Elaborati i shërbimit sekret jugosllav për aktivitetin e katër Fuqive të Mëdha në Shqipëri*

Postuar në 11 Nëntor, 2017 13:20
Qerim Lita

Dokumenti, përkatësisht elaborati mban titullin “Shqipëria”. I njëjti është hartuar në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore nga shërbimi famëkeq jugosllav OZN-a (Organizacija Zashtita Naroda – në shqip, Organizata për Mbrojtjen e Popullit), i cili udhëhiqej nga Aleksandër Rankoviqi. Origjinali i tij gjendet në Arkivin e Jugosllavisë – Beograd, ndërsa një kopje e tij gjendet edhe në Arkivin shtetëror të Republikës së Maqedonisë, fondi 885. Në të, siç do të shihet përshkruhet veprimtaria diplomatike të tre fuqive të atëhershme evropiane: Italisë, Gjermanisë dhe Britania së Madhe, për shtrirjen e ndikimit të tyre në krahinat e caktuara shqiptare, si brenda shtetit shqiptar po ashtu edhe në ato të cilat ishin nën pushtimin jugosllav.

Ky interesim erdhi në shprehje, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së Perandorisë Austro-Hungareze, e cila siç dihet ishte fuqia e vetme evropiane e cila i mbronte interesat e kombit shqiptar. Gjermania, duke i shfrytëzuar përparësitë të trashëguara nga Austro-Hungaria, thuhej në elaborat, filloi fushatën e vet për përfitimin e kombit shqiptar, në radhë të parë në trevat veriore e të mesme të shtetit shqiptar, si dhe në tokat shqiptare nën Jugosllavi. Po në atë periudhë kohore, një interes të shtuar ndaj çështjes shqiptare pati edhe Britania e Madhe, e cila për shkak rrezikut që i kanosej nga Italia në Lindjen e Mesme, aktivitetin e saj e shtriu në dy pikat strategjike të bregdetit shqiptar, Vlorën dhe Durrësin. Në Elaborat, në pika të shkurta përshkruhet edhe aktiviteti italian midis dy luftërave botërore, përkatësisht, përpjekjet për ta shtrirë ndikimin e saj në tokat shqiptare nën Jugosllavi. 

* * *

“I. AKSIONI ITALIAN DERI NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Grupimi i italianëve ishte me sa vijon:

  1. a) Uficio I – Tiranë.- Vepron në linjat: Banovina e Vardarit dhe e Zetës. Bashkëpunon me Shërbimin Informativ Shqiptar dhe me komitetet ilegale “Komiteti i Kosovës” dhe “VMRO”, veprimtaria e të cilave në terren është e përbashkët dhe e sinkronizuar. Ajo ka oficerët e vet të zbulimit /SIM-it/ në këto pika:

SHKODËR me linjat e veprimit: Ulqin – Tivar – Budvë; Liqeni i Shkodrës – Cetinje Kotor; Podgoricë – Nikshiq- Plevle, përkatësisht Sjenicë- Novi Pazar.

KUKËS me linjat e veprimit: Prizren – hapësira Dukagjin – Kosovë – Prishtinë – Podujevë – Nish në malin e Karadakut.

ELBASAN me linjat e veprimit: Dibër – Shkup – Kumanovë – Kriva Pallankë me Luginën e Epërme të Vardarit.

KORÇË me linjat e veprimit: Manastir – zona kufitare kah Greqia.

Duke e shqyrtuar hollësisht këtë organizatë të krijuar, vërehet kjo:

Në Shkodër në dispozicion ka një numër shumë të madh të njerëzve me të cilët bashkëpunon. Ato janë fiset shqiptare Gruda e Hoti në Mal të Zi dhe përkrahësit e dinastisë së Petroviq Njegoshit, të njohur si “të gjelbërit”, si dhe myslimanët e Sanxhakut. Të gjithë të pakënaqurit të cilët për shkak rrethanave politike kanë qenë të detyruar ta fshehin disponimin e tyre shpirtëror e të tjetërsohen.

