Për çfarë shërbeu "jo-ja" spanjolle kundër pavarësisë së Kosovës?

Postuar në 01 Tetor, 2017 16:00

Katalonja zhvilloi sot referendumin për pavarësinë. Kërkesa për pavarësi e një komuniteti është çështje shumë komplekse, ku ngërthehen faktorë historikë, socialë, politikë, ekonomikë, humanë, racorë dhe fetarë. Pavarësimi pra është një kërkesë e brendshme që nuk mund të arsyetohet me përfitimet e një sistemi politik. Nga kjo pikëpamje, zgjidhja që sot Spanja demokratike i jep krizës së saj të brendshme, është miope dhe priret të acarojë situatën edhe kështu të ndezur. Madridi po i referohet kushtetutës për të vepruar ndaj një nisme që ka teorikisht mbështetjen e një shumice, duke provokuar përplasje. Për prerogativat e sistemit politik spanjoll shkruante sot në “Project Syndicate” edhe ish-ministrja e Jashtme e këtij vendi, Ana Palacio, e cila rendiste cilësitë demokratike të kushtetutës dhe shtetit spanjoll, që janë të tilla në përputhje me parimin e unitarizmit dhe pandashmërisë.

https://www.project-syndicate.org/commentary/catalonia-referendum-spanis...

Mirëpo pse kjo nuk kënaq katalonjasit? Pse demokracia britanike nuk i kënaq skocezët? Meriton vëmendje kjo sjellje e sotme e Madridit për arsye se ajo ka një lidhje me qëndrimin e derisotshëm të tij për Pavarësinë e Kosovës. Në vitin 2008, kur edhe Kuvendi i Kosovës, shpalli pavarësinë me një deklaratë unanime, ish-ministri i Jashtëm spanjoll i asaj kohe, Miguel Ángel Moratinos, deklaroi se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës sepse ajo bie ndesh me ligjin ndërkombëtar. Mirëpo Spanja nuk e ndryshoi këtë qëndrim edhe kur për çështjen në fjalë, me iniciativë të Serbisë u shpreh edhe Gjykata Ndërkombëtare. Vallë Spanja është arbitër i veçantë i ligjit ndërkombëtar?

Nga ana tjetër, megjithë idenë se mosnjohja e Kosovës ka të bëjë me çështjen e Katalonjës, sërish kjo e fundit iu drejtuar referendumit. Dhe në emër të parimit të vetëvendosjes që është pjesë e kopusit të të drejtave të njeriut. Palacion argumenton se duke ndalur një referendum antikushtetues mbrohet demokracia spanjolle, por premisat jurudike nuk mundet kurrsesi t’i mbivendosen aspiratave politike. Ajo çfarë përvoja më e mirë na mëson është se nëse Britania që e lejoi referendumin e Skocisë, apo edhe atë të Brexit, mundet të jetë duke paguar kostot e një procesi të pashmangshëm, kjo është shumë më e shëndetshme sesa fatura e një përgjegjësie të një lloji tjetër. Spanja nuk e do referendumin e Katalonjës jo për demokracinë por për interesat e veta. Po për këto arsye nuk e njeh as Kosovën, ndonëse qëndrimi i saj nuk ja vlejti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.