Eksperimenti me prokurimin publik të përqendruar

Postuar në 28 Gusht, 2017 12:25

Procesi i reformimit të agjencive publike – më saktë likujdimi i dias prej tyre dhe përqendrimi i punës në disa të tjera – mendohet të përfshijë edhe prokurimin publik. Ish - zv.kryeministri Niko Peleshi që drejton grupin e punës për këtë çështje është shprehur ndër të tjera: 

Të dhënat janë të vitit 2016, rreth 1 miliardë dollarë është volumi i blerjeve të mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri. Janë 1407 autoritete kontraktore, 8500 procedura prokurimi, në vit lidhen 5500 kontrata dhe ofertohen nga 39 mjë oferta nga kompanitë. Sistemi është shumë i fragmentarizuar; mesa duket është baza është e dobët. Për ta ilustruar kemi vetëm një shifër: nga 5 mijë procedura të brendshme, 21% e tyre dështojnë të lidhin një kontratë. Ne propozojmë një reformim të prokurimit. Nuk kemi një formulë të gatshme apo fundore, por kemi disa vështrime për mallrat dhe shërbimet. P.sh. mund të themi që është e domosdoshme të ketë një agjenci të veçantë që është qendra e blerjeve, që sot blen një kategori mallrash dhe shërbimesh standarde

Rekomandimi i paqartë që qeveria i bën vetes synon me sa duket të rrisë efikasitetin e prokurimit dhe me gjasë, ndonëse nuk thuhet, të shmangë abuzimin e madh. Në çdo rast qeveria do të jetë e detyruar ta bëjë këtë me një bazë të re ligjore, e cila duhet të marrë në konsideratë praktikën e deritanishme, legjislacionin në fuqi, synimet dhe në fund kapacitetin e agjencive për të zbatuar ligjet dhe normat dhe auditimin. Një mënyrë për të supozuar sesi mund të ecë kjo nismë është të shihet legjislacioni aktual dhe të vlerësohet dispozita e tij me zbatimin. 
Dhe nëse i referohemi këtij legjislacioni blerja e përqendruar është qysh tani në fuqi. 

Neni 11 I ligjit nr. 9643/2006 sanksionon ndër të tjera se: 

1. Kur më shumë se një autoritet kontraktor ka nevojë për të njëjtat mallra, punime apo
shërbime, atëherë ata, nëse marrin një vendim të tillë, mund:
a) t’i ngarkojnë njërit prej tyre detyrën e prokurimit të këtyre mallrave, punimeve apo
shërbimeve, në emër të të tjerëve;
b) ta udhëzojnë organin qendror blerës, të krijuar në përputhje me rregullat e prokurimit,
të kryejë procedurat përkatëse të përzgjedhjes së fituesit të kontratës.
2. Autoriteti kontraktor mund t’i kërkojë organit qendror blerës të kryejë një procedurë të
caktuar të përzgjedhjes së fituesit ose një sërë procedurash të tilla në emër të tij, kur
blerja e përqendruar do të ishte më e leverdishme për shkak të rritjes së sasisë së kërkuar
për furnizimet me mallra të ngjashme dhe kushte të ngjashme sipas tregut.
Në kryerjen e procedurave të përzgjedhjes së fituesit, organi qendror blerës zbaton
dispozitat e këtij ligji

Siç shohim nocioni dhe praktika e blerjes së përqendruar ekziston aktualisht dhe ajo niset nga premisa e thjeshtimit të procedurave dhe të kostove. Mund të hamendësohet se nuk ka një bashkëpunim mes agjencive për të prokuruar në mënyrë të përqendruar, çka shtron pikëpyetjen e aftësisë së agjencisë së përqendruar për të përpunuar në kohë kërkesat e ndryshme për blerje. Edhe me ligjin aktual autoritetet kontraktore kanë të drejtë të kërkojnë ndihmën e Agjencisë së Prokurimit Publik “në formën e këshillave dhe udhëzimeve gjatë krijimit të njësive të tyre të prokurimit, të veçanta ose të përbashkëta”.

Nëse ideja është që kryeministria të marrë një kontroll më të madh për procedurat prokururese, sërish përpjekja nuk ja vlen dhe aq, pasi ligjin përcakton kryeministrin si autoriteti më i lartë në gjykimin e ankesave në Komisionin e Prokurimit Publik. Kompetencat e këtij të fundit siç përshkruhen në ligj japin qartë një ide për atë që përfaqëson qysh sot kreu i ekzekutivit kur vjen puna te prokurimi. 

1. Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë në fushën e prokurimeve,
që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit, në përputhje me kërkesat e përcaktuara
në këtë ligj.
2. Komisioni i Prokurimit Publik, në përfundim të shqyrtimit të ankesave, merr
vendime, të cilat janë administrativisht përfundimtare.
3. Komisioni i Prokurimit Publik është person juridik publik, në varësi të
Kryeministrit, që financohet nga Buxheti i Shtetit.

Duke shtuar këtu edhe praktikën e ndjekur nga Ministria e Brendshme me Drejtorinë e Prokurimeve të Përqendruara, mund të themi se kreu i qeverisë kontrollon emërimet në organet e prokurimit dhe të shqyrtimit administrativ të tyre, ka nën kontroll praktikën e prokurimeve të përqendruara. Çfarë do të përqendrohet më dhe a ka në analizë nëse kjo do të jetë e dobishme? Siç na thotë Peleshi dhe po të lexojmë ligjet, duket se jo. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.