Shumë interesante dhe i vëllimshëm ka qenë aktiviteti në Kukës ku deri në shpërthimin e luftës ishte kapiteni italian, së bashku me togerin shqiptar. Ata patën një rrjetë shumë të volumshëm e të ngushtë të bashkëpunëtorëve në mbarë territorin, linjat e të cilëve shkonin përmes Prishtinës e Karadakut. Ndërtimi i asaj linje ishte lehtësuese për arsye se ajo hapësirë ishte kryesisht e banuar me popullsi shqiptare, e cila synonte bashkëngjitjen me Shqipërinë, dhe për këtë arsye ishte tepër e pakënaqur për shkak zbatimit të reformës agrare, pamundësisë së shprehjes politike, mospasjes së shkollave në gjuhën amtare dhe së fundi përpjekjet e shtetit për ta detyruar të shpërngulet. Oficeri italian zhvilloi një propagandë shumë të mirë, ndihmoi kudo, përfshi edhe lëvizjen më të vogël, dërgonte në Jugosllavi çeta të armatosura. Çerdhet kryesore të tij ishin vendet ku shtriheshin garnizonet e fuqishme jugosllave, si dhe zonat: Suharekë, Drenicë, Shalë e Karadak. Nga njohuritë tona ai arriti rezultate të mëdha, i njihte shumë mirë trevat shqiptare, e fliste pastër gjuhën shqipe dhe ishte i respektuar nga gjeneral Pariani, i cili mbante lidhje të ngushta si me Komitetin e Kosovës po ashtu edhe me VMRO-në. Ndaj kapiten Antikës, në të ardhmen do të duhet t’i kushtojmë vëmendje, për arsye se me siguri se ai për një kohë të shkurtë sërish do të paraqitet në Shqipëri.

Në Elbasan italianët si hapësirë të veprimtarisë së tyre i patën trevat të cilat gjithashtu janë të banuara me shqiptarë dhe si qëllim primar ishte çerdhja e gjerë e Shkupit, ku qëndronte konsulli italian. Pasi rrethanat në atë hapësirë ishin të ngjashme me atë të Kukësit me të vetmin dallim se këtu veprimtaria dhe bashkëpunimi me VMRO-në dhe me shërbimin informativ bullgar ishte me rëndësi të jashtëzakonshme. Çetat bullgare gjatë lëvizjeve të tyre përmes Maqedonisë futeshin brenda kufirit të Shqipërisë, ku atje pranoheshin, mirëmbaheshin dhe furnizoheshin, më pas ktheheshin prapa në Bullgari.

  1. PËRFITIMI I KOMBIT SHQIPTAR NGA ANA E GJERMANISË

Përfitimi i kombit shqiptar është kryer në mënyrë sistematike, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ku gjerësisht është shfrytëzuar përparësia të cilën e pati politika Austro-hungareze në Ballkan, të krijuar gjatë veprimtarisë më shumë se 200 vjeçare, Rajhu i Tretë pas ardhjes të nacionalistëve në pushtet në vitin 1933, kujdes të veçantë i kushtoi çështjes shqiptare në Jugosllavi, por edhe lidhjeve të vjetra në shtetin shqiptar, të cilat ishin të fuqishme. Gjatë kësaj, politika gjermane i përcolli rrugët tash më të përmbysura, por njëkohësisht i hulumtonte dhe shfrytëzonte ato rrugë, të cilat çonin më së miri deri te qëllimi.

Në Jugosllavi veçmas në Sanxhak, në Kosovë, Llap, Drenicë, Dukagjin, Prizren e në Karadak, austriakët që në pjesën e parë të shekullit 19-të punuan shumë me shqiptarët, përmes konsullatave dhe lidhjeve të veta tregtare.

Është e njohur, se konsulli austriak Han në mënyrë të detajuar e ka hulumtuar kombin shqiptar dhe për të ka shkruar tre vepra të cilat nga shkenca botërore konsiderohen si burimore për atë komb, ndërsa në mesin e shqiptarëve si vepra më të mira, më të hollësishme e më të sakta nga të gjitha veprat e shkruara deri më tash edhe pse janë të botuara thuajse para 100 viteve. Gjatë rrugëtimit të tij, Han krijoi organizatën informative shumë të zgjeruar, e cila Austro-Hungarisë i solli pozitën thuajse monopole në artikujt evropiane të Turqisë evropiane.

