndryshimin, por që mbetet deri më tani i papërkufizuar qartë se çfarë është.

Është jo pa interes të theksohet se dy fituesit e zgjedhjeve, Matteo Salvini i Lega Nord(124 vende në Parlament, 260 bashkë me Forza Italia) dhe Luigi di Maio i “Pesë Yjet”(221 vende), janë të dy të padiplomuar. Edhe di Maio edhe Salvini kanë lënë në mes studimet e larta për t’u marrë me politikë. I pari i datëlindjes 1986, pasi mbaroi gjimnazin, u regjistrua për inxhinieri e më pas për jurisprudencë. Punon si gazetar, pastaj si stewart në stadium apo si webmaster.

I dyti i datëlindjes 1973 ka një aktivitet politik të hershëm, edhe pse dikur nisi nga e majta për t’u hedhur djathtas më vonë. Është e vështirë të mendohet tani se këta dy njerëz do të dinë të menaxhojnë një Itali që ndodhet në një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë së re dhe me probleme shumë komplekse ekonomike, financiare, por edhe demografike. Ky rebus që po përsëritet në disa vende në kohën tnë, duket se na thotë se problemet duhen artikuluar për atë që janë, ose duhen zgjidhur dhe se në kohën e internetit, politika nuk ka më mjetet e dikurshme të menaxhimit të situatave përmes kontrollit të informacionit.

Në një kohë hiperaktivizimi politik apo më mirë retorik, çdo segment i margjinalizuar mund të radikalizojë apelin e vet, që e gjen shumë kollaj edhe në rrjetet sociale. Fitorja e di Maios dhe Salvinit është edhe një përgjigje ndaj burokratizimit të politikës së vjetër italiane e cila nuk arriti të kapte dot ritmin dhe të vlerësonte ankthin e një shoqërie të ekspozuar shumë në disa drejtime.

Sondazhet e organizuara pas zgjdhjeve flasin edhe më mirë për spiralen ku ka hyrë Italia. 32% e italianëve shprehet pro koalicionit Lega Nord - Lëvizja “Pesë Yjet” 29% për aleancën “Pesë Yjet” - PD 51% besojnë se do të ketë sërish zgjedhje 30% beson se nga zgjedhjet e 4 marsit do të ketë qeveri stabël 52% janë të pasigurtë për të ardhmen e Italisë 40% shohin Luigi Di Maio si kryeministër 21% Matteo Salvinin. Në një opinion të vetin në Corriere della Sera, Angelo Panebianco, shkruan se çelësi për të kuptuar të ardhmen e politikës italiane është Gjeografia e Votës.

Ndarja Jug-Veri që vihet re në votën për Lega Nord dhe Qendrën e Djathtë dhe në atë për “Pesë Yjet” sugjeron se bipolarizmi ekonomik po reflekton ndarje të mëdha në aspektin politik. Panebianco vëren se Italisë së sotme i mungon një subjekt federues, rol që dikur, në Luftën e Ftohtë e luante Demokracia Kristiane, më vonë Silivio Berlusconi dhe më tej akoma, kjo u bë pjesë e ambicieve të PD-së së Renzit.

Sipas tij, lufta për territorin dhe ndarjen e burimeve mundet edhe të bëhet pjesë qendrore e axhendës parlamentare.

Italia është vendi ku ekzistojnë Itali të organizuara ndryshe, që funksionojnë ndryshe, me kërkesa, aspirata dhe interesa të ndryshme. Arti i vërtetë i qeverisjes, këtu te ne, përhera ka konsistur në kapacitetin për të ndalur që ato të vijnë në përplasje me njëra-tjetrën

shkruan Panebianco në një lexim thuajse ideologjiko-historik të votës së 4 marsit. E megjithatë askush deri më sot nuk ka evidentuar arsye programore dhe sociale të vërteta për këtë votë. Në një vend ku papunësia është të paktën 3% më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, është i pakuptueshëm mirë ky fragmentarizim.

Nga një pikëpamje europiane, BE-ja duket se e ka humbur të drejtën për të ekzistuar, në formatin institucional aktual, në Europën e Jugut. Italia i bashkohet prirjeve të forta në Spanjë dhe Greqisë, apo edhe Francës që në zgjedhjet e fundit zgjodhi aventurën. Është një mesazh i shumëfishtë që ka si rezultante refuzimin e BE-së, klubit që funksionon mirë në të tjera parametra kulturorë dhe ekonomikë. Dhe një mesazh i tillë nga të varfërit e tij, duhet të lexohet mirë edhe në vende si Shqipëria, popullisë të së cilës i thonë se duhet të shkojmë në Europë, por pa ia shpjeguar se çfarë do të thotë një gjë e tillë dhe pse problemet kryesore të saj depozitohen kaq fort në vende si Italia, Greqia që janë edhe më afër nesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.