Tarifa e re e përmbarimit/Dhoma e Përmbaruesve: Bankat pretendojnë sovranitet ndaj ligjit

Postuar në 06 Gusht, 2017 15:24

Pas reagimit të Shoqatës së Bankave për miratimin e tarifës së re të përmbarimit ka ardhur përgjigja e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë. Dhoma e cilëson disinformuese deklarimin dhe fushatën e bankave, ajo flet për sovranitet bankar që tenton të kundërvihet ndaj sovranitetit shtetëror mishëruar në ligje dhe akte nënligjore, ndërkohë që konsideron se veprimet e dy ministrave teknikë janë konform procedurës ligjore të iniciuar më parë. Përgjigja është e ashpër dhe pasqyron tensione që ndoshta burojnë edhe nga realiteti i tregut ku operohet, e ku deri më tani bankat kanë dominuar duke mos lejuar në asnjë rast t’u preken interesat. Një pjesë e deklaratës më poshtë:

Prej mëse 1 muaji, Shoqata Shqiptare e Bankave po kërkon të ushqejë opinionin publik, nëpërmjet medias, me disa informacione abuzive, dezinformim permanent dhe një qëndrim të rrezikshëm sa i përket respektimit të legjislacionit shqiptar dhe institucioneve kushtetuese të vendit.

Shoqata Shqiptare e Bankave i konsideron udhëzimet e miratuara në 26 qershor 2017 nga ministrat e Drejtësisë dhe të Financave për tarifat e shërbimit përmbarimor, si akte “abuzive dhe të pabazuara në një analizë profesionale; të “befta” dhe të nxjerra nga dy ministra “teknikë”; të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e ligjit apo të përpjekjeve të qeverisë për të ulur “kreditë e këqija”, si edhe barrë shtesë për qytetarët dhe komunitetin e biznesit”.

Së pari,vlerësojmë se mendimi ndryshe brenda kornizës dhe misionit të një grupi interesi, qoftë edhe ai bankar, është i mirëpritur në një sistem demokratik, ndërsa anatemimi i institucioneve dhe akteve  të nxjerra prej tyre paraqet më shumë sesa një shqetësim. Kuvendi i Shqipërisë, ministrat e qeverisë shqiptare dhe Presidenti i Republikës janë organe që me aktet e tyre krijojnë sovranitetin tonë shtetëror, i cili nuk mund të diskutohet apo goditet nga përpjekje apo pozicione të cilat, duket qartë se kërkojnë të krijojnë një sovranitet tjetër - “sovranitetin bankar”. 

Është fakt zyrtar se: Kuvendi i Shqipërisë, në referim të ndryshimeve ligjore të kryera në nëntor 2016 dhe në kuadër të masave ndaj problematikës së “kredive të këqija” në Shqipëri, ka ndërmarrë dhe miratuar konfigurime të reja në nenet 47 dhe 48 të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, si dhe nenin 525 të Kodit të Procedurës Civile. Këto ndryshime, lidhen drejtpërdrejt me tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat.

Është fakt zyrtar se: Dispozitat ligjore në fuqi, lejojnë vetëm Dhomën Kombëtare të japë mendim në lidhje me miratimin nga ministrat e Drejtësisë dhe Financave të udhëzimit mbi tarifat fikse të shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat dhe në asnjë rast Shoqatën Shqiptare të Bankave.

Është fakt zyrtar se: Udhëzimi i përbashkët mbi tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat sipas ligjit duhet të miratohej brenda datës 11.1.2017 (30 ditë pas hyrjes në fuqi tëligjit tëamenduar), ndërsa formalizimi i tij më 26.6.2017, u  krye me 6 muaj vonesë, edhe pse Dhoma Kombëtare e kishte propozuar mendimin e saj brenda afatit ligjor njëmujor. Këto fakte tregojnë qartë kush janë subjektet e ngarkuara nga ligji për të bashkëvepruar në lidhje me tarifat e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat si dhe çfarë rruge ka ndjekur miratimi i tyre. 