Shërbimi informativ austro-hungarez i cili gjatë viteve 1888-1908 shtrihej në Sanxhakun e Novi Pazarit ishte shumë aktiv në mbarë Shqipërinë (në origjinal Arnautllëk – Q. L.), për arsye se përmes saj shkonte drejtimi kryesor kah Selaniku, ku politika austro-hungareze synonte të krijojë rrjetin e dendur të agjenturës, rrugë e cila ndikonte në të gjitha ngjarjet politike në Turqinë evropiane. Atë e ndihmonin edhe oficerët e reformuar austriak, duke punuar në detyrën e njëjtë në sanxhakun e atëhershëm të Shkupit, nga viti 1903 e deri në vitin 1908. Në të gjitha lëvizjet revolucionare në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, ndihma e pandërprerë politike e materiale Austro-hungareze e cila përfshihej në para e armatim, pati ndikim vendimtar. Konsullatat Austro-Hungareze në Mitrovicën e Kosovës, Prizren, Shkup, Shkodër ishin çerdhet e shërbimit informativ. Agjentët austriak të shtabit të përgjithshëm, si baroni Napoça, majori Spajiq e të tjerë asaj kohe dërgonin të besuarit e tyre në mesin e parisë shqiptare, të cilët u kryenin shërbime të rëndësishme.

Bashkëpunimi u zgjerua edhe më shumë, gjatë kohës së pushtimit Austro-Hungarez 1916-1918. Shqiptarët, e trevave të Serbisë së atëhershme pas vitit 1912 e të Malit të Zi me kënaqësi vendosën lidhje me Austro-Hungarinë, për arsye se te ajo patën shpresën se do t’i bashkojë me Shqipërinë. Në këtë mënyrë u krijuan familje shqiptare, nga të cilat kaloi në traditë bashkëpunimi me politikën austro-hungareze. Të tilla ishin Zvezdiçët në Sjenicë, Nikshiqët në Novi Pazar, Devët dhe Dragët në Mitrovicë, Begollet dhe Bedri bej Pejani në Pejë, Fuat bej Dibra në Dibër, Hasan bej Prishtina, Rexhep Mitrovica etj.

Shërbimi informativ gjerman synonte të vendos lidhje me ato personalitete të shquara. Gabimet të cilat i krijonte politika jugosllave, ndaj pakicës shqiptare në territorin e saj janë shfrytëzuar edhe në lidhje me premtimet e ndryshme, të cilat te shqiptarët shkaktuan një farë shprese për në të ardhmen.

Figura kryesore e Austro-Hungarisë, Hasan bej Prishtina, në vitin 1914 themeloi “Komitetin e Kosovës” i cili pas vitit 1918 ishte shumë aktiv në Kosovë, Drenicë, Dukagjin e Sanxhak. Çetat e shumta ilegale të cilat lëviznin nëpër male, i bënin rrugët të pasigurta dhe kryenin propagandë nacionaliste. Emrat si të Feriz Sallkoviqit, Mehmet Begollit, Azem Bejtës etj., u bënë shumë të njohur edhe në Jugosllavi. Shqiptarët ishin të prekur për shkak zbatimit të padrejtë të reformës agrare, për shkak të moslejimit të shkollave në gjuhën e tyre amtare, për shkak të kryerjes së shërbimit ushtarak në viset e largëta të shtetit, për shkak kolonizimit të viseve të tyre, me njerëz të viseve tjera, për shkak synimit të regjimeve të ndryshme jugosllave, që t’i shpërngulin nga trevat e tyre etnike e ti zëvendësojë me jugosllav, që kjo më së shumti u pa nga marrëveshja e Stojadinoviqit me Turqinë, me të cilën shqiptarët u konsideruan për turq, e së fundi për shkak veprimeve të ndryshme të pushtetarëve vendor dhe për shkak korrupsionit, që mori përmasa gjithnjë e më të mëdha, që më së shumti i preki shqiptarët e atyre trevave.

Premtimet e agjentëve gjerman se do të ndërpriten dukuritë e tilla dhe se trevat e banuara me shqiptar do të bashkohen me Shqipërinë, ndikoi, që simpatia e masave shqiptare të kaloj më shumë në anën e Gjermanisë, që mori rrjedhë edhe më të gjerë, kur nga fitoret e lehta e të mëdha të ushtrisë gjermane mund të konkludohej se ajo është e paevitueshme, siç u pa në fazën e parë të luftës deri në sulmin ndaj sovjetikëve.

