Opozita mund të kërkojë interpelancë te portali "Shqipëria që Duam"

Postuar në 07 Tetor, 2017 14:21

Shqipëria ka një problem shumë të madh me qeverisjen e saj. Por Shqipëria ka një sfidë strategjike me mungesën e një opozite reale. Zhvillimet e këtyre muajve të fundit kanë çuar në buzë të zvetënimit të plotë palët politike që duhet të përfaqësonin një opozitë serioze. Hija e dyshimit për pazare nën zë, për koninuktura nga më të ndryshmet, denatyroi palët edhe gjatë mandatit të parë të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Por kjo të paktën kompensohej nga fakti se konvencionalisht skena politike ishte brenda kontureve të veta. Aktualisht kufijtë jo vetëm kanë humbur, por ato duket se po treten si nocion për shkak se serioziteti i lëvizjeve të opozitës përfaqësuar nga PD-LSI, përmbytet nga serioziteti I situatës se kjo opozitë në fakt nuk po bën gjë.

Fabrika kryesore e kësaj anomalie është PD-ja dhe kreu I saj Lulzim Basha, që krijon politikë që ngjan si flaka e kashtës. Ditë më parë pamë sesi zotëria kapi foltoren dhe nuk dinte ç’bënte për reformën zgjedhore dhe lirinë e shqiptarëve. PD-ja flet për krimin dhe trafiqet, por për asnjë çast nuk konsumon të drejtat e veta përmes instrumenteve parlamentare për të kërkuar llogari, apo për të vënë në pozitë realisht të vështirë qeverinë. Është dramatike të shikosh sesi një kryetar formal i partisë më të madhe opozitare, rend të amplifikojë deklaratat e një ambasadori, ndërkohë që zakonisht ambasadorët janë ata që përcjellin qëndrimin e vendit të tyre për nisma apo zhvillime të caktuara. Kështu ka qenë edhe kur PS-ja ka qenë në opozitë në vitet ’92-’96 por edhe kur më pas ishte PD-ja në opozitë. Radikalizimi vokal dhe leksikor i Lulzim Bashës nuk ngjit më për shkak të pabesueshmërisë që ai vetë ka krijuar. Njësoj sikundër me kryeministrin që teksa promovon shërbimet dixhitale, ua ul vlerën e tyre si e mirë publike me faktin e prezantimit prej tij të tyre. 

Në këtë kontekst pazari të gjithanshëm, ka identitetin e vet edhe LSI-ja. Parti që thotë se është në opozitë, që ka kryetarin faktik në krye të presidencës, e që ka ende ca punë për të mbyllur me qeveisjen. Sot Petrit Vasili, i Ngarkuari me Punë I LSI-së për Politikën e Facebook-ut, denonconte me të madhe ndërtimin e bërë nga Ministria e Kulturës në Butrint.

Për shkollëpakun në krye të qeverisë, që po betonon pa mëshirë Butrintin, qoftet dhe sufllaqet e kioskave janë më me vlerë se vlerat madhështore të Butrintit mijëravjeçar”, shkruan Vasili.  Mund të pyetet pse vallë këto dy parti, PD-ja dhe LSI-ja nuk kërkojnë interpelancë për çështje të caktuara, pse vallë nuk ndërmarrin asnjë iniciativë institucionale për të debatuar publikisht për atë që po ndodh? Dhe kjo ka vlerë edhe më shumë për LSI-në, një forcë me transfigurim të pabesueshëm, sa kohë që në 4 vite bashkëqeverisje me PS-në, denoncoi…zero raste. Por bëri Pazar dhe marrëveshje, siç duket për të gjitha. Është ironike në kulm të shohësh se ndërkohë që kjo opozitë çirret pa bërë gjë, duke na zbuluar se ky është edhe misioni I vërtetë tek i cili ajo beson, kryeministri vizualizon mikrobotën e tij që e zmadhon me dylbitë e një portali të ri – Shqipëria që Duam – nga ku prezupozohet se do flasë dhe do shohë gjithë popullin.

Në këtë portal ka edhe një dritare ku kërkohet Interpelancë nga çdo grup njerëzish dhe aty live, shfaqet kryeministri apo ministrat që i përgjigjen pyetjeve. Është kjo punë që normalisht do të duhet ta bënin në parlament. Por siç mund të merret me mend, është më kollaj t’u përgjigjesh pyetjeve të njerëzve për një rrugë, për një drejtor, apo për ndonjë kanalizim, sesa pyetjeve me qitje të largët që të bëhen nga njerëz të sojit tënd. Ndaj deri sa opozita zyrtare të shkojë te pyetjet, asaj i duhet të konsumojë ulërimat të cilat i deshifron kryeministri e kështu duke vazhduar me atë teatër që na detyron të gjithëve të mbetemi batall e të hedhim sytë nga ndonjë llotari, ndonjë azil, a ku i dihet, ndonjë thes me hashah. Mos të çuditemi që edhe LSI-ja me PD-në të kërkojnë interpelancë te portali "Shqipëria që Duam", sa për pak gallatë, meqë Parlamenti është e vetmja estradë profesioniste në Shqipëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.