Së dyti,  Shoqata Shqiptare e Bankave nuk gëzon sot legjitimitet juridik për të kundërshtuar ligjërisht realitetin e ri të tarifave të reja të shërbimit përmbarimor, pasi këtë nuk ia ka dhënë asnjëherë ligjvënësi. Ky realitet përfshin udhëzime të reja në të dyja strukturat e shërbimit përmbarimor gjyqësor shqiptar, në shërbimin privat dhe atë shtetëror. Por qëndrimet refraktare të kohëve të fundit me insinuata të konotacionit politik të këtij grupi interesi i heqin atij edhe legjitimitetin moral. Madje, këto qëndrime ne i konsiderojmë si sfidë serioze ndaj sovranitetit shtetëror.

Ministrat aktualë të një qeverie shqiptare, në detyrë dhe të dekretuar nga Presidenti i Republikës, kanë formalizuar një akt nënligjor të cilin pa asnjë ndryshim e kishte miratuar, pas një procesi të zgjatur konsultative dhe ministri paraardhës i Drejtësisë në muajin prill të këtij viti.

Ne, besojmë se misioni i shërbimit përmbarimor është mision i shtetit të së drejtës dhe duhet të gjejë mbështetje nga çdo qeveri demokratike shqiptare, përfshirë çdo ministër, kryeministër apo deputet. 

Ne, besojmë se në Shqipëri nuk jemi në kushtet e sfidimit të sovranitetit shtetëror nga një grup i caktuar interesi, në analogji me rastet kur të tjera vende “sovrane” duhet të marrin miratimin e kreditorëve bankarë para se të hartojnë, apo miratojnë aspekte të rëndësishme të legjislacionit të atij vendi.

Së treti, duhet të informojmë opinionin publik se udhëzimet në fuqi mbi shërbimin e përmbarimit gjyqësor privat, por edhe ato mbi shërbimin e përmbarimit shtetëror janë reflektime rigoroze të ligjeve përkatëse që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë, në harmoni të plotë me parimet e akteve ndërkombëtare, në veçanti me Rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe Kodin Global mbi Ekzekutimin e Detyruar.

Udhëzimet sugjerojnë incentiva të qarta të mënyrës së pagimit të përmbaruesit, brenda një balance të drejtë tarifash shërbimi dhe mbështetur vetëm në parimet e transparencës dhe masës së arsyeshme të tyre. Pretendimet e Shoqatës Shqiptare të Bankave, se tarifat e shërbimit përmbarimor janë rritur në atë masë sa do të krijojnë një “barrë shtesë për qytetarët dhe taksapaguesit” janë aq të pabaza dhe të pamoralshme, sa qindra - mijëra rastet e abuzimit bankar që lidhen pikërisht me ta. Janë qytetarët dhe taksapaguesit qëbartin dhe denoncojnë çdo ditë peshën e arbitraritetit të interesave, penaliteteve apo kamatëvonesave bankare, bashkë me problemet e rënda sociale qëderivojnë prej tyre. 

Së fundi, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatënuk gjen në asnjë rresht të “aktakuzës” bankare, ndonjë argumentim mbi “shkeljet” apo “mungesën e analizës profesionale” që kundërshton frymën e ligjit.

Frymën e cilit ligj kanë kundërshtuar udhëzimet? Frymën e ligjit të përmbarimit privat i cili parashikon pavarësi, paanësi dhe vetërregullim të këtij profesioni të lirë, apo pretendimi i Shoqatës Shqiptare të Bankave i referohet ndonjë ligji të pashkruar ku pushteti financiar kërkon të drejtojë pushtetin juridik? Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë nuk gjen asnjë argument, përveç kërcënimit të “të inatosurve” që ligji nuk ju shkon për shtat. Çdo argument të cilin Shoqata Shqiptare e Bankave e pretendon se duhet pranuar dhe është ligjor, jemi gati dhe ftojmë që t’ia nënshtrojmë një debati publik ku të ftohen të gjithë aktorët dhe faktorët që lidhen me sistemin e ekzekutimit dhe atë bankar, përfshirë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe misionin Euralius.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.