Zbardhen profecitë e Shën Kozmait për përplasjen mes Edi Ramës dhe Donald Trump

Postuar në 10 Nëntor, 2016 19:08

““Një marrëveshje do të thyhet dhe fytyra e mbuluar me mjaltë e qumësht do të shtrihet në tokë”.

Për disa kjo ka të bëjë me Izraelin, që në Bibël cilësohej si “vendi i qumështit dhe mjaltit” (Bibla, Numrat, 13, 27-29). Kjo do të thotë se fitorja e Trump mund të sjellë edhe fundin e Izraelit si shtet.

Në fund, strofa 50: “Republika e qytetit të madh”, pra SHBA, “do të çohet nga false trumpet në operacione të kushtueshme ushtarake”. “And the city will repent”. Dhe qyteti do të pendohet”.

Ky është një pasazh interpretues nga quartinat e Nostradamusit që sipas disave ka parashikuar se me Trump vjen fundi i botës. Probleme me ardhjen e Donaldit në krye të shtetit më të fuqishëm në botë ka parashikuar edhe Baba Vagna, apo Vanga, parashikuesja bullgare. Kështu thonë disa që me gjasë janë të shqetësuar, ose të mërzitur me ardhjen e Trump në fuqi. Është një metodë në miniaturë e asaj që quhet propaganda e zezë e që u përdor në Luftën e Dytë Botërore. Nuk ka asgjë të keqe, njeriu kërkon ngushëllim. Trump ka provokuar emocione të forta te shumëkënd por për ata të cilët Shqipërinë e konsiderojnë atë fole të shtrenjtë ku kanë hedhur rrënjë duke thënë çdo gjë, ashtu demokratikisht, u sjellim në vëmendje edhe profeci të tjera.

Është fjala për Shën Kozmain, shenjtorin e Kishës Ortodokse, i cili kaloi këtej andej nga shekulli 17-18. Madje Shën Kozmai ka parathënë edhe përplasjen e madhe të Trump me Ramën.

Dhe ja profecitë e tij:

Kam mëshirë për ju për kryelartësinë që keni. Këmba ime nuk do të shkelë më këtu. Dhe nëse nuk do rreshtni të bëni gjërat që bëni, arbitraritetin dhe vjedhjet, do t’ju vijë shkatërrimi. Do të vijë një ditë kur në këtë degë ku ju sot varni shpatat, jevgjit do të varin qemanet e tyre” (Thënë në fshatin e Shën Donatit).

Siç mund të shihet këtu fjala është qartazi për koncesionet e qeverisë Rama, që shihen si një mënyrë vjedhjeje e pasurisë publike. Për jevgjit të cilët i përmend Shën Kozmai, duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me një metaforë. Dikujt mund t’i shkojë mendja te romët e dëbuar nga liqeni, apo emigrantët sirianë që mund të vërshojnë, por jo. Fjala është për të përdorur atë fjalën e urtë me jevgj që ka populli ynë sipas së cilës: “Kur evgjiti ra në lekë, leu edhe bythën me kos”. Pra salltaneti i madh gris edhe brekët e reja. "Ndaj bjeri qemanesë", thotë populli.

Vazhdojmë më tej me profecinë tjetër:

E keqja do tu vijë nga njerëzit me shkollë. Kur të rinjtë do të prijnë atëherë do të vijë e keqja...Mos bëni shtëpi të mëdha. Bëni mure rreth shtëpisë që të mos hyjnë brënda...Nëse dëgjoni se lufta do të vijë nga Jugu, do të mbarojë shpejt. Nëse vjen nga Veriu, atëhere jeni të mbaruar”.

Ky pasazh flet qartë për Edi Ramën – njeriu me shkollë dhe i ri(kujtoni Veliajn dhe Tahirin) – dhe për Trump. Lufta nga Veriu na kujton Aleancën e Atlantikut të Veriut që me Trump pritet të shkrihet e t’i lërë udhë Rusisë. Kur Shën Kozmai thotë që “ndërtoni shtëpi me mure të mëdha”, ai qartazi ka parashikuar se Edi Rama, me një vizion gjenial, ndërtoi Bunk’art si një mesazh për fortifikimin e vendit nga Trump dhe marrëzia e tij.

Janë profeci që duhen mbajtur shënim sepse thonë një të vërtetë ndriçuese.

Shaptilografisti

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ne nje takim qe Shen Kozmai pati me barinjte e fushes se Tiranes tha: "Kini kujdes, kur rruga te behet lume dhe lumi te behet rruge zografi do ta haje nga kokekuqi." Pastaj shtoi nën zë: "Eh zografit gjithmone i ka pelqyer ta haje kokekuqin."

A ka me qarte se kaq, madje kjo tingellon aq reale saqe mund te mendohet se eshte apokrife dhe eshte sajuar sot.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.