Depolitizimi i administratës, nuk e deshën vetë

Postuar në 20 Qershor, 2017 14:32

Shqipëria ka ambicjen për të hapur në dhjetor negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian duke qenë se përmbushi një nga kushtet kryesore që kishte të bënte me miratimin e paketës së reformës në drejtësi. Mirëpo nuk është vetëm ky kusht që na hap dyert për në BE, kriter kryesor është edhe depolitizimi i administratës, një pikë që mbetet ende e pa plotësuar. BE nuk do t'i hapë dritën jeshile Shqipërisë me një administratë të mbushur me militantë politikë. Këtu zë fill edhe retorika e kryeministrit Rama në fushatë për të marrë i vetëm drejtimin e qeverisë me qëllim siç thotë për të modernizuar shtetin. 
Diçka që nuk u mor seriozisht nga kjo qeveri qysh në fillimet e saj. Në raportet e 3 vite e të fundit të Parlamentit Europian edhe pse përshëndetet fillimi i zbatimit të ligjit për nëpunësin civil, Shqipërisë i kërkohet që të bëjë hapa më shumë në forcimin e kapacitetit të një administrate publike të depolitizuar dhe të bazuar mbi meritokracinë. Një ditë më parë në intervistën për emisionin të "Pa Ekspozuarit" kryeministri pranoi se ishte e vetmja reformë që nuk ishte përmbushur. 
Në studio pohoi se nuk e ka penguar askush të bëjë reforma, ndërsa në mitingjet drejton gishtin nga partitë e vogla që ishin në koalicion me të. Por kjo mesa duket nuk ka të bëjë aq me ndarjen e pushtetit që thotë kryeministri por me filozofinë që partia e drejtuar prej tij dhe ai vetë qeverisën vendin për një mandat. Tre vjet më parë na u tha se Partia Socialiste kishte një projekt të madh në këtë drejtim, pa treguar rrugën dhe mënyrën sesi do kryehej kjo reformë. 
"Ne kemi një projekt të madh të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve dhe të një administrate, që është aty, për t’u shërbyer qytetarëve, të një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit"- theksonte në atë kohë kreu i qeverisë. Filozofia e tij ka qenë kjo:
“Administrata i përket shoqërisë, që kërkon me të drejtë që administrata publike të ndahet nga politika. Kjo nuk do të thotë se kush punon në administratë nuk duhet të ketë bindjet e tij politike, nuk do të thotë që kush shërben në administratë t’i shmanget nga frika aktiviteteve politike, apo të ngurrojë po nga frika të behet pjesë e diskutimeve që politika hap me shoqërinë. Kjo nuk do të thotë që politika ta uzurpojë administratën përmes të besuarve të vet, por përkundrazi që politika si besimi njerëzve për ta bërë jetën më të mirë të mos ndahet nga bindja e çdo nëpunës, se i duhet shërbyer çdo qytetari njësoj pavarësisht bindjeve politike të tij"- deklaronte kryeministri në fillimet e qeverisë së tij. 
Njësoj si 4 vite më parë sërish nuk thuhet sesi do të depolitizohet administrata. Argumenti se kjo realizohet nëse Partia Socialiste do ta ketë e vetme drejtimin nuk qëndron. Kjo nuk jep asnjë garanci që nuk do të ketë të punësuar nga rradhët e militantëve politikë që shihen si mbështetës të Partisë në pushtet.  Kësisoj në kushtet e mungesës së një  bilanci për punët e qeverisë dhe rrëzimit të alibisë për reformën në drejtësi, i vetmi shpëtim për fushatën e kryeministrin është kapja pas  depolitizimit të administratës, e cila më 4 vjet u trajtua si mdërmarrje punësimi për militantë e Partisë së kryeministrit dhe aleatëve të tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.