Ne e dimë që shoku Selami është i "leshtë"...

Postuar në 23 Korrik, 2017 17:33

Dy ditë përpara zgjedhjeve për kryetar në PD, kandidati përballë Lulzim Bashës. Eduart Selami deklaronte se: 

Unë mendoj se shmangja është se nuk mund ta përballojë një debat të hapur. Dhe fatkeqësisht më kujton më shumë liderin e fundit komunist, Ramiz Alinë i cili bënte gjithshka dhe të pamundurën për një fasadë demokratike, një pluralizëm mendimi dhe i shmangej asaj që ishte më kryesorja që shqiptarët më në fund e arritën”. 

Z. Selami hodhi akuza për garë të pabarabartë dhe kërkoi publikimin e listës së anëtarësisë. Një ditë përpara zgjedhjeve Zëri i Amerikës, që mbante gjallë kujtimin e Selamit për opinionin shqiptar në vitet ‘2000-‘2013, sulmoi Bashën. Por sot që shohim rezultatin e zgjedhjeve dhe sidomos sjelljen e Selamit, mund të kuptohet fare mirë se e gjithë kjo farsë debati shërbeu vetëm për të legjitmuar një garë që nuk mund të quhet e tillë. 

Sot z. Selami ka harruar garën e pabarabartë, ai sot deklaron se: 

I falenderoj të gjithë ata që na votuan, të gjithë votuesit e PD, të gjithë ata që votuan vizionin tonë, i cili mendoj se ishte vizioni më i mirë për ta ringritur PD, për ta bërë dhe një herë shpresë për demokratët, për të djathtët dhe për Shqipërinë.

Tashmë unë jam një demokrat krenar si gjithmonë, anëtar i seksionit të njësisë dy, dega Tiranë. Unë do të vazhdoj kontributin tim si anëtar i PD, që Partia Demokratike të kthehet dhe një herë shpresë për të gjithë shqiptarët”. 

Ky është patjetër “kundërshtari” i domosdoshëm për çdo kryetar, nga ajo kategori që shërben me kurdisjen e kundërshtimit mediatik. Meqë jemi te krahasimet me njerëz të regjimit të shkuar, të vjen në mendje një përcaktim që i atribuohet Enver Hoxhës, që duke shpresuar se nuk gabojmë lidhet me Gogo Nushin. Në një nga përplasjet e mëdha që çonin në arrestime, Enver Hoxha e mbrojti Gogo Nushin duke u shprehur se “Ne e dimë që shoku Gogo është i leshtë”. Edhe në mos qoftë e vërtetë metaforikisht kjo thënie bën punë. 

Pasi që nga viti 1995 edhe “Ne e dimë që shoku Selami është i leshtë”. Vetëm se ndoshta njësoj si në rastin e Gogo Nushit(kërkojmë ndjesë nëse përmendim personin e gabuar) sapo njeriu kupton se të tjerët e shohin si të leshtë dhe ndërkohë kështu ja hedh paq, leshtësia fiton cilësitë e një avantazhi në politikë. Kështu edhe Selami që po lë tymin të shkojë drejt në oxhakun e tij, pa bërë gjë. Thjesht duke u vënë në dispozicion si qenie demokratike, me defiçencë në shqisat politike. Por këtu qëndron edhe forca e tij që nuk ka pse të mos ja njohim si fat, në mos si meritë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.