Në shtetin shqiptar, Gjermania vëmendje më të madhe u kushtoi banorëve të pjesës së Shqipërisë Veriore e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë Jugore nuk mund të llogariste shumë, për arsye se shtrihej kah Greqia, përkatësisht në sferën e veprimtarisë angleze, por nuk pati as traditë nga vitet e mëhershme.

Në mesin e gegëve në Shqipërinë Veriore ka rreth 100.000 deri 110.000 të besimit katolik, ndaj të cilëve Austro-Hungaria ka kryer protektorat për mbrojtjen e tyre, që asaj ia mundësonte Marrëveshja për paqe e Karrllovcit të nënshkruar në vitin 1689 midis dy perandorive. Këtë privilegj Austro-Hungaria e shfrytëzoi për qëllime politike dhe veprimtaria e saj atje ishte shumë e fuqishme nga viti 1870 e këndej. Ajo ngjalli aspiratën e shqiptarëve për pavarësi, për formimin e Lidhjes Shqiptare, e cila në vitin 1880 shpalli autonominë e Shqipërisë nën udhëheqjen e Prenk Bib Dodës, kapitenin e shqiptarit katolik të fiseve mirditore, me çka plotësohet dëshira e Austro-Hungarisë, që Shqipëria të udhëhiqet nga një katolik. Në të vërtetë Turqia e përmbysi Lidhjen Shqiptare, ndërsa Prenk Bib Dodën e internoi në Azinë e Vogël, duke ia dhënë titullin Pashë. Mirëpo ideja e pavarësisë, e cila u proklamua në Kongresin e parë të Lidhjes së Prizrenit, ngeli e gjallë dhe në shprehje vinte gjatë kryengritjeve të pandërprera në Shqipërinë Veriore e në Kosovë, dhe në vitin 1912 kur duke ardhur nga Trieste me anijen austriake, gjon-turku Ismail Qemali më 28 nëntor shpalli pavarësinë e shtetit shqiptar, pas të cilit akt qëndronte Austro-Hungaria. Princi i parë i shtetit, princ Vidi është njeri austriak, ndërsa pas pushtimit të pjesës veriore, Austro-Hungaria synon të përfitoj për vete sa më shumë personalitete. Në mesin e tyre është Ahmet Zogu, nënkoloneli austriak, Bajram Curri, nënkoloneli austriak, Gurrakuqi nga Shkodra, shefi i Mirditës Gjon Marka Gjoni. Eksponenti i Austro-Hungarisë, Italia gjatë viteve 1916-1918 mbante pjesën jugore. Nga viti 1920 në vend paraqitet ndikimi i Britanisë së Madhe dhe i deleguari i saj në Shqipëri, synon t’i përfitojë fiset e Dibrës së Epërme e të Poshtme, Matin, Zhurin, Krujën etj., si dhe në Shqipërinë e Mesme.

…. Nga kjo pasqyrë e shkurtë shihet se çerdhja më e fuqishme e Gjermanisë ishte te shqiptarët e Jugosllavisë, në linjën malore në perëndim të Malit Sharr e të Karadakut, pastaj te shqiptarët e pellgut të epërm të Vardarit. Simpati shumë më të vogël gjermanët kanë në mesin e gegëve të Shqipërisë së Veriut e të Mesme, ndërsa fare nuk kanë në Shqipërinë e Jugut dhe te pronarët e mëdhenj në Shqipërinë e Mesme, si dhe te fiset e Dibrës, Matit e Zhurit, si dhe përreth Elbasanit dhe në zonat e liqeve të mëdhenj të Maqedonisë.

