Ngushtohet laku për Gruevskin, nën hetim për tri çështje të reja

Postuar në 23 Maj, 2017 19:32

Ngushtohet më tej laku për ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe disa prej anëtarëve kryesorë të partisë së tij (VMRO-DPMNE). Një ditë më parë Prokuroria Speciale nisi procedurat kundër tyre për korrupsion për tre çështje të tjera dhe kërkoi ngrirjen e pasurisë së VMRO-DPMNE, ku përfshihet edhe selia e partisë, e njohur ndryshe si Pallati i Bardhë i VMRO-DPMNE, i kritikuar në media për luksin e tepruar.

Selia ku është strehuar VMRO-DPMNE është një ndërtesë e kushtueshme disakatëshe në qendër të Shkupit, e cila përfundoi dy vjet më parë. Orenditë luksoze dhe dekori i saj ka qenë shpesh objekt i kritikave dhe komenteve në media. Dy prej këtyre tri çështjeve të reja lidhen me financimet e paligjshme të VMRO-DPMNE-së, hetime për pastrim parash në ndërtimin e "Pallatit të Bardhë" në periudhën 2009-2015, si dhe dhënien e ndërtimit të dy autostradave një kompanie kineze edhe pse kishte pasur oferta më të ulëta.

I dyshuari kryesor në këtë çështje është ish-kryeministri, Nikolla Gruevski. Tri rastet e reja i shtohen një seri çështjesh të tjera të korrupsionit, shpërdorimit të pushtetit dhe shpërdorimit të detyrës, siç deklaroi dje në një intervistë për gazetarët Prokurorja Speciale, Katica Janeva.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.