Heshtja e intelektualëve - rasti kritik i Italisë

Postuar në 04 Mars, 2018 02:08
Ernesto Galli della Loggia

Ka qenë një kohë në Itali, kur në prag të çdo takimi elektoral gëlonin apelet, shprehja e qëndrimeve firmosur nga lista të gjata shkrimtarësh, profesorësh të universitetit të çdo dege, gazetarëve, burrave dhe grave të kinemasë dhe televizionit që ftonin njerëzit të votonin për këtaq apo për atë(thujase përherë ç’është e vërteta për parti të së majtës). Sot ama mbretëron heshtja më e plotë. Duket se askush më nuk e ndjen se duhet të investojë emrin e vet në favor të ndonjë partie.

Sigurisht që në teori kësaj mund t’i gëzohemi. Kishte patjetër shumëçka retorike, madje sipërfaqësore, naive e madje edhe oportuniste, në apelet e dikurshëm. Lëvizje shpesh për konformizëm rrethanor. Por në mënyrën e tyre ato ishin edhe diçka tjetër: ishin rezultati fundor i një tradite të gjatë të angazhimit kombëtar të intelektualëve dhe klasave të arsimuara italiane. I një përfshirjeje autentike në punët e vendit, në shpresat e tij, përpjekjet për t’u rritur dhe modernizuar, në luftërat e veta civile. Edhe në iliuzionet e veta, natyrisht, pa përjashtuar edhe ato më fatalet.

Ishte një traditë e angazhimit kombëtar e nisur në fillimet e ‘800-ës – asokohe në gadishull ushtonin fort dy “thirrje” të “Varreve” foskoliane(1807) dhe të këngës “Italisë”(1818) të Giacomo Leopardit – dhe që me Bashkimin u bë edhe më politike.

Një traditë që mbeti shumë e gjallë deri në fund të Republikës së Parë, pasi kishte kaluar në të gjithë ‘900-ën tonë dhe pasi kishte shenjuar në mënyrë përcaktuese të gjithë itinerarin ideologjik të Italisë. Shumë e injoruan, por si për të mirë ashtu edhe për të keq, poetët, romancierët, shkencëtarët, regjizorët, shkrimtarët, gazetarët, kanë bërë për Italinë si pak të tjerë.

Sot sidomos, ndonëse prej kohësh tashmë, nuk është më kështu. Intelektualët italianë, kultura në përgjithësi duket se nuk ka më interes për Italinë, për fatet e saj si dhe për të ardhmen. Dhe ndoshta as nuk duan ta bëjnë. E vështirë ta thuash nëse kjo vjen nga mungesa e besimit, nga lodhja, nga mungesa e ideve të fuqishme, apo sepse politika nuk ka më nevojë për këto ide, pasi nuk ka as dëshirën dhe as aftësinë të dëgjojë qoftë edhe ndonjë diskutim që dallon sadopak nga grigja e saj e zakonshme dhe nga punët e vockla të zhurmshme të përditmërisë.

Është e vështirë të mos I dorëzohesh përhtypjes se humbja e një karakteri kaq tipik për çështjen tonë kombëtare, siç është angazhimi politik i intelektualëve, edhe kjo bashkë me shumë simptoma të tjera, dëshmon se diçka është prishur në fibrën e vendit dhe identetin e tij historik. Se sot Italia gjendet përballë një krize, e cila, më shumë sesa e lidhur me faktorë ekonomikë, është një krizë që i dedikohet pasigurisë për sensin e brendshëm të saj për rolin dhe të ardhmen e vet, një krizë vullneti për jetën(rënia e lindjeve!) sikurse e kapacitetit për të lidhur të djeshmen me të sotmen dhe të nesërmen në një perspektivë që të ketë kuptim dhe vlerë.

Një krizë pra, që kërkon si kurrë më parë kurajon për veprim nga ana e politikës ngë njëra anë dhe të inteligjencës së kulturës nga ana tjetër; pikërisht për këtë arsye shfaqet mungesa dramatike e të dyjave. Simptoma e krizës që përfaqësohet nga ky largim/largësi e intelektualëve në raport me politikën, nga dorëheqja e tyre e heshtur nga një rol në kuptimin kombëtar, theksohet edhe më shumë në aspektin e saj negativ nga një dukuri shoqëruese dhe vetëm në dukje e ndryshme. E kam fjalën për emigracionin masiv të të rinjve italianë drejt universiteteve, qendrave kërkimore, institucioneve industriale dhe financiare, organizatave ndërkombëtare jashtë kufijve tanë.

Për të cilën më duket e drejtë të pyesim: mos është vallë ky emigracion një manifestim i ri – natyrisht i përshtatur me kohën – i atij “funksionit kozmopolit” të të arsimuarve italianë për të cilët në kohën e vet fliste Gramsci? Në historinë tonë, ai na kujton, se para emigracionit të parë të madh të masave të varfra mes viteve ‘800-‘900, në shekujt e gjatë nga vitet ‘400-‘700, ishte emigrimi i admiralëve dhe liderëve, njerëzve të oborrit, shkrimtarëve, artistëve, gjeografëve: “një emigracion italianësh që përfqësonin teknikën dhe aftësinë drejtuese, element që kanë pasuruar shtetet europiane me kontributin e tyre”. Ka patur pra “një përqendrim kulturor kozmopolit” që përhapej nga gadishulli drejt vendeve të tjera, që ndoshta mund të shikohet edhe si një përhapje e “gjenisë” italiane në botë, por në të njëjtën kohë ajo ka qenë edhe ana tjetër, në mos shkaku – është përherë Gramsci që shkruan – i “një dobësie shtetërore dhe kombëtare”.

Sot – çdo gjë na bën të besojmë – se ajo “dobësi shtetërore dhe kombëtare” përballet sërish në mënyrë prepotente me historinë tonë dhe sërish përfaqëson një letër lakmusi për rolin dhe fatin e të arsimuarve.  Qoftë të intelektualëve tradicionalë nëse mund të themi kështu – atyre që përjetojnë një lidhje të fortë me të kaluarën dhe angazhohen qartë në prodhimin kulturor, ideve dhe vlerave të shoqërisë dhe pra domosdoshmërisht edhe politikës – por edhe të arsimuarve në shumë fusha të specializuara që kanë shumë rezultate praktike.

Të dyja palët bashkohen nga një krizë që për të parët konsiston në zhvlerësimin e funksionit të tyre politiko-publik të orientimit dhe refleksionit në raport me bashkëqytetarët, kurse për të dytët në pamundësinë për të vënë në punë njohuritë e tyre  për të mirën e bashkëisë ku bëjnë pjesë. Në çdo rast me një efekt çrrënjosës, virtual apo praktik kjo nuk ka rëndësi, nga një Itali që as për ta nuk duket më e aftë të ofrojë ndonjë vend.

Burimi: Corriere Della Sera

Përkthimi/titullli: ResPublica

PS: Shkrimin e përkthyem për shkak se trajton një dukuri që nuk kufizohet vetëm në Itali

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.