III. AKSIONI I BRITANISË SË MADHE NË SHQIPËRI

Gjatë Luftës së Parë Botërore aktiviteti i flotës austriake e të nëndetëses gjermane e rrezikuan seriozisht rrugën nëndetëse të Britanisë së Madhe kah Deti Mesdhe dhe Kanalin e Suezit për në Indi dhe Lindjen e Largët. Një përsëritje dhe një rrezik i tillë nuk guxohej të përsëritej. Bazat e Gjibraltarit, Martës e të Aleksandrisë u treguan si të pamjaftueshme prandaj ishte i domosdoshëm zgjerimi dhe përforcimi i sistemit mbrojtës, sidomos kur Italia fashiste i filloi aspiratat për mbisundimin në pjesën lindore të Detit Mesdhe. Prandaj Anglia aktivitetin e saj e përforcoi në Ballkan me synim ta përfshijë Greqinë dhe pjesën jugore të Shqipërisë në sistemin e vet mbrojtës dhe në pikat e rëndësishme bregdetare të Adriatikut, të arrijë te bazat e fuqishme të flotës e ushtrisë së saj. Në bregdetin shqiptar, në shprehje erdhën Vlora e Durrësi, ndërsa në atë jugosllav, Bokakotorri, Dubrovniku, Spliti e Shibeniku. Në këtë drejtim, Vlora pati një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, për arsye se i posedonte të gjitha kushtet për ndërtimin e bazës së madhe e të fuqishme nëndetëse, e cila në prapaskenën e saj të afërt veç tjerash ka edhe burimin e madh të naftës, kapaciteti i të cilit në vitin 1939 arrinte në 900.000 tonë në vit. Nga ajo pikë veç tjerash është edhe rruga më e shkurt për në Selanik, pika më e rëndësishme e Ballkanit, që Anglia gjithsesi se pati për synim ta merr edhe atë.

Për sa u tha më sipër, arrihet te konkluzioni se çfarë rëndësie ushtarako-politike paraqiste Shqipëria për sigurinë imperialiste të Britanisë së Madhe.

Duke filluar nga viti 1919, dukshëm shtohet interesi i Anglisë për Shqipërinë, e cila në shprehje vjen në mbrojtjen e atij shteti nga agresioni i shteteve fqinje, në radhë të parë të Jugosllavisë e Italisë dhe në krijimin e rrjetit të gjerë të Servisit Intilixhens anglez, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Baza e shërbimit informativ të Anglisë në Ballkan ishte Selaniku me degët në Athinë, Tiranë, Beograd, Mitrovicën e Kosovës dhe Shkup. Në Shqipëri, Anglia veç tjerash, në duart e veta arriti ta merr komandën e xhandarmërisë dhe mundësinë që në atë shtet të dërgoj, një pjesë më të madhe të oficerëve e agjentëve me përvojë, të cilët atje e kontrollonin punën e Italisë e të Jugosllavisë e të kryejnë tkurrje. Organizatat në Shkup, Beograd e Mitrovicë të Kosovës, i mbajnë nën kontrollin e drejtpërdrejt të Jugosllavisë me qëllim të njohurive për qëllimet e tyre politike në raport me Shqipërinë e vëzhgimin e veprimtarisë politike të udhëheqësve të pakicës shqiptare, si në raport me shtetin e tyre, po ashtu edhe në pikëpamjen e lidhjes me botën e jashtme, sidomos me Italinë e Gjermaninë, por me siguri edhe për t’i përfituar për vete.

  1. S. (Intelixhens Servis – Q. L.) mbante lidhje të ngushta me masonët, duke synuar dhe arriti t’i përfitoj për vete njerëzit udhëheqës me orientim demokrat e liridashës, e të arrij deri te ndikimi te sektet myslimane bektashiane-rufaite etj., të cilët janë të fuqishëm sidomos në Shqipërinë e Mesme e të Jugut që konsiderohet se numri i tyre në Shqipëri arrin deri më 200.000, ndërsa në Jugosllavi në jug 50-60 mijë, si fuqi e madhe myslimane, Anglia veç tjerash udhëhoqi aksionin pan-islam në mesin e shqiptarëve, dhe lehtësoi lidhjet me Egjiptin dhe me shtetet Arabe, që të gjitha ose ishin koloni angleze, ose nën ndikimin e fuqishëm të Britanisë së Madhe.

Gjatë veprimtarisë thuajse njëzetvjeçare, I.S., arriti të vendos lidhje të mira me krerët shqiptar në Dibrën e Epërm, Mat, Zhur, por edhe në mesin e krerëve katolik në veri të shtetit. Veprimtaria e saj është intensive dhe e suksesshme, veçmas në jug të vendit, i cili jep numrin më të madh të intelektualëve në shoqërinë shqiptare dhe ku ajo mbështetet edhe në aksionin e propagandës greke. Aty si baza më të rëndësishme janë, Elbasani, Korça, Leskoviku, Vlora etj, ku oficerët e I. S., si gjeneral Persi, nënkolonelët: Sterling, Hill, Kripsë, të cilët arritën të afirmohen në rrethet udhëheqëse shqiptare, e së fundi ta përfitojnë edhe mbretin Zog për politikën e Britanisë së Madhe, kundër Italisë e më vonë edhe Gjermanisë.

