Ministria e Kulturës pranon prezencën e minoritetit kombëtar grek në Dhërmi

Postuar në 27 Korrik, 2017 12:19

Dje u bë e ditur se Ministria e Jashtme greke kishte reaguar zyrarisht për prishjen e dy shtëpive në Dhërmi të Himarës, të cilat ajo I konsideron se I përkasin pjesëtarëve të minoritetit grek.

Sipas deklaratës bëhet e qartë se mënyra si procedon Tirana zyrtare është e papranueshme dhe se ajo bie ndesh me vetë ligjet e shtetit shqiptar. Këtu ka rëndësi se ndërhyrja e Greqisë që I kujton Tiranës zyrtare pasojat në procesin e Integrimit, përligjet me faktin se sipas Athinës, po preken prona të minoritetit kombëtar grek.

Shikoni reagimin e sotshëm të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë:

…Në rastin konkret, bëhet fjalë  për dy godina të ngritura mbi një burim uji brenda zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore. Për pronarët e prekur janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, si për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe në përputhje me të gjitha normat e konventat ndërkombëtare…

Siç kemi sqaruar edhe në rastet e deklaratave të mëparshme për të njëjtën temë, sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim. Mbi këtë bazë, çdo qytetar shqiptar, minoritar ose jo, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatave shqiptare si organet kompetente për interpretimin e Ligjit në Republikën e Shqipërisë.

Ministria e Kulturës pranon këtu në mënyrë të tërthortë ekzistencën e përfaqësuesve të minoritetit kombëtar grek në Dhërmi, teksa në deklaratën e vet nuk ka asnjë frazë që të hedhë poshtë pretendimin e Greqisë si të pabazuar. Ministria ka një bazë zyrtare për të reaguar në këtë drejtim: pakicat në Shqipëri janë të njohura zyrtarisht në vendbanimet e tyre edhe pse ka pretendime se në Himarë jeton një pakicë greke. Nëse qeveria shqiptare e pranon këtë fakt, atëherë duhet ta zyrtarizojë. Përndryshe përgjigja e Ministrisë së Kulturës thjesht përligj ndërhyrjen nga Greqia. Të vihet re po ashtu sesi ky moment mbulohet me një farë tërheqjeje nga një qeveri që kalon katër vite duke u marrë me gravura, çka do të thotë se presioni për hapjen e negociatave është real.

Më tej akoma ky moment ka edhe një aspekt tjetër: ndonëse me një qasje instrumentale, reagimi i Greqisë për të mbrojtur njerëzit dhe interesat e veta duhet përshëndetur. Çdo shqiptar do të donte të kishte të njëjtën mbështetje nga shteti i vet jashtë vendit, por ja që nuk e ka. Ca më keq akoma madje, e ka kundër në çdo drejtim. 1 milionë shqiptarët që jetojnë jashtë janë viktima e një shteti të pabesë që u gëzohet remitancave por nuk është në gjendje dhe nuk do që të paktën të mbrojë pasaportën që siç shkruan e ka pronë të vetën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.