Absurdi i një “diskutimi” për një velinë ariane në Striscia la Notizia

Postuar në 13 Shtator, 2017 09:11

Vala e ekstremizmit dhe pas tij racizmit ngjan se përhapet në mënyrë të njëkohshme në një shumicë vendesh që mendoheshin se i kishin vlerat e demokracisë të qenësishme dhe të pacenueshme. Rasti më i habitshëm i këtij racizmi të shprehur, pasi racizëm të heshtur has thuajse kudo në Europë, është Italia, një vend emigrantësh, kulture, historie të pasur, pelegrinësh dhe mbi të gjitha një vend i hapur ndaj detit në të gjitha drejtimet. Nëse lëmë mënjanë shqetësimet reale dhe serioze për përmbysjen e balancave demografike që analizohen së fundmi nga disa drejtime, racizmi i shprehur për një velinë në emisionin Striscia La Notizia, janë të tepërta për një popull që përndryshe jemi mësua ta shohim të mblidhet në festa fetare apo të mblidhet në sheshin e Shën Pjetrit për të duartrokitur Papën.

Corriere della Sera raporton për reagimet në internet ndaj Mikaela Neaze Silva, 23 vjeç, lindur në Moskë nga baba angolez, nënë afgane, e cila flet pesë gjuhë të huaja dhe që do të jetë një nga dy vajzat që do të performojë si balerinë në emision.

Çështja është bërë çështje pas komenteve të tilla si “Të kthehemi në origjinën italike”, duke kujtuar se rrënjët e asaj fryme që priret të kapë emocionet, janë të forta dhe ndoshta të përhershme në shoqëritë e ndryshme. Vetëm se shprehja e racizmit ndaj një veline që performon në një emision të një televizion privat, është absurde.

Në një shënim të shkurër në Corriere della Sera, Massimo Gramellini i drejtohet Mikaela Silvës se “populli i uebit është një pakicë modeste edhe krahasuar me atyre që komentojnë në ueb”.

Që këtej edhe shqetësimi në rritje për forcën e mediave online, rrjeteve sociale për të masivizuar prirje të tilla e që rrezikon të godasë lirinë që solli ky zhvillim teknologjik.

“Nëse dhjetë hajvaanë do të shkruanin në murin e një banjoje publike “Dua një velinë ariane”, askush nuk do ta vinte re. Por tani mund të përhapin fjalën e tyre përmes telefonave, duke e bërë lajm, simptomë të një sëmundjeje inekzistente apo të mbivlerësuar. Më beso Mikaela: shumica dërrmuese e italianëve nuk është raciste. Thjesht ka punë tjetër për të bërë”, përfundon ai.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.