Është e njohur se trupat shqiptare në luftën Greko-Italiane 1940/41 luftuan pa dëshirën e tyre dhe se pati dezertime të mëdha nga ana e ushtarëve.

Si përgatitje për luftën jugosllave-gjermane, I. S., parashikonte kryengritje me përmasa të gjëra në Shqipërinë Veriore. Në shprehje vinin fiset mirditore, pastaj fiset Gash, Berishë, Bytyq, pjesë e mirë e Krasniqëve, Kelmendët e të tjerë, të cilët do të duhej ta ngrinin emigracionin shqiptar në Jugosllavi dhe me ndihmën e ushtrisë jugosllave ta zgjerojnë e të lidhen me forcat italiane në vend. Në Gjakovë u dërgua një sasi e konsiderueshme e arit anglez që rruhej në mullirin e Gani bej Kryeziut të cilit si i besuari jugosllav, iu dha roli i rëndësishëm në përgatitjen e kryengritjes. Vërtetë, ai me 6 prill 1941 edhe e filloi, mirëpo për shkak përparimit të menjëhershëm të ushtrisë gjermane, dhe krijimit të dezorganizimit e të përmbysjes së trupave jugosllave, nuk pati mundësi të zgjerohet e përforcohet deri në ato përmasë, të cilën e dëshironin anglezët. Në këtë mënyrë nënkolonelët Hill e Kripos, organizator të kryengritjes, në gjysmën e muajit prill 1941 u detyruan ta lëshojnë vendin e të strehohen në Egjipt.

Në fillim të vitit 1942, Hilli kthehet, vendos lidhje me kolonel Muharem Bajraktarin në Lumë dhe bisedojnë temën për aksionin kryengritës me karakter nacionalist. Kjo veprimtari ishte paralelisht me atë të cilën e zhvillonin me Drazha Mihajlloviqin në Serbi dhe në Greqi me kolonel Napoleon Zarvas. Anglezët synonin që aksionin kryengritës në Ballkan, ta bashkojnë e t’i japin një karakter të përgjithshëm, me qëllim të lidhjes së numrit sa më të madh, të trupave gjermane e italiane. Kjo përpjekje nuk pati sukses për shkak rezistimit, si të Bajraktarit, po ashtu edhe Zarvasit, që t’i nënshtrohen Mihajlloviqit, i cili zhvillonte një politikë tërësisht të pamundur, sidomos në lidhje me shqiptarët.

Më pas me ndihmën e I. S. kalohet në organizimin e lëvizjes në përmasa të gjëra, në krye të së cilës qëndrojnë elementet demokratike dhe e cila njihet si “Balli Kombëtar”. Duke e pasur parasysh se kjo organizatë nuk pati as çfarë baze sociale, përkundrazi, shprehte aspiratat te bejlerët e pronarët e mëdhenj, që përmes tyre ta shtrinë ndikimin e vet, politik e social, edhe kjo nuk arriti të përfshijë masa të gjëra dhe t’i aftësojë për luftë.

Edhe përkrahësit e mbretit Zog, të cilët jetonin në Londër, u përpoqën që përmes disa aksioneve luftarake në terren në Mat, Krujë dhe Dibër të Epërme, por edhe ajo nuk dha ndonjë rezultat të duhur. Ata patën disa çeta në terren nga të cilat më të njohura ishin ato nën udhëheqjen e majorit Abaz Kupi. Tërë aktiviteti zhvillohej në veprimtari informative me I.S. angleze, përmes Byrosë shqiptare në Stamboll, në krye me Abdyrrahman Krosin, sibabai i Zogut, ndërsa eksponenti më i dalluar në krahinën e Dibrës është Miftar Kaloshi, vëllai i të cilit (Murat Kaloshi – Q. L.) gjithashtu është anëtar i Byrosë shqiptare të Stambollit dhe i cili më shumë herë ilegalisht viziton Shqipërinë me qëllim të marrjes së informatave.

