Neutraliteti i Serbisë

Postuar në 17 Qershor, 2017 11:36

Serbia është një vend që i përmbahet neutralitetit ushtarak që vepron në këtë rast si një vijim i doktrinës jugosllave të politikës së jashtme të njohur si Vendet e Paangazhuara. Ky neutralitet nënkupton se Serbia, një vend me pozicion gjepolitik kyç në Ballkan dhe me histori të ndërthurur shumë me historinë europiane të shekullit të 20-të, i qëndron larg angazhimeve në blloqet ushtarake si NATO, pa mohuar gjithësesi bashkëpunimin me to. 
Së fundmi, neutraliteti i saj po përforcohet apo garantohet nga investime domethënëse në sektorin e mbrojtjes, të cilat duhet thënë se janë promovuar politikisht nga niveli më i lartë politik i këtij vendi.

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Djordeviç, deklaroi për televizionin rus, “RT” se avionët Mig-29, të mirënjohur për cilësitë e tyre, do të mbërrijnë shumë shpejt në Serbi. Avionët janë pjesë e një pakete blerjeje që u bë e njohur pak muaj më parë nga ish-kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, që vizitoi edhe një fabrikë ushtarake në Rusi. Po kështë është njoftuar se Rusia do t’i shesë Serbisë edhe sistemin S-300, të cilin zakonisht e ofron për vende me të cilat ka marrëdhënie apo interesa të mëdha. Mjafton të kujtohet këtu se dislokimi i këtij sistemi në Siri, është bërë me kushtin që ai të operohet nga ushtarakë rusë. Sisteme më të avancuara se ky janë kërkuar nga Irani dhe Turqia, vende që janë në kurs përplasjeje me Perëndimin. 

Mund të pyetet se për cilat arsye po armatoset Serbia ndërkohë që deklaron neutralitetin? Një përgjigje është se ky nuk ëhstë neutralitet i garantuar ndërkombëtarisht si në rastin e Zvicrës, ai nuk është i ngjashëm as me neutralitetin e Austrisë, por ai ofron liri veprimi që nuk i ka asnjë vend në Ballkan. Djordeviç ka theksuar se në Serbi është hapur edhe një fabrikë e prodhimit ushtarak në Uzici, ka paralajmëruar se rrogat e ushtarakëve do të rriten me 10%, do të rekrutohen edhe 1984 anëtarë të rinj në ushtri, ndërkohë që eksportet ushtarake pritet të arrijnë në 1 miliardë dollarë. Diçka që shkon larg çdo standardi të Ballkanit. 
Po kështu ministri serb ka dhënë një përgjigje pa ekuivok për çështjen e qendrës humanitare ruso-serbe në Nish, për të cilën amerikanët kanë ngritur shqetësime. 
Serbia është një vend sovran dhe vendos në emër të interesit më të mirë të qytetarëve të vet”, tha ai. 
Më shumë sesa investimet në vetvete është kujdesi për ushtrinë ai që përbën interes. Në Serbi ushtria ka qenë një nga institucionet kryesore edhe të nacionalizmit duke siguruar forcën e nevojshme për vënien në jetë të axhendave të ndryshme dhe në zgjidhjen e situatave të vështira siç ishte sidomos lufta në Bosnje që u zgjidh me Dejtonin mbi kritere strikt të raporti të forcës në terren. 

Kjo politikë mund të gjejë konveniencë edhe në koniunkturën aktuale të divergjencave mes SHBA dhe BE, teksa kjo e fundit ka nisur të mendojë ndryshe për një politikë të re mbrojtjeje përtej NATO. Çka do të thotë se forca e një vendi të caktuar dhe politika e tij mund të aktualizohet krejt ndryshe në kushtet kur perëndimi po fragmentarizohet dhe kur institucionet e tij kryesore po dobësohen për shkak të asaj që solli era Trump dhe BREXIT. Për vende të vogla si vendet tona, politika e jashtme reduktohet në thelb në atë që bëri dikur Tito, apo Naseri në Egjipt merr lekë sa më shumë nga të gjithë. Shpërbërja e rendit ndërkombëtar dhe nevoja për mbushje boshllëqesh krijon kushtet për të riaktivizuar këto shqisa të cilat në vendin tonë i kemi parë të luhen me kolonën zanore të një nacionalizmi retorik. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.