Në mënyrë të pavarur nga ato përpjekje, nga mesi i vitit 1942 nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH-ë) filloi lëvizja nacionalçlirimtare partizane në vend, me ndihmën e dukshme të Byrosë Ballkanike sovjetike në Stamboll, Mislim Peza krijon organizatën dhe çetën e vet në afërsinë e drejtpërdrejtë të rrethit të Tiranës dhe në mënyrë agresive vepron kundër italianëve.

Rreziku më i madh për italianët erdhi kur Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, që konsideroheshin si 100% nacionaliste dhe kundërshtar të komunizmit, hyri në sferën e veprimtarisë së lëvizjes partizane. Fadil Hoxha, funksionar i lartë fashist në Gjakovë, del në mal dhe deklarohet si partizan. Ramë Muja vepron në kuptimin e njëjtë në Gash. Merret direktiva me partizanët e Jugosllavisë dhe aksioni koordinohet.

Me dëshirën e IS-së. angleze, u bë përpjekja që si nga Drazha Mihajlloviqi po ashtu edhe nga Muharem Bajraktari të koordinohen aksionet e tyre me qëllim të krijimit të frontit të përbashkët luftarak në Ballkan. Mbledhjet të cilat u mbajtën për atë qëllim, nuk dhanë rezultate, për arsye se Drazha Mihajlloviqi nuk pranoi të bëhet ndryshimi i kufijve në favor të Shqipërisë, ashtu siç insistonte Muharrem Bajraktari, por këtë çështje e shtroi edhe ministri Indi gjatë një fjalim të tij.

Nga Maqedonia bullgarët zhvillonin propagandë aktive kundër Shqipërisë, madje duke i detyruar shqiptarët të shpërnguleshin nga territori i tyre. Të arratisurit nga trevat e Pollogut të Epërm e të Poshtëm, Kërçovës, Mavrovës e Galiçnikit, në Shkup themeluan “Vëllazërinë”, detyra e së cilës ishte lufta aktive kundër Shqipërisë me qëllim të kthimit të Maqedonisë Perëndimore, e cila me insistimin e Italisë iu bashkua asaj. Kjo çështje mori karakter politik, e cila u përqendrua kundër këtij shteti, edhe pse bullgarët zyrtarisht shpreheshin për marrëdhënie të mira me Italinë. Urrejtja e bullgarëve kundër Shqipërisë ishte shumë e fuqishme saqë këta të fundit shpeshherë shpreheshin se jeta e përbashkët me serbët ende është e mundur, por ajo me bullgarët është e përjashtuar në mënyrë absolute.

Edhe shqiptarët kishin aspirata në lidhje me Maqedoninë. Aty vinte në shprehje qarku i Kaçanikut, i cili 95% ishte i banuar me shqiptar, pastaj pjesa lindore e qarkut të Tetovës (zona pushtuese bullgare – Q. L.), gjithashtu me popullsi shqiptare. Gjermanët u dhanë asi shpresa shqiptarëve, sa që ata besonin se mund të vij në shprehje edhe Shkupi, i cili ishte me një shumicë të vogël të popullsisë myslimane.

Mirëpo, lëvizja nacionalçlirimtare nga viti 1942 e këndej përforcohej në mënyrë të vazhdueshme, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, e cila në radhët e veta pati disa njerëz të shkolluar, pjesa dërmuese e tyre të cilët ishin shkolluar në Vjenë, pastaj në universitetet e Beogradit e të Zagrebit. Gjithashtu edhe Normalja si dhe Medreseja e Madhe në Shkup, në mesin e nxënësve të tyre patën numër të madh të përkrahësve të ideologjisë komuniste e sociale. Në fillim ajo u shpreh në përpjekjet për kryerje të atentateve e të sabotimeve, që më pas u shkua në organizim të planifikuar të rezistencës nacionalçlirimtare, e cila menjëherë vendosi lidhje me organizatat në Greqi e në Shqipëri të Jugut. Duke e koordinuar aksionin e vet me lëvizjen partizane shqiptare e greke e duke e pranuar veprimtarinë supreme të Mareshalit Tito, maqedonasit gjithashtu u bënë pjesë e frontit nacionalçlirimtar të Ballkanit….”

*Titulli i autorit: Fuqitë evropiane dhe çështja shqiptare sipas një elaborati të OZN-s

Burimi: http://shenja.tv/fuqite-evropiane-dhe-ceshtja-shqiptare-sipas-nje-elabor...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.